Arbëri

Thirrje për trysni ndaj Serbisë në Ditën ndërkombëtare të të zhdukurve me forcë

Krahas familjarëve të të zhdukurve me forcë gjatë luftës në Kosovë, edhe presidentja Vjosa Osmani kërkoi që faktori ndërkombëtar t’i bëjë presion Serbisë për hapjen e arkivave. Ajo gjatë homazheve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë theksoi se Serbia po i vazhdon krimet duke e fshehur vendndodhjen e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë. “U bëj thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar, të gjithë aleatëve dhe miqve të Kosovës, të gjithë aleatëve të të drejtave të njeriut, që të mendojnë për nënat, për motrat, për vëllezërit, për prindërit, për familjarët, për ata fëmijë të zhdukur që akoma janë nëpër varreza masive në të cilat po fle Serbia edhe 25 vjet pas luftës”, theksoi ajo

Një vend në sofrën e familjes Sinani nga Mitrovica që prej 24 vjetësh është përherë bosh. Aty rëndom ulej Elmi Sinani, i cili ishte 30 vjeç kur u mor me forcë nga forcat paramilitare serbe në pranverën e 1999-s. Që atëherë familjarët nuk dinë gjë për fatin e tij.

E motra Nazmije Sinani të mërkurën e pati destinacion Prishtinën. Në ceremoninë që po mbahej për shënimin e Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me forcë, ajo bashkë me disa familjarë të të zhdukurve të tjerë gjatë luftës në Kosovë ua drejtoi udhëheqësve shtetërorë një pankartë që i mbante të shënuar emrat dhe duke shpërfaqur fotografitë e më të dashurve të zhdukur. Synim thotë se pati që ta merrte një përgjigje, sado të zbehtë, që dikush ka punuar e ka bërë përparim drejt gjetjes së tij e që do t’ia lehtësonte boshllëkun që e ndien prej më se dy dekadash për të vëllain.

Por ngeli e dëshpëruar, ngase fati i vëllait të saj dhe i mbi 1.600 personave të tjerë mbahen ende peng i Serbisë. E tek e kujton ditën e ndarjes së detyrueshme prej tij, e shpreh lodhjen nga pritja për një të vetmin lajm.

“Veç kur na kanë hyrë dhe e kanë marr vëllain. Kanë hyrë në mal dhe e kanë marrë vëllain e disa fëmijë të tjerë. Nëna për vëllain mërzitet gjithë. Ishalla bëjnë (diçka) se jemi lodhur duke pritur”, thotë ajo.

E bashkëqytetari i saj, Tefik Hasani, që gjithashtu mori pjesë në homazhet në Prishtinë për të zhdukurit me forcë, thotë se shpreson që ta marrë ndonjë lajm për xhaxhain e tij. Ai është marrë nga “Lagjja e Boshnjakëve” në Mitrovicë bashkë me 10 persona të tjerë, por është i vetmi i grupit që ende nuk është gjetur.

Për të dhe për të zhdukurit e tjerë ai kërkoi që institucionet të insistojnë te bashkësia ndërkombëtare për t’i bërë trysni Serbisë me qëllim të zbardhjes së fatit të tyre.

“Duhet të bëjnë diçka edhe Qeveria, edhe pozita dhe opozita duhet të veprojnë më shumë me ndërkombëtarët që ta detyrojnë Serbinë të na kthejnë të dashurit tanë pa marrë parasysh kënd, vëllain, fëmijën, çkado që e ka”, thekson Hasani.

Kritika për mosveprim

Bajram Qerkini, kryetari i shoqatës “Zëri i prindërve”, adresoi kritikë ndaj Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe përfaqësuesve shtetërorë për mungesë të veprimeve drejt zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

“Pse duhet Vjosa Osmani të më tregojë politikë, se çfarë flitet në Bashkësi Evropiane?! Unë dua të më tregojë konkretisht atë që e ka për detyrë ta bëjë për personat e pagjetur. Komisioni qeveritar është formuar për të na ndihmuar për zbardhjen e personave të pagjetur, jo për të na mbajtur deklarata. Deklaratat e tyre kanë mbetur në letër”, theksoi Qerkini, me rastin e Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur me forcë.

E Andin Hoti, kryetar i Komisionit, e akuzoi Serbinë për zvarritjen e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me forcë. Ai e akuzoi edhe Bashkimin Evropian (BE) se nuk po e kushtëzon Serbinë që t’i hapë arkivat. Me anë të Deklaratës për Personat e Zhdukur, të miratuar më 2 maj nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut politik, palët janë zotuar të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedimin e tyre, përfshirë ato të shënjuara si “konfidenciale”.

“Asnjë hap deri më sot nuk e ka marrë Serbia, por pse nuk e merr Serbia ne e njohim dhe e dimë që nuk ka qenë e gatshme që të marrë hapa. Por, ne vazhdojmë të kërkojmë dhe tash po flas si familjar, ne na mbetët hatri pak edhe te faktori ndërkombëtar, sepse ata do të duhej të ishin ata që e kushtëzojnë Serbinë që ajo të përgjigjet për fatin e këtyre personave. Unë si komision me dëshirën më të madhe do të doja t'i ndjekja edhe penalisht kriminelët, por nuk është në mandatin tim”, theksoi Hoti.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë persona ndërsa të zhdukur janë rreth 6 mijë, prej të cilëve rreth 1.600 ende nuk janë gjetur.

