Sistemi Prokurorial e Gjyqësor mbylli një vit me fare pak rezultate. Nuk ka asnjë person të profilit të lartë që në vitin 2022 është dënuar për korrupsion. Në vend të rezultateve konkrete, prokurorët, gjyqtarët e politikanët vazhduan luftën për protagonizëm. 2023-ta do të jetë viti kur përcaktohet qartë rruga që do të marrë drejtësia
Viti 2023 përfundimisht pritet të ndajë sistemin e vjetër të drejtësisë me një sistem të ri, i cili nuk dihet ende nëse do të arrijë të bëhet i pavarur nga struktura aktuale e ekzekutivit.
Viti i ri do të dëshmojë edhe nëse premtimet e Vetëvendosjes për drejtësi mund të konkretizohen me rezultate specifike.
Ndryshimet ligjore të parapara e të diskutuara në dy vjetët e fundit duhet të marrin epilog këtë vit. Për një proces siç është vettingu ose verifikimi i prokurorëve e gjyqtarëve duhet konsensusi i të gjitha partive politike. Deri tani një vullnet i tillë nuk është parë.
Ligji për Byronë për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme e Ligji për Prokurorin e Shtetit do të jenë testet e para të Ministrisë së Drejtësisë. Me ligjin e dytë është e lidhur drejtpërdrejt pozita e Kryeprokurorit të Shtetit, e cila përfundimisht duhet të plotësohet në vitin 2023.
Luftë e zbehtë për vettingun
Vetinggu është një nga premtimet kryesore të Qeverisë Kurti 2. Premtim i trashëguar edhe nga Qeveria Kurti 1 e po ashtu edhe nga koha kur kjo parti ishte në opozitë. Dy vjetët e parë kësaj partie nuk i kanë mjaftuar as për të vendosur shtyllat kryesore të vettingut.
Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në ndarjen e drejtësisë.
Më 13 tetor 2022, Qeveria e Kosovës e ka miratuar koncept-dokumentin për vettingun në drejtësi, përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.
Qeveria Kurti erdhi me premtimin kryesor - vetting të plotë në sistemin e drejtësisë. Por, ky premtim përfundimisht u kuptua që nuk do të jetësohej në këtë mandat. Nga vettingu i plotë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kryeministri Kurti folën për vettingun e pjesshëm që do t’u bëhet udhëheqësve të prokurorive e gjykatave, si dhe këshillave të sistemit prokurorial dhe gjyqësor.
Kjo është ndikuar edhe nga Komisioni i Venecias, i cili njëherë ishte kundër plotësisht e në qershorin e vitit 2022 dha dritën e gjelbër që vettingut t’i nënshtroheshin vetëm kryeprokurorët, kryetarët e gjykatave dhe anëtarët e Këshillit Prokurorial e Këshillit Gjyqësor.
Por, edhe për vettingun e pjesshëm do të duhej unitet politik. Kjo pasi duhen bërë ndryshime kushtetuese ku përcaktohet që prokurorëve e gjyqtarëve mund t’u merret mandati në rast që dështojnë në këtë proces.
Për të bërë ndryshimet kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave të Kuvendit, si dhe dy të tretat e 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë. Një gjë e tillë është vështirë të arrihet.
Paradoksalisht edhe partitë opozitare, PDK-ja e LDK-ja, ka vite që deklarohen pro vettingut në sistemin e drejtësisë.
Megjithatë gjasat janë të vogla që këto parti t’ia mundësojnë Ministrisë së Drejtësisë kalimin e amendamenteve të propozuara.
Shef i Grupit Parlamentar në PDK-së është Abelard Tahiri. Ai ishte ministër i Drejtësisë në kohën e Qeverisë Haradinaj. Asokohe në Komisionin për Legjislacion në cilësinë e deputetes ishte tani ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje.
Haxhiu ishte një nga kritikët më të mëdhenj të punës së Tahirit.
Kur Vetëvendosje mori Ekzekutivin, Tahiri e Haxhiu ndërruan rolet. Tahiri është kthyer në kritikun më të madh të Haxhiut. Kritik është edhe për procesin e vettingut. Ai madje pati thënë që ky proces po bëhej nga “njerëz të kriminalizuar të VV-së”, gjë që e përjashton përkrahjen e PDK-së për këtë proces. Qëndrim në linjë me PDK-në ka mundësi që të mbajë edhe AAK-ja, gjë që do ta pamundësonte vettingun përmes ndryshimeve kushtetuese. “Vettingu” në secilin rast tjetër do të bëhet nga trupat brenda institucioneve të drejtësisë.
