Arbëri

Evidentohen probleme strukturore e përmbajtjesore në Ligjin për Inspektoratin e Arsimit

Ministria e Arsimit

Inspektorati i Arsimit, krahas mungesës së kapaciteteve njerëzore, po përballet edhe me hapësira joadekuate të punës dhe me numër të vogël të veturave për të bërë inspektime, është theksuar në mbledhjen e së martës së Komisionit parlamentar për Arsim.

Në shqyrtimin e rekomandimeve të dhëna në raportin për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit, të përpiluar nga deputetët e Komisionit, janë potencuar njashtu probleme strukturore, përmbajtjesore e kundërthëniet në legjislacion.

Albena Reshitaj, anëtare e Komisionit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka kërkuar që legjislacioni të ndryshohet dhe që të bëhen përmirësime në kapacitete teknike për Inspektoratin arsimor.

“Pra, prej përfaqësuesve përgjegjës të Inspektoratit kemi gjetur, kemi arritur të kuptojmë, që ky ligj ekzistues aktual nuk ka arritur të implementohet optimalisht në sektor, prandaj ka nevojë e ka hapësira të cilat do të duhej të rishikoheshin dhe të bëhet një ndryshim i këtij ligji. Ligji përshkruhet me disa probleme strukturore, organizative dhe përmbajtjesore që në masë të madhe e pengojnë punën e Inspektoratit të Arsimit”, tha Reshitaj.

E, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Arjeta Fejza, ka bërë thirrje për rritje të transparencës dhe të llogaridhënies në Inspektorat.

Në Ministri të Arsimit kanë njoftuar se çështjet e ngritura janë shqyrtuar dhe se tashmë është hartuar një draft që do të ndihmonte në përmirësimin e sistemit arsimor.

“Ministria e Arsimit e ka themeluar grupin punues për rishikimin e Ligjit për Inspektoratin e Arsimit. Grupi punues ka hartuar një draft, ku janë inkorporuar çështjet që ndërlidhen me punën e Inspektoratit, si dhe këto ndryshime janë në funksion të përmirësimit në sistemin arsimor”, thuhet nga MASHTI.

Në Kosovë janë gjithsej 30 inspektorë të Arsimit për mbi 1 mijë institucione parauniversitare dhe për mbi 22 mijë mësimdhënës. Ata nuk janë të profilizuar në njësi administrative dhe pedagogjike, siç parashihet me ligj.

Sivjet Ministria ka hapur konkursin për pranimin e 20 inspektorëve të rinj, të cilët parashihet të profilizohen në njësi të inspektoratit pedagogjik. E për vitin e ardhshëm në këtë Ministri është dhënë zotimi për rekrutimin edhe të 20 inspektorëve të tjerë.

Në mungesë të tyre nuk është jetësuar procesi i vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, që ishte njëri prej elementëve kyç për rritjen e cilësisë në sistemin arsimor.