Më 24 qershor të vitit 2020, Hashim Thaçi ishte nisur me aeroplan për një udhëtim zyrtar.
Në cilësinë e presidentit, ai do të takohej në Washington me homologun në Serbi, Aleksandër Vuçiq, për të diskutuar rreth një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Ende pa arritur, Zyra e Prokurorit të Specializuar lëshoi njoftimin se ndaj Thaçit e bashkëpunëtorit të tij të afërt, ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli tashmë ishte dorëzuar aktakuzë për krime lufte, për të cilën pritej konfirmim ose jo.
Drejtori politik i UÇK-së, i cili për gati dy dekada ishte pjesë aktive në politikën kosovare, duke pasur postet më të rëndësishme, së bashku me një nga themeluesit e UÇK-së, e ish-shefin e Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veselin po akuzoheshin për vrasje, tortura e krime të tjera të luftës.
Aktakuza kishte rastisur të ngrihej më 24 prill, në ditën kur Thaçi po e festonte ditëlindjen e 52-të, e 21 vjet prej kur pretendohej se janë kryer këto krime.
Aktakuza e ngritur, por e pakonfirmuar, lëkundi rrënjët e thella politike, edhe të Thaçit e edhe të Veselit. Njoftimi për shtyp përmendte edhe të tjerë persona të akuzuar. Por, identiteti i tyre përkohësisht u ruajt.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, kishte njoftuar edhe për një aktakuzë tjetër të ngritur, por identiteti i të akuzuarit nuk u bë publik deri në mëngjesin e 24 shtatorit.
Policë të uniformuar të EULEX-it, së bashku me hetues të Speciales, kishin rrethuar një lagje të Prishtinës për arrestimin e tij. Salih Mustafa u bë i arrestuari i parë i Gjykatës Speciale, e cila u themelua për të gjykuar krimet e pretenduara, që dyshohet se janë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së.
Ish-eprori i UÇK-së në Zonën e Llapit nuk ishte i njohur shumë për publikun, ani pse kishte mbajtur disa poste në institucione publike që lidheshin kryesisht me Inteligjencë.
Arrestimi i tij çoi sinjal se edhe të tjerë ish-pjesëtarë të UÇK-së do të arrestoheshin.
Ndërkohë që aktakuza ndaj Thaçit e Veselit ende nuk ishte konfirmuar, pati sinjale që një gjë e tillë veçse ishte bërë.
Dokumente që thuhej se kishin lidhje me aktakuzën e tyre, e që sipas OVL-UÇK-së po vinin nga Specialja, u shpërndanë në media.
Dy udhëheqësit e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj disa herë me radhë thirrën konferenca për të bërë publik faktin se po u vinin dokumente nga kjo gjykatë.
Por, cikli i këtyre konferencave do të ndalohej, atëherë kur Specialja arrestoi përfaqësuesit e veteranëve të luftës.
Zyra e tyre u mbush me zyrtarë policorë të Speciales, e të asistuar nga pjesëtarë të EULEX-it.
Pas një aksioni që zgjati rreth 8 orë, edhe Gucati e edhe Haradinaj u arrestuan e transferuan për në Hagë. Më vonë kundër tyre u ngrit aktakuzë, me disa vepra penale që kryesisht lidheshin me pengim të administrimit të drejtësisë, e frikësim të dëshmitarëve.
Fundi i tetorit ishte koha e fundit kur Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, kishin afat që ta konfirmonin aktakuzën ndaj Thaçit dhe Veselit, dy ish-kryetarë të PDK-së.
Por, vendimi i tyre nuk u bë publik.
Megjithatë, goditja e madhe e Speciales ndodhi në javën e parë të nëntorit.
Mëngjesin e katër nëntorit, nisën bastisjet në dy shtëpitë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi.
Kjo ditë dëshmoi së Specialja kishte ngritur tashmë aktakuzë për anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Krasniqi u nxor me pranga nga shtëpia në Prishtinë dhe u transferua në Hagë.
