Çantat që do të duhej të ishin mbi supet e nxënësve e në ambiente shkollore, në një mesditë të zakonshme të javës, ndodhen herë në një qoshe të rrugës së kryeqytetit e herë në tjetrën.
Me ato, që mendohet se brenda kanë libra, fletore e gjësende të tjera mësimore, këta fëmijë bartin copa ushqimi e ndonjëri edhe vegla të punës.
Ndonëse të moshës nëntë e dhjetë vjeçare, shumë prej tyre bien në sy tek qëndrojnë kryesisht pranë semaforëve, madje edhe kur moti është i ftoftë e me shi. Lëvizin nga njëri krah i rrugës te tjetri, deri në ndezjen e dritës jeshile, në përpjekje për t’i pastruar xhamat e automjeteve në këmbim të disa monedhave. E të tjerë moshatarë të tyre e shtrijnë dorën në kërkim të lëmoshës në zonat me frekuentim të madh të qytetarëve.
Të gjithë këta fëmijë, në disa raste të shoqëruar nga ndonjëri prej prindërve, përpiqen të mbledhin mjete për të siguruar jetesën e tyre dhe të familjes.
E termi “Fëmijë apo të rritur në situatë rruge” është ai me të cilin identifikohen nga shoqëria e institucionet.
Ndonëse mungojnë statistika të qëndrueshme, të tillë në Kosovë, sipas të dhënave nga disa institucione, konsiderohet të jenë afër 200. Bazuar në një raport të UNICEF-it në Kosovë, aktualisht vetëm 1 në 4 fëmijë që janë në situatë rruge e vijojnë mësimin, ndërsa 2 nga 5 fëmijë nuk kanë vijuar mësimin asnjëherë.
Nëntëvjeçarja Blerta (nuk është emri i vërtetë, identiteti i saj është i njohur për redaksinë) vijon mësimet në klasën e dytë e njëkohësisht merr edhe disa shërbime që ofrohen në Qendrën Ditore në Prishtinë. Teksa shprehet se në të ardhmen dëshiron të bëhet mjeke, nën kushte të plota anonimiteti, ajo tregon se vëllezërit e saj pak më të mëdhenj në moshë kryejnë punë fizike. Për njërin thotë se nuk shkon fare në shkollë.
“Çdo ditë vij, kaloj mirë. Bëj aktivitete, bëj detyrat... Jo veç njani. Njani është në punë. Punon në servis. Njani i ka 15, tjetri 12”, thotë ajo.
Në Qendrën Ditore që ndodhet në kryeqytet, përveç fëmijëve, marrin shërbime edhe familjarët e tyre në situatë rruge. V. Xh., nënë e tre fëmijëve tregon për kushtet e vështira ekonomike të familjes.
“Kushtet të rënda, me një social nuk po mund të ia dalim. Se jo shkolla, jo me hëngër e me pi, kështu... Jo burri nuk punon, veç nëpër kanta kështu del me mbledh naj sen, me shit, me na i pru neve idare te shpija. Vështirë boll, fëmija po i lypin krejt, s’po kemi mundësi. Një social nuk po del me pagu rrymën, a me ble për shpi a për shkollë, kështu”, thotë ajo.
Edhe R.D. nga Fushë Kosova thotë se që shtatë muaj iu ndalua sociali që ishte për të burim i vetëm i të ardhurave. Ajo tregon se djemtë të moshës nga 13 deri në 23 vjeç punojnë në rrugë, me grumbullimin e materialeve ricikluese.
“Social nuk marr, privat punojnë djemtë. Ku të ka punë punojnë, kur nuk ka rrinë. Burri qashtu. Për gjana s’kam çka foli se boll shtrenjtë valla, nuk po ta qet me 100 euro me shku në shitore, për shembull çka po të vijnë dy tre sende, më shumë hiç... Drejtën me kallxu, njani punon 14 euro, tjetri punon 10 euro, nëpër kanta, kanaqe mbledhin, me qata rrnojna, qështu ndihma çka të na bijnë”, thotë R.D.
