Arbëri

Eksploatimi i lypsarëve

Foto: Koha

Gjakovë, 30.10.2018

Ora 6 e çdo mëngjesi, Elvisin e gjen këtu në qendër të qytetit. Pavarësisht motit e temperaturës, ai është i përkushtuar që të kryejë punë e të fitojë pak para.

Prishtinë, 30.09.2018

Pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, janë ende komunitetet më të rrezikuara dhe më të margjinalizuara në Kosovë.

Problemet e rënda ekzistenciale dhe varfëria ndikojnë që fëmijët, në vend që të dërgohen në shkollë, ata grumbullojnë lëndë sekondare ose kërkojnë lëmoshë për të kontribuuar në përmirësimin e ekzistencës së familjeve të tyre.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se dukuria e kërkim-lëmoshës është rritur në tre vjetët e fundit.

Derisa më 2016 janë identifikuar 465 persona, më 2018 kjo shifër ka arritur në 577.

Shkaku i kushteve të vështira dhe pozitës aspak të favorshme në shoqëri, lypsarët kryesisht janë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, por ka edhe shqiptarë, e këtu bien në sy të moshuarit.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim në të dhënat e 2016-s, vë në pah se 2 përqind e viktimave të trafikimit në gjithë botën janë trafikuar për forma të ndryshme të eksploatimit.

Këtu përfshihen viktima të dhunës seksuale dhe punë të detyruar, eksploatim për kërkim-lëmoshë dhe aktivitete të tjera kriminale.

Sipas raportit të këtij institucioni për 2018-n, trafikimi i njerëzve që të kërkojnë lëmoshë, është rritur shkaku i përfitimit financiar.

Në Evropën Perëndimore dhe Jugore, viktimat e këtij lloj trafikimi janë detyruar që përmes lëmoshës, të fitojnë në ditë 300-500 euro për trafikantët.

Por, nga rastet që i ka intervistuar Policia më 2018 në Kosovë, thonë të mos ketë qenë asnjë rast viktimë e trafikimit.

Hulumtimet e tyre kanë treguar se lypsarët funksionojnë të organizuar si familje dhe këtë e kanë formë të jetesës. Vetë familja është ajo që në shumë raste keqpërdor anëtarët e saj, sidomos fëmijët.

“Paraprakisht zyrtarët policor në bashkëpunim me punëtorë social dalin në terren i identifikojnë lokacionet dhe procedurat dhe kontaktojnë me këta persona dhe u tregojnë se dukuria e kërkimlëmoshës është dukuri që nuk lejohet dhe është dukuri që paraqet kundërvajtje. Pas kësaj PK me shërbimet sociale dhe gjykatat ndërmerr aktivitete për largimin e tyre nga rruga. Persona që takohen ne rrugë duke përfshi fëmijët, së bashku me zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale, sillen në stacion për procedura të mëtejme. Për persona madhor iniciohet procedurë për kundërvajtje ose qoftë raste që lidhen me hetim për vepër penale, kur kemi të bëjmë me fëmijë, policia i referon ata tek punëtorët social”, thotë Salih Dragidela nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë.

Megjithëkëtë, në raportin e Kombeve të Bashkuara për trafikim me qenie njerëzore, tregohet se viktimat, përfshirë fëmijë, janë trafikuar në Ballkanin Perëndimor dhe atë, për t’u shfrytëzuar për kërkim-lëmoshë.

Ky raport nuk përmban të dhëna specifike për Kosovën, shkaku i mosanëtarësimit të vendit në OKB.

“Sipas vlerësimit të institucionit tonë, janë dy arsye: e para këta fëmijë përfundojnë duke kërkuar dhe punuar në rrugë për shkak të gjendjes së rëndë familjare ekonomike por edhe sepse pastaj janë pre e rrjeteve të ndryshme të organizuara kriminale”, thotë Edona Hajrullahu nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më 2018-n, shkalla e papunësisë ka qenë afër 30 përqind.

“Viteve të fundit varfëria në Kosovë është bërë më e dukshme, është e vendosur në qendra të qytetit, është në hapësira publike sesa ka qenë, mendoj se varfëria ka qenë gjithmonë e dukshme. Pse tash kemi më shumë është se kemi në lokacione të ndryshme më shumë dhe kjo e bën më të dukshme varfërinë”, thotë Linda Gusia, Sociologe.

205 fëmijë ka identifikuar Policia që kërkojnë lëmoshë në rrugët e Kosovës. Krahasuar me të rriturit, qasja me këtë kategori është krejt tjetër dhe tejet e ndjeshme e komplekse.

