Te burimi i lumit Istog, të mërkurën më vënien simbolike të gurthemelit, kanë filluar punimet për ndërtimin ujësjellësit për zonën lindore të komunës së Istogut.
Nga ky projekt do të përfitojnë 12 fshatra të kësaj zone, që në Istog e quajnë Mbivada, raporton Koha Ditore.
Në ceremoninë e organizuar për fillimin e këtyre punimeve, kreu i komunës së Istogut, Haki Rugova, para qytetarëve të shumtë të mbledhur në këtë ngjarje të pritur me vite nga banorët e atyre fshatrave, ka thënë se ky është projekt jashtëzakonisht i mirë, i cili sipas tij me një menaxhimin të mirë do të ketë një furnizim me ujë të pijes për krejt territorin e komunës së Istogut, me gjithë fshatrat.
“Nga ky projekt komuna e Istogut do të sigurojë 24 orë ujë të pijshëm për qytetarët e saj me çdo cep. Do vazhdojmë të bashkëpunojmë me qeverinë austriake për projektet tjera me rëndësi të cilat do i marrim në formë kreditimi, që jemi të orientuar më shumë tek kanalizimet që të zgjidhet çështja e kanalizimeve”, tha ndër të tjera Rugova.
Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe Andreas Vieler, përfaqësues kryesor i kompanive austriake zbatuese të këtij projekti “OSTAP GMBH” dhe “Tirohler Rohre GMBH”, i cili e ka vlerësuar këtë projekt si shumë të rëndësishëm për zonën dhe ka falënderuar drejtuesit e komunës së Istogut e veçanërisht numrin e madh të qytetarëve që ishin sot të pranishëm në shënimin e fillimit të projektit. Ky projekt në vlerë prej pesë milionë euro, ka nisur në letër para pesë vitesh dhe në kërkim të mjeteve për realizmin e këtij projekti, komuna ka siguruar financimin e tij me një kredi të butë pa interes nga marrëveshja e arritur për kredi ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë për lejimin e kredive të buta për institucionet e Kosovës në kuadër të programit “soft loan”.
Nga kjo marrëveshje kjo komunë ka përfituar mbi 5 milionë euro për këtë projekt që parasheh ndërtimin e sistemit të ujësjellësit dhe rinovimin e një rrjeti të vjetër ekzistues në një pjesë të asaj ane të Istogut. Komuna e Istogut kishte përfunduar të gjitha obligimet ligjore në gusht të vitit 2017 për të hyrë në këtë kredi për të cilën Komuna e Istogut nuk ka obligime financiare ndaj kredisë, pasi Ministria e Financave i merr të gjitha përsipër. Projekti është tenderuar nga austriakët dhe për kryerjen e punimeve është kontraktuar një operator vendor. Kurse kompania austriake ÖSTAP, që e ka hartuar këtë projekt, është edhe mbikëqyrëse e realizimit të projektit për ndërtimin e ujësjellësit, i cili pasi të ndërtohet kalon në menaxhim të kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrodrini”. Sipas Genc Ademaj, zyrtar në Drejtorinë e Financave, i cili ka qenë i përfshirë drejtpërdrejtë nga fillimi në këtë projekt, nëse punimet shkojnë sipas planit dinamik, tash një vit pritet të kryhet projekti.
“Nga momentin kur nisin punimet, për një vit duhet të përmbyllet projekti se aq është paraparë dinamika e punimeve me projekt”, tregon Ademaj kohëgjatësinë e punimeve ndërtuese të ujësjellësit.
Nga ky projekt përfitojnë fshatrat në pjesën më të thatë të kësaj komunë, ku ndodhen 12 fshatrat përfituese të këtij projekti: Shushicë, Rakosh, Zhakovë, Uçë, Bollopojë, Veriq, Mojstir, Syne, Cerkolez, Syriganë, Kerrninë dhe Padalishtë. Në këto fshatra jetojnë rreth 1 mijë e 645 familje me mbi 10 mijë anëtarë, prej të cilave 1 mijë e 99 familje me mbi 7 mijë anëtarë, nuk kanë fare qasje në sistem të ujësjellësit dhe kanë konsumuar gjithmonë deri tash vetëm ujë të puseve. Kurse 546 familjet tjera të katër fshatrave të asaj pjese lindore të Istogut, kanë qasje në një sistem të vjetër të ujësjellësit, që ishte ndërtuar menjëherë pasluftës, e i cili do të rinovohet me këtë projekt, pasi banorët asnjëherë nuk ishte rehatuar me atë ujësjellës. Me këtë projekt pesë milionësh parashihet të shtrihen gjithsejtë 65 kilometra gypa, prej të cilëve 37 kilometra gypa kryesor dhe rreth 28 kilometra gypa shpërndarës. Gjithashtu do të ndërtohen tre rezervarë të rinj me 600, 300 dhe 150 metra kub ujë, si dhe do të ndërtohen edhe tre stacione pompimi, të cilat do të shpenzojnë mjaftë rrymë për pompimin e ujit në këto fshatra. Shpenzimet e rrymës për pompa të ujit, sipas drejtorit të “Hidrodrini”, Agron Tigani, i heq “Hidrodrini”, e qytetarët do ta paguajnë vetëm faturën mujore për ujë.