Revista gjermane “Der Spiegel” shkruan se “ministre Diella” nuk ka shanse reale për të zgjidhur problemet e mëdha të korrupsionit në Shqipëri, ndërsa publikisht nuk dihet kush e programon dhe kontrollon punën e saj. Diella është më shumë simbol i aftësisë së Ramës për të krijuar imazh dhe spektakël politik.
Kryeministri shqiptar Edi Rama duket se e ka kthyer politikën në një art performanse: çdo veprim, çdo ide, duket më shumë për t’u bërë viral sesa për të sjellë ndryshime të prekshme, shkruan revista gjermane “Der Spiegel” në një artikull të gjatë mbi qeverinë shqiptare.
Në fund të shtatorit 2025, Rama shkaktoi jehonë ndërkombëtare me emërimin e një ministreje të veçantë: një të bërë nga inteligjenca artificiale dhe e quajtur Diella. Ajo, e para në botë që merr postin e një ministreje, është dizajnuar si një grua e moshës së mesme me veshje tradicionale shqiptare dhe mund të marrë pjesë në seanca parlamentare përmes videomesazheve.
Emërimi i Diellas, e cila mori në dorë ministrinë e Antikorrupsionit, u shoqërua me një mesazh dyfishtë nga Rama: teknologjia do të monitorojë tenderët publikë dhe Diella është një pionier botëror në qeverisje digjitale. Megjithatë, shumica e analistëve e shohin këtë veprim si një “lojë mediatike” - Diella nuk ka shanse reale për të zgjidhur problemet e mëdha të korrupsionit në Shqipëri, ndërsa publikisht nuk dihet kush e programon dhe kontrollon punën e saj.
Për shumë kritikë, Diella është më shumë një simbol i aftësisë së Ramës për të krijuar imazh dhe spektakël politik. Edhe pse Shqipëria ka vetëm 2,4 milionë banorë, kryeministri ka arritur që të tërheqë vëmendje ndërkombëtare si një “influencues politik”. Media globale i ka kushtuar vëmendje, duke e portretuar si lider novator dhe origjinal. Rama përdor shpesh të njëjtën strategji: prezanton idetë më të çuditshme dhe të paparashikueshme, të cilat mund të shpjegohen lehtë dhe krijojnë jehonë.
Më parë, Rama bëri bujë me idenë e krijimit të një “Vatikani mysliman” në Shqipëri për komunitetin bektashi, një projekt që deri tani ka mbetur më shumë një vizion medial sesa realitet. Ndërkohë, si ish-bashkiak, ai e ka transformuar Tiranën me ndërhyrje arkitekturore të guximshme, duke e bërë qytetin të duket si një “Dubai i vogël dhe gazmor” - një shembull i qartë i politikës së tij si teatër publik.
Figura e tij ka shkaktuar gjithashtu imazhe ironike: dy metra i gjatë, ish-artist dhe tash kryeministër, Rama ka shfaqur veten në evente ndërkombëtare pranë Hillary Clinton, Anna Wintour dhe Alex Soros, duke i dhënë Shqipërisë një pamje globale. Madje, në vitin 2024, ai njoftoi se Shqipëria do të ishte vendi i parë që do të ndalonte TikTok, një tjetër akt i tij që u bë “viral”, i ndjekur nga emërimi i Diellas dhe eksperimentet e tjera mediatike.
Por ndërsa mediat e huaja e lavdërojnë, kritikët shqiptarë paralajmërojnë për rreziqet e një politike të bazuar më shumë mbi spektakël sesa rezultate. Shqipëria ka një problem serioz me korrupsionin dhe krimin e organizuar; për këtë qëllim, SPAK, prokuroria e Antikorrupsionit, ka nisur hetime dhe ka vënë në presion politikanë të njohur, duke treguar se reforma reale është e nevojshme dhe më e rëndësishme se një ministri digjitale. Edhe bashkëpunëtorët e Ramës, si kryebashkiaku i Tiranës, janë përballur me hetime të SPAK-ut, duke treguar se politika e spektaklit nuk mjafton për të menaxhuar sfidat reale.
Megjithatë, përfitimet mediatike dhe turistike janë evidente. Në vitin 2023 Shqipëria priti dhjetë milionë turistë, një rritje prej 35 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm, ndërsa deri në fund të vitit 2025 pritet të arrijë dymbëdhjetë milionë vizitorë. Projekti i vizibiliteti global duket të jetë në qendër të strategjisë së Ramës, i cili nuk heziton të ofrojë ishuj për resortet private të investitorëve ndërkombëtarë, si Jared Kushner, pavarësisht kritikave për ndikimin në mjedis.
Rama shfrytëzon historinë dhe diversitetin e Shqipërisë për të krijuar një imazh pozitiv: bashkëjetesa mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve, turistët që aterrojnë në aeroportit “Nëna Terezë”, ndryshimi i imazhit të Shqipërisë në botë kanë ndikuar që shqiptarët, përfshirë ata në diasporë, të ndihen krenarë pasi me vite kanë qenë viktima të diskriminimit dhe racizmit në shtetet perëndimore. Rama përpiqet të tregojë një vend të modernizuar dhe tolerant, duke u ndarë nga stereotipet negative dhe nacionalizmat ekstremë të rajonit.
Megjithatë, kritika mbetet e fortë: përdorimi i një ministreje digjitale, projektet e çuditshme dhe performanca e vazhdueshme mediatike e bëjnë politikën shqiptare një spektakël më shumë sesa një proces të thellë demokratik. Për qytetarët dhe ekspertët, sfida reale mbetet korrupsioni, krimi i organizuar dhe ndërtimi i institucioneve funksionale, të cilat nuk mund të zgjidhen vetëm me veprime virale dhe eksperimente mediatike.
Rama, përfundon “Der Spiegel”, mbetet një figurë e jashtëzakonshme dhe polarizuese: ai kombinon kreativitetin, shoubizin politik dhe vizibilitin ndërkombëtar, duke u përpjekur të vendosë Shqipërinë në hartën globale. Por pyetja mbetet: a mjafton pamja e bukur dhe spektakli për të ndërtuar një shtet funksional? Apo politika si Instagram do të mbetet vetëm një gjë për t’u bërë virale?