Arbëri

Dy muaj u deshën që të hartohet një platformë as 9 faqëshe

Dhjetëra takime zhvilluan për dy muaj, njëmbëdhjetë anëtarët e ekipit shtetëror për dialog, e rezultati i tyre përmblidhet më pak se nëntë faqe të asaj që quhet platformë për fazën finale të dialogut me Serbinë.

Aty janë renditur 18 pika mbi bazën e së cilave synohet të përmbyllet ky proces mes të dyja shteteve, e që qëllimi kryesor i Kosovës është njohja nga Serbia, raporton KTV.

Aty është shënuar se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës, e cila parasheh që sovraniteti dhe integriteti territorial është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm.

Synimet e presidentit Hashim Thaçi për bashkimin e Luginës me Kosovën, nuk janë pjesë e kësaj platforme, por në këtë dokument thuhet se të drejtat e shqiptarëve në Serbi duhet të jenë reciproke me të drejtat e serbëve në Kosovë.

Në këtë dokument, që pritet të diskutohet e votohet në Kuvend, thuhet se për Kosovën, marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme hyn në fuqi, vetëm pasi Serbia ta ketë njohur Kosovën dhe pasi referendumi për marrëveshjen është mbajtur në Kosovë, e marrëveshja është ratifikuar nga kuvendet e të dyja shteteve.

Aty kërkohet edhe themelimi i një tribunali ekuivalent special për hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë në vitet 98-99, e marrëveshja duhet të sigurojë që të ketë afate të arsyeshme kohore për hetime e gjykime të tilla.

Duhet të ketë një mekanizëm nëpërmjet të cilit individët e prekur nga shkeljet e të drejtës humanitare të kryera gjatë luftës mund të kërkojnë kompensim për humbjet materiale dhe jomateriale, të kërkojnë kthimin e të mirave materiale, kursimeve dhe pensioneve që nuk kanë qenë në gjendje t'i përfitojnë që nga lufta.

Republika e Kosovës do të kërkojë që çështja e personave të pagjetur të adresohet si temë me urgjencën dhe përgjegjësinë më të lartë shtetërore nga Serbia.

Kosova do të kërkojë nga Serbia që të ofrojë informata nga arkivat policore, ushtarake dhe nga organet tjera të sigurisë, të kryejë gërmimet në vendet potenciale të varrezave, të shpejtojë zgjidhjen e lëndëve që lidhen me personat e pagjetur; dhe të sjellë menjëherë para drejtësisë kryerësit e këtyre krimeve.

Kosova do të kërkojë drejtësi edhe për viktimat e dhunës seksuale, rehabilitim dhe dëmshpërblim për vuajtjet denigruese dhe çnjerëzore të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Kosova kërkon edhe shfuqizimin e rezolutës 1244 .

Aty thuhet se Kosova nuk është më një shtet i sapodalë nga lufta, e prandaj duhet të rezultojë me shfuqizimin e plotë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së.

Marrëveshja përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e detyrueshme, duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Rezultati përfundimtar në këtë proces është votimi në Këshillin e Sigurimit dhe Asamblenë e Përgjithshme për të siguruar anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Në këtë dokument parashihet të ketë edhe dispozita që mbulojnë pasojat e mospërmbushjes së marrëveshjes.

Marrëveshja duhet të parashohë procedura të qarta për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tilla. Në mungesë të zgjidhjes me marrëveshje ose ndërmjetësim, duhet të ketë dispozita për arbitrazh të detyrueshëm.