Arbëri

Ekzekutivi në Pejë propozon ndarjen e një drejtorie në dy, opozita kërkon pakësimin e tyre

Dy subjektet opozitare në Kuvendin Komunal të Pejës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për dallim nga niveli qendror, në Pejë janë treguar unike së paku në kërkesat e tyre për pakësimin e numrit të drejtorive Komunale në Pejë.

Aktualisht në këtë komunë janë 14 drejtori dhe për opozitën janë të tepërta dhe kanë shumë shpenzime.

“Drejtoritë mund të fuzionohen dhe mund të ketë vetëm 11 drejtori dhe me qenë efikase dhe mos me pas shpenzime”, shprehu qëndrimin e subjektit të AAK-së Nazmi Krasniqi, gjatë takimit të Kuvendit Komunal, derisa po diskutohej për shqyrtimin dhe miratimi në parim të Draft – Statutit të Komunës së Pejës dhe dërgimi i tij në diskutim publik për dy javë, raporton KOHA.

Në kuadër të këtij drafti, siç tha kryetarja e komisionit që ka hartuar këtë draft statutin e ri të komunës, Albulena Mujaj-Bajraktari, është edhe propozimi i kreut të komunës, për shuarjen e Drejtorisë për Integrime dhe Diasporë dhe futja e saj si zyre në kuadër të zyrës së kryetarit, si dhe propozimi tjetër për krijimin e dy drejtorive nga Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Drejtoria për Shëndetësi dhe Drejtoria për Mirëqenie Sociale.

Me këtë ndryshim në drejtori, nuk kanë qenë të pajtuar të gjithë anëtarët e komisionit, ndonëse shumica kanë qenë për dhe ka kaluar si draft që të sjellët në kuvend për shqyrtim dhe dërgimin e tij në diskutim publik.

“Ne që kemi qenë në komision, jo të gjithë kemi qenë të pajtimit që të rritet numri i drejtorive komunale. Ne kemi qenë që të pakësohet numri i drejtorive komunale. Janë 14 drejtori. Kemi pas propozimin disa anëtar që disa drejtori të shuhen e disa të bëhen bashkë. Si Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik të kalojë si sektorë në Drejtorinë e Financave. Pastaj Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim të kalojë si sektorë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike. Maksimum ishte dashtë të ishin 11 drejtori e jo 14 sa janë tash. Duhet të shkohet në zvogëlimin e administratës komunale”, u shpreh këshilltari i AAK-së dhe anëtari i këtij komisioni, Nazmi Krasniqi.

Njëjtë si Krasniqi, edhe Bashkim Lajçi i LVV, si anëtar i këtij komisioni ka qenë për pakësimin e numrit të drejtorive komunale.

“Nuk e kam votuar si anëtar i komusuinit për faktin se paraprakisht jemi marr vesh si komision që me i pakësua numrin e drejtoritë. Me bë fuzionimin e drejtorive. Në këtë aspekt ishte dashtë të veprohej, sepse komuna nuk e ka atë luks buxhetor, që të ketë shumë drejtori sa për të sistemua njerëzit partiak”, tha Lajçi.

Mirëpo, ndarjen e kësaj drejtorie në dy drejtori me qëllim të punësimeve partiake, e ka mohuar drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Petrit Loci, sipas tub cilit kjo ndarje nuk ka të bëjë me politikë e as me punësime.

“Por ka karakter profilizmi të ndahen Shëndetësia prej Mirëqenies Sociale, pasi aktualisht Drejtoria e jone ka të bëjë me tri ministri të linjës, atë të Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në këtë të fundit është departamenti i banimit. Me këtë mënyrë krijohet profilizmi dhe ne si shëndetësi kishim pas punë vetëm me shëndetësinë”, tha Loci duke ju thënë këshilltarëve se komuna e Prishtinës, Mitrovicës dhe e Prizrenit tashmë e kanë ndarë këtë drejtori në dy.

E para se të miratohej nga shumica e këshilltarëve draft-statuti i komunës dhe të përcillet në diskutim publik, këshilltarja e AAK-së Drita Krasniqi, konsideroi që do të duhej të krijohej Drejtoria për Drejtat e Njeriut dhe Barazisë Gjinore.