Arbëri

GLPS: Në rastin e hidrocentraleve, Apeli ka vendosur kundër ambientit

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike, platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me vendimin e Gjykatës së Apelit për Hidrocentralet në Deçan.

Gjatë konferencës për media, Alba Dushi, eksperte ligjore e Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike tha se në rastin e hidrocentraleve në Deçan, Gjykata e Apelit ka vendosur kundër ambientit dhe qytetarëve, duke vlerësuar më lartë interesin e kompanisë private sesa interesin publik.

“Në kolegjin e përbërë nga Gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, Delushe Halimi dhe Gani Avdiu, Gjykata e Apelit e ka hequr masën pezulluese ndaj hidrocentraleve në Deçan, me arsyetimin se (i) aktivistët paditës banorë të Deçanit, nuk kanë dëshmuar se po u shkaktohet dëm i pariparueshëm, edhe pse dëmi nga hidrocentralet është mëse i qartë; (ii) ka konstatuar se me pezullim të lejeve do t’i shkaktohej dëm i pariparueshëm Kelkos Energy Sh.p.k., por nuk ka përcaktuar se cili dëm do të ishte ai, edhe pse me pezullim të vendimeve kësaj kompanie vetëm se do t’i shtyhej fitimi për më vonë nëse në fund do të fitonte lëndën, edhe pse bazuar në fakte të rastit, kjo nuk duket të jetë e mundshme. Investimi që është bërë për ndërtim të hidrocentraleve mund të thuhet se është minimal në krahasim me fitimin multi-milionësh që do të mund ta ketë për dekada me rradhë”, ka thënë ajo.

Sipas saj Gjykata e Apelit (iii) ka konstatuar se dëmi i Kelkos Energy Sh.p.k. do të ndikonte indirekt ndaj banorëve të Deçanit që furnizohen me rrymë, gjë që sipas saj është e pasaktë sepse këta banorë do të furnizoheshin nga KEDS siç ka ndodhur gjithmonë.

“Dhe në fund Gjykata (iv) ka konstatuar se pezullimi i operimit të hidrocentraleve në Deçan është “kundër interesit publik” që është një interpretim mëse i gabueshëm thënë më së buti, kur marrim parasysh degradimin e madh të natyrës, të ekosistemit, parkut kombëtar, mospërfshirjen e qytetarëve në debate publike, dhe mungesën e tërësishme të transparencës në vendime të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve. Me këtë vendim Gjykata e Apelit ka keqinterpretuar të drejtën dhe ka minuar besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka shtuar ajo.

Kurse Arbër Fetahu, kordinator i projektit në Qendrën për Raste Gjyqësore Strategjike ka thënë se edhe pse interesi publik duhet vënë gjithmonë përpara interesit privat të kompanive, Gjykata e Apelit duket se e mbështet këtë të fundit.

“Vendime të tilla e vënë edhe më shumë në pah nevojën urgjente për një veting të gjyqtarëve në Kosovë, ata të cilët po e humbin të ardhmen e këtij vendi, duke u shëndërruar në klientë të kompanive private me qasje keqpërdoruese ndaj ligjit. Për këtë arsye, sot Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike do të paraqesë ankesë diciplinore ndaj kolegjit të Gjykatës së Apelit, për shkak se në bazë të Ligjit për Procedurën Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka shkelur detyrat e saj duke mos i trajtuar siç kërkohet nga ligji palët në procedurë, pra nuk i ka trajtuar Pishtarët dhe GLPS sipas ligjit, duke i përjashtuar ata nga procedura dhe duke ua shkelur të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm”, ka thënë ai.