Organizata zvicerane që për fokus ka mbrojtjen e fëmijëve, “Terres des hommes" vetëm për 3 ditë, në qershor të 2018-s, ka identifikuar 153 raste të fëmijëve në situatë rruge në Prishtinë dhe Prizren.

fëmijë për të cilin rruga është bërë pjesë e jetesës së tij, pa mbrojtje ose mbikëqyrje nga të rritur të përgjegjshëm” – është definimi më i zakonshëm i fëmijëve në situatë rruge. Si i tillë, është përdorur për herë të parë nga Inter, një OJQ zvicerane.

“Ne vendosim orare kur ekipi mobil del në terren, në orët e vona të natës në mbështetje edhe të PK . Në momentin e identifikimit bëhet referimi në institucione përkatëse. Shkojmë e bëjmë vlerësimin e nevojave që ka familja dhe fëmijët që janë identifiku. Në bazë të kësaj draftohet një plan me hapa konkret. Disa kanë nevojë për gjëra emergjente si ushqim, rroba dhe fjetje. Në këtë plan caktohen hapat dhe bëhet përcjellja e vazhdueshme e fëmijës dhe familjes. I ofrohet fëmijës edhe këshillim psikologjik por edhe provojmë fëmijët që kanë braktis mësimin, t’i kthejmë ata në shkollë në bashkëpunim me komunat dhe fëmijët. Mirëqenia e fëmijës është më rëndësishme por ne fuqizojmë edhe familjen. Kemi programe për aftësim profesional të familjes dhe kemi plan të japim edhe grante të vogla në mënyrë që të fillojnë një biznes të vogël për të gjeneru të ardhura. Sepse një prej arsyeve kryesore është mungesa e të ardhurave dhe arsyetimi është se detyrohemi që t’i dërgojmë fëmijët në rrugë. Ka raste kur ka janë të keqtrajtuar por edhe mund të jenë viktima të trafikimit”, ka thënë Betim Zllanoga nga “Terre des hojmes”.

“Fëmijët të cilët i takojmë në rrugë janë të shoqëruar nga prindërit ose persona tjerë, ka pak fëmijë që nuk janë të shoqëruar. Mendoj që një pjesë e konsiderueshme e tyre e kanë problem situatën ekonomike, kjo i shtyn të kërkojnë, mirëpo ka edhe një pjesë që e kanë shprehi kërkimlëmoshën”, thotë Salih Dragidela nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë.

“Mendoj që asnjë familje e ka zgjedhje për me jetu në këtë formë, familjet në Kosovë janë të detyruar sepse nuk ka përkrahje, shteti social është tkurr, në të kaluarën ka qenë shteti social me gjithë problemet, mos me pas njerëz të pastrehë, sot nuk kemi mekanizma të tillë me jetu më mirë. Nuk mendoj që me qenë lypës është zgjedhje apo mënyrë e jetesës por janë të detyruar”, shprehet Linda Gusia, Sociologe.

Prishtinë, 27.02.2019

Për 1 orë e 45 minuta, ky person ka qëndruar me fëmijën e tij në karrocë dhe ai nuk ka lëvizur në asnjë moment gjatë vëzhgimit të ekipit të televizionit.

Gjatë kësaj kohe, KTV-ja ka telefonuar dhe e ka njoftuar Policinë, por ata nuk janë paraqitur fare aty.

Më 2018, Policia ka iniciuar 51 raste kundër prindërve për vepër penale: keqtrajtim apo braktisje e fëmijës.

Por, në Kosovë askush nuk ka bërë studime të mirëfillta dhe sistematike për të parë shkaqet, faktorët dhe mënyrën se si është zhvilluar problematika e kërkim-lëmoshës ndër vite.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një raport sipas detyrës zyrtare për këtë, por megjithëse ka planifikuar ta publikojë para 2 muajsh, mungesa e përgjigjeve dhe e të dhënave nga institucionet e tjera, e ka zvarritur atë.

Prizren, 30.10.2018

Të dhënat e Policisë tregojnë se numër i madh i kësaj kategorie vijnë nga Shqipëria. 171 janë identifikuar më 2018, por megjithatë, ky numër ka rënë krahasuar me vitet e kaluara.

“Kemi vlerësuar se kjo nuk është problem vetëm për qytetarët e Kosovës, kemi vënë re se një numër i caktuar kalojnë kufirin dhe janë shtetas të Shqipërisë, kur kemi parë që kjo ekziston. Ne kemi nënshkruar marrëveshje me komisionerin për mbrojtje nga diskriminimi në Republikën e Shqipërisë dhe kjo do të jetë temë që do ta trajtojmë bashkë”, thotë Edona Hajrullahu nga Institucioni i Avokatit të Popullit.

Më të prekura vazhdojnë të jenë komunat e rrafshit të Dukagjinit, shkaku i afërsisë gjeografike me Shqipërinë.