E një nënë tjetër tregon se ka gjashtë fëmijë, por nga ta vetëm tre e ndjekin mësimin.
“Nuk shkojnë, nuk po shkojnë ata tjerët. Këta të mëdhenjtë nuk po shkojnë... Shtirë është boll, ama me një social po rrnojna, vështirë. Kur ka punë punoj, Kështu nxjerrim kafshatën e gojës. Nuk mujna, pagujna rrymën, ujë jo, kështu, jo barna jo diçka, nuk mujna”, thotë një nënë nga Obiliqi.
Qendra ditore për fëmijë në situatë rruge është hapur në Prishtinë në vitin 2019, e në Prizren në shtator të vitit të kaluar, në kuadër të organizatës për ndihmë ndaj fëmijëve “Terre des Hommes”. Aty ofrohen çdo ditë shërbime si shujta ditore, shërbime të higjienës, psikologjike, mësim plotësues e aktivitete rekreative.
Pajtim Zeqiri, drejtor i organizatës, tregon se në qendrën ditore në kryeqytet gjatë vitit të kaluar morën shërbime afër 200 fëmijë, ndërsa në qendrën në Prizren janë diku 65 raste të fëmijëve në situatë rruge. Ai thotë se shumica prej tyre i përkasin komuniteteve jo shumicë.
“Qëllimi i qendrave fillimisht ka qenë që ne së paku të tentojmë të japim një kontribut në kuptimin e ofrimeve të shërbimeve për këta fëmijë sepse kohën që e kalojnë në qendër i bije që ata nuk janë në rrugë, e kështu i minimizojmë rreziqet e mundshme që mund ata të ballafaqohen çdo ditë kur janë në situatë rruge. Pastaj gradualisht përmes shërbimeve, përmes koordinimit me institucione përkatëse të bëjmë edhe plane konkrete të fuqizimit socio-ekonomik të familjes, në mënyrë që fëmijët të mos kenë nevojë më të dalin në rrugë”, thotë Zeqiri.
Zeqiri thotë se 20-30 fëmijë janë të rregullt në qendrën ditore. Ai tregon për përpjekjet për integrim të fëmijëve në shoqëri e në procesin edukativ-arsimor, largimin e tyre nga rruga dhe vetëdijesimin e familjeve për rreziqet në rrugë.
“Deri tash sidomos këtë vit, kemi diku 20 raste që kemi arritur t’i regjistrojmë në procesin edukativo-arsimor që për ne është një hap i parë në procesin e riintegrimit, jo vetëm në shkollë, mirëpo edhe në fuqizimin e përgjithshëm të familjes, sepse nëse një fëmijë edukohet, shkollohet, pastaj gjasat që ai për të qenë në rrugë në të ardhmen kanë me qenë shumë më të vogla edhe perspektiva e tij ose saj në të ardhmen ka me qenë shumë më të mëdha”, tregon ai.
Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, gjatë vitit 2022 janë identifikuar 488 persona në situatë rruge, prej tyre 286 fëmijë. E gjatë vitit që lamë pas, nga gjithsej 363 persona, 200 ishin fëmijë. Ndërkaq sivjet, deri më tani janë identifikuar rreth 12 fëmijë.
Kapiten Salih Dragidella, i cili është shef i Sektorit për Koordinim të Projekteve në Drejtorinë e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, thotë se përkundër veprimeve të ndërmarra nga Policia për eliminimin dhe reduktimin e kësaj dukurie, ajo vazhdon të jetë e zakonshme dhe e pranishme në terren.
“Zyrtarët policorë, të cilët janë duke rregulluar komunikacionin e kanë paksa të vështirë të merren më fëmijë, sepse pa prezencën e punëtorit social, apo pa prezencën e një përfaqësuesi ligjor policia e ka të ndaluar me intervistu fëmijët, mirëpo edhe përkundër asaj rreziku që u kanoset fëmijëve në komunikacionin rrugor, policia disa herë i ka larguar ata nga rruga, mirëpo prapëseprapë kjo dukuri po vazhdon edhe ata qëndrojnë në udhëkryqe dhe në rrugë të tjera”, thotë Dragidella.