Pak orë me pas, edhe njëri nga figurat kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi njoftoi opinionin se të nesërmen do të nisej për në Hagë. Tashmë, edhe për të kishte një aktakuzë për krime lufte.
I pasens dukej arrestimi i Krasniqit e Selimit, duke pasur parasysh rolin e tyre në Shtabin e Përgjithshëm.
Megjithatë, e nesërmja do të sillte të tjera arrestime, duke nisur me kreun e Shtetit.
Në konferencë për media, Thaçi njoftoi dorëheqjen dhe tha se do të udhëtonte në Hagë.
Pak minuta më herët, Veseli përmes një komunikate për media, po ashtu kishte njoftuar se do të udhëtonte për në Hagë.
Selimi, Thaçi e Veseli u bashkuan në selinë e EULEX-it. Aty do t’u viheshin prangat dhe në cilësinë e të akuzuarve për krime lufte do të transferoheshin në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Një gjë e tillë ndodhi plot 5 vjet, prej kur Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Gjykatës Speciale.
Ironikisht, njerëzit që lobuan fuqishëm për themelimin e kësaj gjykate ishin vetë Thaçi e Veseli.
Por megjithatë, lobimi publik që atëkohë ishte bërë nga ai, ishte shuar atëherë kur mori ftesë nga Specialja që të intervistohej në cilësinë e të dyshuarit.
Siç edhe e përshkuan ky institucion, Thaçi gënjeu publikisht se nuk ishte ftuar për intervistim, por në anën tjetër, pas ftesës kishte filluar përpjekjet për zhbërjen e Gjykatës Speciale.
12 ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte ftuar për intervistim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ai i kishte dërguar letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, e cila ishte cilësuar si tentativë për ta penguar punën e Speciales.
Në dokumentin e ZPS-së, që i është bashkangjitur kërkesës për paraburgim për Thaçin dhe tre ish-eprorët e UÇK-së, të arrestuar për krime lufte, dy javë me parë nga Specialja, shkruhet që ish-presidenti kishte pranuar ftesën për intervistim në nëntorin e 2019-s.
Pas arrestimit të katërshes së UÇK-së, u kuptua që nga Specialja ata janë futur si pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
Aktakuza pretendon se Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë penalisht përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës, si edhe përfshijnë edhe kundërshtarë politikë. Përmenden në shumë raste vrasjet e anëtarëve ose përkrahësve të LDK-së, partnerit të shpeshtë që ia mundësoi qeverisjen PDK-së, e Thaçit ia mundësoi zgjedhjen president.
Aktakuza megjithatë shikohet nga shumëkush me rezervë. Jo vetëm për faktin që ky institucion nuk ndjek krimet e kryera nga serbët, por edhe për detaje të aktakuzës.
Vrasja e katolikëve si kategori e veçantë në aktakuzë, ka bërë konfuzë shumë kosovarë për mënyrën se si është ngritur aktakuza. Kjo duke pasur parasysh, rolin e kosovarëve të krishterë në UÇK, por edhe harmoninë fetare që është në Kosovë.
Edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së është lënduar nga ky cilësim i Speciales.
Për të 7 të akuzuarit gjykimet po vazhdojnë.
Ndërkohë, në vitin 2020 të tjerë ish-pjesëtarë të UÇK-së, u ftuan për intervistim në Hagë. Ky doket sinjal i qartë se arrestimet e aktakuzat do të vazhdojnë edhe vitet në vijim.
Procesi i përmbylljes së punës së Speciales, duket që do të jetë i gjatë.
Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së është paralajmëruar që do të zgjasë me vite.
Përderisa partitë politike janë të bindura që ish-ushtarët e UÇK-së do ta dëshmojnë pastërtinë e luftës, institucionet e Kosovës kanë ngecur në ndjekjen dhe gjykimin e kriminelëve serbë.
Goditja e Speciales nuk ka bërë vetëm lëkundje të imazhit të luftës, por edhe lëkundje të skenës politike, duke i nxjerrë figurat më të rëndësishme të luftës, nga protagonizmi politik.