ORCA ka bërë publikimin e “Raportit të Monitorimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë 2”. Me këtë rast, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditimit Naim Gashi, ka thënë se Kosova është vendi i dytë në Evropë që ka filluar me procesin e akreditimit në distancë.
Gashi ka thënë se deri në qershor të këtij viti do të plotësohen 90% e standardeve për kthim në ENQA.
“Zyra e Agjencisë është e hapur jo vetëm për organizatat e shoqërisë civile por për çdo qytetar. I kemi kryer në afat rekord dhe jemi shteti i dytë që kemi filluar procesin e akreditimit në distancë, po ashtu jemi institucion me performancën më të mirë në Republikën e Kosovës. Ideja e kthimit në ENQA nuk bëhet për qëllim të tyre por ideja është që të kemi cilësi në arsimin e lartë në vend dhe deri në qershor të këtij viti ne do ti plotësojmë 90% të standardeve që kërkon ENQA”, ka thënë ai.
Liridona Ademaj, nga ORCA tha se nga të gjeturat në raport në vitin 2020 janë riakredituar 3 universitete publike si dhe iu është refuzuar riakreditimi 4 kolegjeve.
“Raporti që po e publikojmë është rezultat i mijitorimit si dhe bashkëpunimit me AKA. Gjatë vitit 2020 tri universitete publike janë riakredituar ndërsa janë refuzuar për riakreditim 4 kolegje. 8 prej kolegjeve kanë dështuar të marrin akreditim ndërinstitucional. E gjetur tjetër në raport ka qenë edhe denoncimi ndaj drejtorit të kolegjit ISPE nga drejtori i AKA-së Naim Gashi për shkak të presioneve për ti akredituar dy nga programet e këtij kolegji”, tha Ademaj.
Dukagjin Zeka, profesor në fakultetin e Bujqësisë dhe anëtar i Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, tha se pavarësisht ndërhyrjeve që kanë pasur asnjëherë nuk e kanë shkelur procedurën e ligjit për kthim në ENQA dhe EQAR.
“Për çdo vjet ne kemi vakume ligjore që duhet të plotësohen. Ne kemi pasur sfida të shumta ku kemi pasur ushtrues detyre dhe ndërhyrje politike dhe ne nuk kemi lejuar me shkel procedurën e ligjit që janë parakusht për kthimin në ENQA dhe EQAR”, ka thënë ai./EO