Beteja e të gjithëve për Kryeprokurorin
Vetëvendosje ngul këmbë që nuk ndërhyn në drejtësi. Por, qartazi është kundër emrit të Blerim Isufajt për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Eksponentët e kësaj partie Isufajn e lidhin me kohën që ish-kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, për 7 vjet udhëhoqi hetuesinë.
Isufaj pati rritje të njëpasnjëshme në karrierë gjatë asaj kohe. Nga prokuror special u bë anëtar i Këshillit Prokurorial. Nga aty u bë kryesues i Këshillit Prokurorial. Pothuajse në fund të mandatit, pak javë para së të hapej konkursi për kryeprokuror special, dha dorëheqje nga pozita që e mbante, për të marrë drejtimin e Prokurorisë Speciale.
Ai mbajti pozitat kryesore në sistem të hetuesisë, përjashtuar këtu vetëm postin e Kryeprokurorit të Shtetit. Emri i tij është votuar më së shumti nga Këshilli Prokurorial, por ka me shumë së tetë muaj që është bllokuar për dekretim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ligjërisht ajo nuk ka afat se kur mund të vendosë për dekretimin ose jo. Por, ndërlidhja që i bëhet kësaj vonese është Ligji për Prokurorinë e Shtetit, që është në filtrin e Gjykatës Kushtetuese.
Ligji i ri për Prokurorinë ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Me këtë ligj do të mund të ndërrohej përbërja aktuale, gjë që do ta bënte të vështirë vazhdimin e garës së Isufajt për pozitën më të rëndësishme në sistem.
Ligji i vjetër e përcaktonte numrin e anëtarëve të Këshillit në 13, 10 prej tyre prokurorë, duke e përfshirë Kryeprokurorin e Shtetit, pastaj një anëtar nga Oda e Avokatëve, një anëtar - profesor universitar i drejtësisë dhe një anëtar - përfaqësues nga shoqëria civile.
Zvogëlimi i numrit të anëtarëve të Këshillit, që parashihet me ligjin e ri, është njëri ndër ndryshimet më thelbësore e që i pati përplasur pozitën e opozitën. Ka përplasur edhe Qeverinë e Kosovës me Këshillin Prokurorial.
Gjykata Kushtetuese tashmë ka kaluar afatin për vendimmarrje.
Me ligjin e ri një pjese të anëtarëve të Këshillit Prokurorial do t’u ndërpritej mandati. Një gjë e tillë do ta shpërbente atë që në diskursin publik njihet sikur “grupi i Lumezit”.
Për këtë grup pati folur edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Unë jam e shqetësuar me përbërjen e këshillave përkatëse, duket që ka një lloj pazari, përkrahëm t’i mua këtu, unë do të të përkrah ty aty. Duhet të shohim se si t’i eliminojmë grupet që janë në kuadër të sistemit të drejtësisë. Janë instaluar disa grupe tepër të fuqishme brenda institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe të cilat janë futur në pazare për pozicionet e ardhshme, qoftë në këshillat përkatës, qoftë për Kryeprokurorin e Shtetit, pasi tash po fliten disa emra se kush do të jetë Kryeprokuror i Shtetit”, pati thënë Haxhiu në kohën kur është bërë ministre.
Me strukturën e re të Këshillit Prokurorial, gjasat që Blerim Isufaj të marrë udhëheqjen e hetuesisë për 7 vjetët e ardhshëm janë të vogla.
Megjithatë, viti 2022 do të mbahet në mend për luftë deklaratash mes Qeverisë së Kosovës e sistemit të drejtësisë se kush po e lufton korrupsionin.
Kryeministri Albin Kurti foli shpesh për mungesën e rezultateve në sistemin e drejtësisë. Pas çdo deklarate Këshilli Prokurorial e ai Gjyqësor e akuzuan për ndërhyrje. Këto dy institucione u revoltuan shumë kur Qeveria Kurti mori vendim për uljen e pagave të tyre.
Shoqata e Prokurorëve e goditi vendimin e Kurtit në gjykatë e në kohë rekorde gjyqtarët pezulluan këtë vendim.
Por edhe pas kësaj kryeministri Kurti tha që nuk do të zmbrapsej.
“Unë po e ritheksoj, pagat në sektorin publik do të rregullohen me paga të reja. Është Ligji mbi paga dhe zyrtarë publikë. Bindja ime e fuqishme çka po ndodh me grevë është se kur njerëzit mësohen me privilegje heqja e tyre u duket padrejtësi”, pati thënë Kurti.
Qeveria Kurti themeloi Gjykatën Komerciale, por hoqi dorë nga krijimi i Gjykatës Administrative dhe asaj të Punës që i kishte premtuar.
“Heronjtë” e rinj
Lufta kundër krimit e korrupsionit në vitin 2022 është zëvendësuar me luftë për protagonizëm në sistemin e drejtësisë.
