Eksperti financiar Fehmi Zena u është përgjigjur pyetjeve për raportin e ekspertizës së tij për rastin, ku katër ish-zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me tenderin e autostradës së Gjilanit. Eksperti ka thënë se dëmi që e ka llogaritur është mbi 6 milionë euro, pasi nga gara për tender janë përjashtuar ofertat më të lira me operatorë ekonomikë të përgjegjshëm
Mbi 6.2 milionë euro i është bërë dëm buxhetit të shtetit me shkeljen e rregullave të prokurimit në tenderin për autostradën e Gjilanit, ka thënë të hënën para Gjykatës Themelore në Prishtinë eksperti financiar Fehmi Zena.
Për këtë rast Prokuroria Speciale e akuzon ish-sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, e zyrtarët Isa Berisha, Mirdit Emini e Leonora Limani, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi kishin përzgjedhur operatorë ekonomikë që nuk i kishin ofertat më të lira.
Prokurorja Habibe Salihi e ka pyetur ekspertin Zena se në cilat rrethana mund të ndryshohet raporti i komisionit rivlerësues të prokurimit. E eksperti u përgjigj se komisionet parashihet të jenë autonome në punën e tyre.
“Vlerësimi që bëhet nga një komision a mund të ndryshojë, kush ka të drejtë ta ndryshojë dhe në cilat raste”, ka theksuar Salihi.
Eksperti financiar, Fehmi Zena, ka thënë se nëse ka ankesë në OSHP, atëherë OSHP-ja mund të merr vendim që një lëndë të kthehet në rivlerësim.
Prokurorja Salihi ka pyetur nëse ka të drejtë dikush të ndërhyjë para se lënda të shkojë në OSHP.
“Jo, absolutisht...nuk ka të drejtë ndokush të ndërhyjë në vendimmarrjen e komisionit”, është përgjigjur Zena.
Pyetje i ka shtruar Zenës edhe avokati i kompanisë “Sallahu”, Flamur Bllacaku, si përfaqësues i palës së dëmtuar, ku eksperti u përgjigj se ky operator u përjashtua nga gara për tender pa u përfillur kriteret.
“Në bazë të asaj që e kemi vërejtur ka qenë e bazuar ankesa e tij për shkak se ky operator ekonomik ka ofruar dëshmi të mjaftueshme se i ka plotësuar kërkesat për dosje të tenderit, përkatësisht për të gjitha lotet e tenderit…Edhe në ekspertizë e kam qitur që është dëmtuar”, ka deklaruar Zena.
Avokati i të akuzuarit Betim Reçica, Driton Muharremi, e ka pyetur se si i ka llogaritur operatorët kur disa prej tyre janë shpallur të papërgjegjshëm.
“Disa operatorë nga autoriteti kontraktues që kanë dalë janë jo të përgjegjshëm, realisht kur e kam bërë unë ekspertizën kanë dalë të përgjegjshëm, por ka edhe operatorë ekonomikë të cilët kanë dalë të përgjegjshëm, por renditja nuk ka qenë e duhura”, është përgjigjur Zena.
Reçica akuzohet se si ish-ushtrues i detyrës së drejtorit të Prokurimit ka ushtruar presion mbi anëtarët e komisionit vlerësues për ta bërë një raport brenda 10 ditësh në favor të kompanisë “Gjoka Konstruktion”, e më pas i kishte ndryshuar raportet e komisionit vlerësues duke e shpallur atë kompani fituese. Mbi të rëndojnë edhe akuzat për shpëlarje parash, pasi dyshohet se me para me prejardhje kriminale, me qëllim të fshehjes së tyre, e ka blerë një veturë sportive “Audi” duke e lënë në emër të të vëllait. Mbi Berishën, Eminin e Limanin rëndojnë akuzat e keqpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi dyshohen se nuk zgjodhën operatorët më të lirë.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar për 13 prill.