Si pasojë e refuzimit të Serbisë për bashkëpunim, në territorin e shtetit serb deri më tani janë ndërmarrë gërmime në kërkim të të pagjeturve vetëm në pesë lokacione, me ndihmën dhe insistimin e faktorit ndërkombëtar. Varreza më e madhe masive me trupa të shqiptarëve nga Kosova është gjetur në Batajnicë, afër kryeqytetit të Serbisë, Beograd. Më 2001 aty u gjetën trupat e 744 shqiptarëve. Gërmime po atë vit pati edhe në një varrezë masive në Petrovo Selo, ku u gjetën 61 trupa të shqiptarëve, si dhe në Peruqac, ku buzë një liqeni u gjetën mbetjet mortore të 84 personave. E më 2013, në Rudnicë u gjetën mbetjet mortore të 52 civilëve shqiptarë përderisa më 2020 në Kizhevac të Rashkës u gjetën trupat e viktimave të masakrës së Rezallës.

Gërmime janë bërë edhe në Kosovë. Vetëm gjatë vitit 2023 janë kryer nëntë.

“Të hapen arkivat”

Me rastin e shënimit të Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve me forcë, presidentja Vjosa Osmani theksoi se Serbia po i vazhdon krimet, duke e fshehur vendndodhjen e të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Osmani, e cila bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca dhe me ministra të kabinetit qeveritar bënë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, tha se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Serbisë për hapjen e arkivave.

“U bëj thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar, të gjithë aleatëve dhe miqve të Kosovës, të gjithë aleatëve të të drejtave të njeriut, që të mendojnë për nënat, për motrat, për vëllezërit, për prindërit, për familjarët, për ata fëmijë të zhdukur që akoma janë nëpër varreza masive në të cilat po fle Serbia edhe 25 vjet pas luftës”, theksoi ajo.

Kryekuvendari Konjufca u tha familjarëve të të pagjetur se Kosova duhet të ndërmarrë veprime që ndihmojnë në vetëdijesimin e BE-së drejt detyrimit të Serbinë për t’i zbardhur lokacionet e varrezave masive.

“Ne çka duhet të bëjmë është që t'i marrim të gjitha masat që janë në dorën e institucioneve të Kosovës, ashtu që të sigurohemi se edhe bashkësia evropiane, edhe Unioni Evropian, edhe faktorë të rëndësishëm të vendimmarrjes, të vetëdijesohen se ka nevojë për një trysni më të madhe mbi Aleksandar Vuçiqin dhe institucionet e Serbisë që t'i hapin arkivat e tyre”, tha ai.

E kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, kërkoi që të sillen para drejtësisë dhe të dënohen përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për krimet e kryera në Kosovë.

“Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato. Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tanë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”, shkroi Kurti.

Një përkujtim për rreth 1.600 të zhdukurit me forcë e dedikoi edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinak, tek e shprehu qëndrimin e palëkundur në kërkimin e tyre.

“Sot kur e gjithë bota kujton personat e zhdukur, zemra jonë rrah me familjarët që ende presin me ankth për fatin e të dashurve të tyre. Motrat, vëllezërit e fëmijët tanë të pagjetur mbesin plagë e hapur, dhembje që vazhdon. Qëndrojmë të palëkundur, për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë e munguar”, shkroi Haradinaj.

Caroline Ziadeh, përfaqësuese e posaçme e sekretarit të përgjithshëm (PSSP) dhe shefe e UNMIK-ut, bëri thirrje për vazhdimin e përpjekjeve dhe të përkushtimit drejt zgjidhjes së fatit të viktimave të zhdukur nga lufta në Kosovë. Ajo i nxiti autoritetet që ta trajtojnë çështjen e personave të zhdukur si prioritet për të lehtësuar vuajtjet e familjeve.

“Zgjidhja e fatit të personave të zhdukur mund të kontribuojë në procesin më të gjerë të ndërtimit të besimit, pajtimit dhe ruajtjes së paqes. Mungesa e progresit mund të dëmtojë dialogun e vazhdueshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, theksoi ajo, nëpërmjet një deklarate të lëshuar nga UNMIK-u.

Ziadeh e kujtoi me këtë rast vizitën e fundit dhe gjetjet kryesore të raportuesit special të Kombeve të Bashkuara (OKB) për promovimin e së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive për mospërsëritje, Fabian Salvioli, i cili pati konstatuar se politizimi i kërkimit të personave të zhdukur ka shkaktuar zhgënjim të madh në shoqërinë civile dhe te familjarët.

“Fati i viktimave të zhdukjeve me forcë duhet të zgjidhet në frymën e pajtimit, ndërtimit të besimit dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe jo të politizohet”, tha Ziadeh.

Më 2 maj, Kurti e Vuçiqi e nënshkruan Deklaratën për të Pagjeturit dhe e bënë zotimin ta lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre. Por, arkivat e Ushtrisë dhe të Policisë serbe deri më tani kanë mbetur të paqasshme për autoritetet në Kosovë.

Një deklaratë e ngjashme ishte nënshkruar edhe në korrik të 2018-s, në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër nga kryeministrat e Kroacisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë, si dhe kryetarit të Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinë, së bashku me nëntë udhëheqës të qeverive të vendeve evropiane në Procesin e Berlinit. Deklarata e thekson përkushtimin e vendeve të rajonit dhe të partnerëve për të mbështetur përpjekjet drejt gjetjes të së paku 11.000 personave ende të zhdukur, si pasojë e luftërave në ish-Jugosllavi.