Për drejtësi u fol shumë nga zyrtarët që e kanë punë hetimin e krimeve dhe ndarjen e drejtësisë, e deri te politikanët që duhet të garantojnë sistem të pavarur.
Por, rezultate në këtë drejtim nuk pati shumë.
Në vitin 2022 asnjë zyrtar i lartë nuk përfundoi i dënuar për korrupsion.
Gjatë muajit shkurt Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ai akuzohet për përfshirje në korrupsion në aferën e njohur si pagesa e 53 milionë eurove shtesë për konsorciumin “Bechtel Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”. Akuza ndaj tij lidhet me faktin se kishte në dorë një opinion ligjor ku i thuhej që të mos e bënte pagesën, por zgjodhi ta fshihte dhe t’ia kalonte këtij konsorciumi 53 milionë euro.
Në hetimin e këtij rasti ishin angazhuar dy prokurorë specialë, paga mujore e të cilëve sillet rreth 3 mijë euro. Por këtyre dy prokurorëve u iku një dokument që gjendej në shkresat e rastit që po hetonin. Një dëshmi e dhënë për hetuesinë tregonte që përveç 53 milionëve, pa procedurë e bazë ligjore ishin paguar edhe 44 milionë euro. Për këtë filluan hetimet vetëm pas raportimit të KOHËS.
Gjykimi në rastin e parë filloi, por me ritëm të ngadaltë. Dështuan shumë seanca, në shumicën e rasteve për arsye jo fort të qëndrueshme. Për rastin e parë gjykimi me shumë mundësi mund të marrë epilog në vitin 2023. Për pjesën e 44 milionë eurove hetimi është duke vazhduar. Afati ligjor për të përfunduar këtë hetim është edhe 24 muaj. Rasti është duke u udhëhequr nga prokurori special Rafet Halimi. Ai është një prokuror që në të kaluarën nuk ka qenë shumë i njohur deri në rastin “Subvencionet” me grantet në bujqësi. Ai konsiderohet si një nga prokurorët me rastet më të mëdha të korrupsionit.
Viti megjithatë u shoqërua me shumë aksione për persona të përfshirë në ndërtime pa leje në zonën e Brezovicës. U arrestuan zyrtarë shtetërorë e biznesmenë me dyshimin se morën leje ndërtimore duke paguar ryshfet. Hetimi i prokurorit Rasim Maloku është një nga më të mëdhenjtë e pasluftës. Edhe Maloku nuk ka qenë i njohur për publikun deri tash.
Përderisa lista e personave që po hetohen vazhdimisht po zgjerohet, ndjekja është përmbyllur me aktakuzë për personat e arrestuar në pjesën e parë të këtij rasti. Në rastin Brezovica 1 u akuzuan 12 persona.
Ky hetim ndonëse konsiderohet një nga me të rëndësishmit, jo domosdo siguron rezultate për punën e hetuesisë. Kjo, pasi që raste voluminoze në të kaluarën u trajtuan nga Prokuroria e Shtetit. Por, përveç spektaklit në publik nuk dhanë rezultate. Një i tillë ishte rasti i njohur si “Stenta” me rreth 60 persona të akuzuar e që kishte filluar të hetohet qysh para një dekade. I ndarë në tri pjesë për t’u gjykuar, në vitin 2020 janë liruar zyrtarët kryesorë të akuzuar për përfshirje në korrupsion.
Në vitin 2022, të tjerë ish-zyrtarë e zyrtarë të lartë të shtetit u liruan nga dyshimet për përfshirje në korrupsion.
Gjykata Themelore ka marrë vendim që t’i lirojë nga aktakuzat katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2: Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj e Dardan Gashi, si dhe Fllanza Hoxhën e Arben Gjukën për privatizimin e katër hidrocentraleve. Vendimi do të ankimohet në Gjykatën e Apelit. Por, aktgjykimi nuk u është dorëzuar palëve edhe 1 muaj pas shpalljes së vendimit. E përderisa gjyqtari i rastit ende nuk ka e kryer punën e vet, këtij rasti i kanë mbetur edhe pesë muaj deri në parashkrim. Për vetëm 5 muaj rasti nuk mund të shpëtojë nga parashkrimi.
Policia e veçanërisht ajo e Krimeve Ekonomike nuk u shqua për asnjë rast të profilit të lartë. U ndërrua drejtori i Policisë, por mungesa e rezultateve vazhdoi.
Aktakuza e as hetime të tjera të profilit të lartë nuk pati. Aktgjykime dënuese për korrupsion edhe më pak. Mungesa e aktakuzave aktive është sinjal i qartë që viti 2023 do të jetë edhe një vit pa dënime të zyrtarëve të lartë.