Me veturë zyrtare e nën shoqërimin e mbrojtjes së afërt, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, është duke i zhvilluar aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore.
Resurset shtetërore Osmani është duke i përdorur gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme, me synimin që të vazhdojë të jetë në krye të shtetit.
KOHA ka pyetur në Presidencë se kujt do t’i faturohen shpenzimet e Osmanit gjatë fushatës, por përgjigja nga zyra e saj ka munguar.
Osmani në aktivitetet e saj në komunat e Kosovës është vazhdimisht e shoqëruar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Sikurse Osmani, edhe Kurti gjatë gjithë kohës është i shoqëruar me veturë zyrtare e nga mbrojtja e afërt.
Lidhur me këtë çështje, KOHA ka pyetur në partinë e Kurtit. Zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu, ka thënë që pyetjet duhet t’i drejtohen Policisë së Kosovës, pasi Kurti është i shoqëruar nga mbrojtja e afërt me rekomandim të Departamentit Operacional të PK-së.
Ne Policinë e Kosovës nuk janë përgjigjur këtë të premte.
Për dallim nga Kurti e Osmani, me veturë zyrtare e përcjellje të Policisë së Kosovës, në fushatë nuk është parë kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Derisa në një përgjigje me shkrim nga Zyra e Kryeministrit kanë pohuar të njëjtën gjë.
“Kryeministri Hoti në fushatë nuk përcillet nga mbrojtja e afërt dhe nuk përdor vetura zyrtare. Nëse i përcillni aktivitetet e tij mund ta shihni edhe vetë”, ka thënë Antigona Baxhaku, drejtoreshë e Zyrës për Komunikim në Qeveri.
Arsye pse edhe Ramush Haradinaj është i shoqëruar nga mbrojtja e afërt nuk kanë dhënë as nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Për pyetjen tuaj, ju duhet të kërkoni përgjigje tek organet kompetente. Ministria e Punëve të Brendshme mund të japë sqarime se pse liderët nacionalë kanë përcjellje të afërt”, është shprehur Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK-së.
Me përcjellje në fushatë është parë edhe kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj.
Por, sigurimi i një vozitësi, asistenti e truproje për ish-zyrtarët e lartë, është i rregulluar me ligj. Sipas Ligjit, një gjë e tillë mund të bëhet për një vit pas përfundimit të mandatit.
Me gjithë rregullimet ligjore, Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol konsideron se liderët shtetërorë e ish-zyrtarët e lartë duhet të kenë kujdes në përdorimin e resurseve shtetërore
“Mos të harrojmë që shpenzimet nuk janë vetëm gjithmonë vetëm të veturave, shfrytëzimi i resurseve shtetërore gjithashtu nënkupton kur një zyrtar me telefon të zyrës bën thirrje për një fushatë specifike, apo për një qëllim specifik që nuk lidhet direkt me kontributin shtetëror”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas tij, krahas të tjerave, kandidatët që synojnë postet kryesore duhet të kenë parasysh edhe situatën me pandeminë, e krahas kujdesit për shëndetin e qytetarëve, duke organizuar tubime në mënyrë virtuale, do të mund edhe të kursenin.
Fushata zgjedhore, e cila ka nisur zyrtarisht dy ditë më parë, do të zgjasë 10 ditë.