Dragidella flet për rreziqet e mundshme që mund të përballen ata gjatë qëndrimit në rrugë, keqpërdorimin dhe mundësinë për të qenë objekt i ndonjë grupi kriminal. Ai thotë se kërkim lëmosha është një nga qëllimet dhe arsyet kryesore të trafikimit.
“Këta fëmijë apo këta persona këtë dukuri apo këtë veprimtari e kryejnë për qëllime ekonomike. Mirëpo ka dyshime që këta janë të organizuar nga dikush, por është interesant që gjatë bisedës me këta fëmijë, asnjëri prej tyre nuk e pranon se janë të trafikuar për këtë qëllim apo nëse dikush i ka detyruar. I kemi disa raste të cilat përfshihen prindërit e tyre që i kanë detyruar me dalë të kërkojnë lëmoshë dhe policia në disa raste ka ndërmarrë edhe masa ligjore duke bërë kallëzim penal për këtë dukuri ndaj prindërve të tyre”, thotë ai.
Blerim Shabani, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, thotë se gjatë vitit 2023 nuk kanë identifikuar asnjë fëmijë në situatë rruge që është me vendqëndrim në Prishtinë. Sipas tij, një numër i madh i lëmoshëkërkuesve vijnë në kryeqytet nga komunat e tjera përreth e kjo situatë ua vështirëson identifikimin dhe trajtimin e tyre.
“Në momentin që kemi një rast me të cilin duhet të punojmë dhe i cili ka nevojë për shërbime profesionale dhe sociale e hartojmë një plan të individualizuar të veprimit në të cilin parashihen objektivat dhe aktivitete specifike në përputhje me gjetjet e rivlerësimit të caktuar, që d.m.th. këshillim psiko-social, këshillim i prindërve, shkathtësi prindërore, vetëdijesim i prindërve, qasja në shërbime shëndetësore, koordinimi me institucione arsimore, shkolla, në mënyrë që ata të kenë qasje, të vijojnë mësimin dhe t’i mbështesim në mënyrë të vazhdueshme prindërit me këshilla, me informacione të dobishme për rëndësinë e mbështetjes së fëmijës”, shprehet Shabani.
Shabani thotë se një ndër përpjekjet për të ndaluar këtë fenomen ka qenë edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të mos ofruar lëmoshë sepse kjo sjellje do të stimulonte daljen dhe praninë e fëmijëve në rrugë, sheshe e ambiente të tjera.
“Këtë e kemi synuar në vazhdimësi që të ju themi në formë të hapur njerëzve që të mos japin lëmoshë sepse po ndikoni negativisht në përforcimin e sjelljeve të tilla. Sepse në momentin që nxisim fëmijët për të kërkuar lëmoshë përforcojmë një sjellje dhe ajo ka pasoja të shumëfishta sepse ai largohet nga familja, një fëmijë ekspozohet temperaturave të papërshtatshme në rrugë, i ekspozohet rreziqeve për me qenë në komunikacion dhe mund t’i ekspozohen njohjes me persona që mund të jenë të rrezikshëm dhe me motive të këqija për të trafikuar apo keqpërdorur”, thotë ai.
Organizata Botërorë për Fëmijë, UNICEF, ka publikuar një muaj më parë një studim për fëmijët në situatë rruge në Kosovë. Sipas këtij raporti, janë identifikuar dhe intervistuar në total 130 fëmijë të moshës 6 deri në 17 vjeç në 8 regjione të Kosovës.
Dita Dobranja, zyrtare për monitorim dhe vlerësim në këtë organizatë tregon se shumica dërrmuese e tyre gjatë intervistimit kanë deklaruar se varfëria është arsyeja kryesore që i shtynë ata në rrugë.