“Këta i trajtojnë rast për rasti lypsarët në komunën e Prizrenit, ka shumë raste të fëmijëve, pothuajse për të gjithë ata fëmijë QPS ka pothuajse për të gjithë dosje të saktë, kush është, nga vjen, cilës shtresë familjare i takon dhe çka e shtyn që të dal për lëmoshë në qytet. Fenomen i jashtëzakonshëm, meqë jemi komunë kufitare, kemi presion nga lypësarët nga Shqipëria, është fenomen i theksuar këtu. Grupi raporton se mbi 90 për qind , nëna me fëmijë, janë nga Shqipëria. Grupi zhvillon takime të rregullta edhe me Policinë kufitare edhe me përgjegjësitë e shtetit shqiptar. Problemi është me shtetasit e Shqipërisë sepse nuk kemi formë si t’i qasemi. Është shqetësim i madh që do të duhej të ngrihet në nivel vendi, lypsarët nga vendi në një vend tjetër. Ata kthehen pastaj në rrugë ilegale”, deklaron Fejzë Kabashi, Drejtor i Mirëqenies Sociale, Prizren.

“Nuk ka të bëjë vetëm me identifikim, referim dhe nuk merremi më. Të gjitha rastet që ne i kemi identifikuar vazhdojmë t’i mbështesim dhe të oforjmë shërbime për këto familje. Ky problem nuk është i zgjidhshëm për 1 apo 2 vjet duhet të ketë trajtim afatgjatë në mënyrë që të bëhet integrimi i tyre në jëtën normale. Vlen të përmendet fakti i punës që e bëjmë me prindë. Ne jemi në komunikim me ta dhe punojmë ngushtë me ta. Në Prizren kemi bashkëpunim me Qendrën për Aftësim Profesional. Ata kanë pranu që 25 prindër të shkojnë aty dhe duke lehtësuar kriteret sepse janë më të larta, sepse prindërit kanë arsimim të ulët pra Qendra ka ul kriteret. Plani ynë afatgjatë është që të merremi gjatë me këto raste, që së paku fëmijët që ne i kemi identifikuar të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në rrugë, duhet zgjidhje afatgjatë”, deklaron Betim Zllanoga nga Terre des hommes.

Sipas organizatës Humanium në Gjenevë, në botë llogaritet se jetojnë në situatë rruge, rreth 120 milionë fëmijë.

Në studime të Universitetit Jonkoping në Suedi, është arritur në përfundim se fëmijët në situatë rruge, kalojnë në vështirësi të mëdha dhe ballafaqohen me abuzim, dhunë, krim, prostitucion e drogë.

“Me qenë në rrugë, me u rrit në rrugë, i vendos këta fëmijë në rreziqe të paimagjinueshme. Mungesa e shkollimit është një prej problemeve margjinale, fëmijët që janë në rrugë bëhen pre e lehtë e pedofilëve, e ngacmimeve, e dhunës e abuzimeve sepse nuk kanë mbrojtje, mendoj se shkolla është shumë e rëndësishme sepse krijon mundësi që të ndryshohet gjendja në të cilën janë. Mendoj se problemi kryesor për këta fëmijë është dhuna fizike, seksuale, emocionale që këta fëmijë e përjetojnë në rrugë dhe ne do të duhej me qenë më të vetëdijshëm për dhunën që këta fëmijë e përjetojnë. Kjo është anë e errët sepse edhe kur na kërkojnë në semafor nuk e mendojmë sa të cenueshëm janë këta fëmijë dhe sa lehtë mund të abuzohen”, thotë sociologia Linda Gusia.

Pejë, 25.12.2019

Komunat e Dukagjinit megjithëse kanë bërë disa përpjekje për të adresuar çështjen e lypsarëve, sidomos ata që vijnë nga Shqipëria, kanë ardhur në përfundim se kjo është problematikë që duhet trajtuar në nivel qendror.

“Hallka e komunikimit të mirë mes PK dhe Komunës që dukuria të jetë më e monitoruar, ata nuk gjejnë rrugë ilegale por i plotësojnë kushtet që kërkohen për qëndrim, e shfrytëzojnë këtë mangësi në ligj, futen nga PZ, vijnë në Gjakovë dhe vijnë në Pejë e pastaj vazhdojnë në tërë Kosovën. Përmbushja e shujtave ditore që duhet t’i ketë për jetesë dhe dokumentacioni i rregullt. Me shtetasit e Kosovës na bjen hallkë, edhe mirëqenie dhe shkollim. Ata kanë kushte të vështira, komuna e Pejës është duke u munduar të krijoj mundësi të jetesës, të funksionalizojmë trekëndëshin e shkollës, familjes dhe institucioneve, fëmijët e humbin pastaj shkollimin. Ka edhe familje tjera që njëmend kanë nevojë dhe janë raste të rënda, komuna këtyre rasteve po mundohet t’u ofroj jetesë të dinjitetshme”, tha Durim Sheremeti, Shef i kabinetit të Kryetarit të Pejës.