“Këta fëmijë faktikisht e bëjnë këtë se familjet nuk i kanë të ardhurat, nuk i kanë të hyrat e mjaftueshme për ta për me mbijetu, për t’i paguar. Në një intervistë për shembull kanë treguar se nëse po paguhen komunalitë nuk po mbetet kurrgjë për familjen, as për ushqim edhe nëse punojnë ndonjëri prej prindërve. Kështu që gjetjet kanë qenë që fëmijët në situatë rruge në Kosovë do të thotë ballafaqohen me shumë probleme por arsyeja pse i shtyn ata me dalë në rrugë është varfëria arsyeja kryesore”, thotë Dobranja.
Në UNICEF thonë se hallkat e ndryshme të institucioneve kanë dështuar në menaxhimin e kësaj dukurie.
“Shumica e fëmijëve, mbi 80 për qind e tyre janë në rrugë për më gjatë se 6 muaj, do të thotë. nuk është diçka e përkohshme për ta, është diçka me të cilën po rriten në rrugë, po kalojnë, janë fëmijët e njëjtë të cilët po i shohim. Nuk ka të dhëna të sakta. Nuk ekzistojnë mekanizmat për mbledhjen e të dhënave dhe sa fëmijë janë në rrugë. Institucionet e ndryshme si policia, e qendrat për punë sociale i kanë të dhënat e tyre por as ato nuk janë definitive dhe nuk janë gjithmonë të sakta për arsye se për shembull kur bisedojmë me Policinë e Kosovës tregojnë që ekziston një frikë e fëmijëve, ikin prej Policisë që mos të mund të identifikohen”, thotë ajo.
Në UNICEF vlerësojnë se gjendja e fëmijëve në situatë rruge është shqetësuese dhe alarmante. Dren Rexha, specialist i politikave sociale, thotë se shumë hallka të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve kanë dështuar.
“Të ketë një, siç e thash edhe më herët, një zinxhir të akterëve të cilët bashkërisht e adresojnë këtë fenomen i cili për hir të vërtetës është kompleks, është prezent edhe në shtete të tjera të rajonit, jo vetëm në Kosovë por që përpjekjet aktuale nuk kanë qenë të mjaftueshme, prandaj edhe studimi bën thirrje edhe njëherë bën një apel për të gjitha institucionet që të kalohet prej fjalëve në vepra që të kemi me të vërtetë, është koha e fundit, përpjekje ndërinstitucionale, konkrete të buxhetuar në mënyrë që gradualisht të shohim fenomenin e fëmijëve në situatë rruge në zvogëlim e sipër”, thotë Rexha.
E drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, flet për mungesën e nevojshme njerëzore brenda QPS-së, për t’u ballafaquar me kërkesat e ndryshme të natyrës sociale.
“Është goxha sfiduese për të iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave në mënyrë kualitative po themi sepse ne po bëjmë përpjekje që të gjitha kërkesat të iu përgjigjen në kohë reale dhe kjo na sfidon jashtëzakonisht shumë për arsye se i kemi resurset njerëzore të limituara. Aktualisht në Komunë të Prishtinës janë dhjetë profesionistë që merren me shërbime sociale dhe familjare pa e përfshirë këtu pjesën tjetër të atyre që merren me ndihmë sociale”, thotë Blerim Shabani.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare u bëjnë thirrje Qeverisë të ndërmarrin veprime serioze për t’iu përgjigjur çështjes së fëmijëve në situatë rruge në Kosovë.
Në tryezën e organizuar nga UNIFEF-i zyrtarë shtetërorë dhanë zotimin për ta ndryshuar situatën. Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se kanë ndarë subvencione e bursa për të rinjtë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, për studime bachelor e edhe për ndjekjen e shkollimit të mesëm të lartë. Ndërsa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është ndarë 1.5 milionë euro buxhet për mbështetjen e 35 OJQ-ve që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.