Ferizaj, 31.10.2018

Kërkuesit e lëmoshës në gjitha komunat e Kosovës funksionojnë njësoj. Nënat me fëmijë të vegjël në duar që ulen në rrugët kryesore të qytetit, fëmijë që kërkojnë në kafiteri, e të tjerë në xhami e objekte të frekuentuara.

Prishtinë, 31.01.2019

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim ka evidentuar raste në Evropën Juglindore, ku një person me nevoja të veçanta është eksploatuar dhe detyruar të kërkojë lëmoshë.

Sipas raportit, në ditë ai ka mbledhur nga 300-1000 euro, të cilat pastaj, janë konfiskuar nga trafikantët.

Dëshmitë nga këto raste, tregojnë se përfitimi material për trafikantët është i lartë.

Në Prishtinë, brenda dy muajve, pritet të nisë punë Qendra për qëndrim ditor të fëmijëve në situatë rruge dhe gjithashtu, gjatë vitit, të krijohet një hapësirë strehimi për personat që kërkojnë lëmoshë kur temperaturat janë të ulëta.

“Bashkë me Terres des Hommes jeni në bashkëpunim për ta krijuar një qendër për fëmijët në situatë rruge, që është një qendër jashtëzakonisht e avancuar. Ne do t’i identifikojmë rastet në rrugët e Prishtinës dhe pas t’i identifikojmë do të kemi mundësi që t’i ofrojmë pos hapësirës për qëndrim ditor, t’i ofrojmë edhe shërbime edukative dhe psiko-sociale. Një shujtë gjatë ditës, veshmbathje, përmes kësaj qendre ideja është që përmes fëmijëve të arrijmë tek fëmijët. Bashkë me psikologët është ideja që pastaj të punojmë me familjet. Do të ketë shërbime trajnimi për punësime të anëtarëve të këtyre familjeve. Në rast se ka probleme, procedurat e Policisë të mos zhvillohen në stacion por në këtë qendër, që të ketë ambient më child friendly”, tha Dren Kukaj, Drejtor i Mirëqenies Sociale, Prishtinë.

Por, Komuna e Prishtinës funksionon me 15 punëtorë socialë, derisa ka mbi 207 mijë banorë.

Kjo i bie se 1 punëtor social duhet të punojë për 13 mijë e 800 banorë.

Komuna po planifikon që të mbyllë 3 Qendra për Punë Sociale që ekzistojnë dhe të ndërtojë një të vetme e të rrisë numrin e punëtorëve socialë.

Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut të 2018-s, në Kosovë janë identifikuar 52 raste të fëmijëve që punojnë në kushte të rrezikshme.

Mosha minimale në Kosovë për punë është 15-vjeçare, e raporti tregon se bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, nga këta fëmijë, shumica kanë qenë të detyruar të kërkojnë lëmoshë, ose 38 raste.

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar të flasë për këtë dokumentar, derisa kontribut nuk ka dashur të japë as Zyra për Komunitete në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, rreth 40 milionë njerëz në botë janë viktima të trafikimit, prej tyre 81 përqind janë të bllokuar në punë të detyrueshme.

Prishtinë, 31.01.2019

Në shumicën e rasteve që KTV-ja ka identifikuar gjatë hulumtimit 6-mujor, familjet veçanërisht nënat, shfrytëzojnë fëmijët e tyre sikur kjo grua që është rreth të 20-tave e fëmija i saj jo më shumë se 2 vjet.

Ajo përfundon rutinën vonë natën, e lë hapësirën ku kërkon lëmoshë në sheshin kryesore të Prishtinës dhe tutje, e pret një burrë me të cilin bashkë vazhdojnë në një nga kafeteritë në këtë pjesë.

Në Kosovë ende nuk ka ligj për mbrojtje të fëmijëve, i cili tash e 5 vjet është duke u endur nëpër zyra të Qeverisë e Kuvendit dhe nuk është finalizuar kurrë.

Edhe gjatë, lypsarët do të shihen në rrugë, derisa institucionet qartë dhe detajisht të mos e studiojnë këtë fenomen.

Kështu, të zbathur në temperatura nën zero, ata përgjërohen për ndihmë e kur shohin se kanë mbledhur mjaftueshëm para, çohen sikur të mos ndodhte asgjë, e largohen...

Në fund, pas orës 21, ata dalin një nga një nga rrugë të ndryshme të Prishtinës, sikur ky grumbull fëmijësh, takohen në sheshin qendror dhe vazhdojnë për t’u kthyer përsëri në rrugë – ajo që u është bërë pjesë e pandashme e jetës.