Arbëri

Dialogu me serbët e Kosovës – një vit mbetet premtim i Kurtit

Premtimin për dialog me serbët e Kosovë nuk e ka realizuar ende kryeministri Albin Kurti, ndonëse ka më shumë se një vit që është zgjedhur në krye të ekzekutivit. Derisa nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dhënë asnjë arsye pse nuk ka nisur deri më tani, njohës të zhvillimeve në vend e konsiderojnë të rëndësishëm vendosjen e një komunikimi mes Qeverisë e serbëve të Kosovës

Kryeministri Albin Kurti para se të vinte në pushtet, ka përmendur vazhdimisht se në kohën që do të jetë në krye të Qeverisë, do të dialogojë me serbët e Kosovës. Një premtim të tillë, Kurti e ka bërë kryesisht gjatë fushatave zgjedhore, para zgjedhjeve të tetorit të 2019-s e atyre të shkurtit, 2021. Por dialogu nuk ka nisur ende, ndonëse në mars të këtij viti, Kurti ka mbushur një vjet si kryeministër, madje për herë të dytë brenda dy vjetësh.

“Në javën e parë unë do të filloj me dialogun me pakicën serbe menjëherë. Nuk e ka bërë asnjë kryeministër deri më sot, unë do ta bëj”, kishte deklaruar kryetari i Vetëvendosjes, tani kryeministri Albin Kurti, më 17 shtator 2019, gjatë pjesëmarrjes në diskutimin “Fol Hapur”. “Pra, me pakicën serbe në Kosovë. Janë qytetarët të Kosovës, do të fillojmë dialogun e institucionalizuar që planifikohet prej lart e zhvillohet prej poshtë dhe nuk është dialog për pajtim. Unë nuk kam nevojë të pajtohem me serbët e Graçanicës, nuk më kanë bërë asgjë”, kishte deklaruar Kurti, duke shtuar se dialogu do të zhvillohej në komunat ku banojnë serbët.

Premtimin për dialog me serbët, Kurti e bëri edhe në janar të 2020-s, gjatë një interviste në RTV Ora.

“Si LVV nuk mund të gjeni një opozitë tjetër. Si Qeveria e VV nuk do të mund të gjeni një qeveri tjetër. Qysh në javën e parë do të fillojmë dialog me serbët e Kosovës”, kishte deklaruar Kurti.

Një arsye pse deri më tani kreu i ekzekutivit nuk ka realizuar premtimin e bërë, nuk e kanë dhënë nga zyra e tij, ndonëse pyetjet u janë përcjellë gati një muaj më parë, më 20 prill.

Miodrag Miliçeviqi, drejtor në organizatën “Aktiv” në Mitrovicë, ka thënë se nuk i di arsyet e mosnisjes së dialogut, nuk i dinë as serbët, ndonëse kanë pritur një gjë të tillë.

“Më duhet të pranoj, qartazi, se jo vetëm unë, por shumica prej nesh prisnim më shumë nga njoftimet që vijnë prej kryeministrit aktual Kurti. Gjatë fushatës zgjedhore ai kishte premtuar që të hapë procesin e dialogut të brendshëm midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, por thënë sinqerisht, deri më tani kemi parë shumë pak nga gjithë kjo. Pra, kemi pritur shumë”, ka thënë ai.

Miliçeviq beson se agjenda e ngjeshur e kryeministrit e prioritetet që ai ia ka vendosur qeverisjes së tij, mund të jenë arsyet që deri më tani nuk është mbajtur premtimi i dhënë.

“Një pjesë e arsyeve mund të jetë agjenda shumë e ngjeshur e kryeministrit aktual, i cili tani ndodhet në Shtetet e Bashkuara. Pjesa tjetër ka të bëjë natyrisht me prioritetet e Qeverisë, e cila është tejet e përqendruar, siç mund ta shohim nga paraqitjet publike, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe në konsolidimin e ministrive përbrenda Parlamentit, e të tjera. Pra, dialogu që ka qenë premtim i fushatës, qartazi nuk është prioritet i qeverisë aktuale”, ka thënë ai. Sipas tij, nëse një dialog midis Qeverisë dhe serbëve nuk nis sa më parë, atëherë do të mbesin duke jetuar në “një lloj gjendjeje shumë të papërshtatshme”.

Megjithëkëtë, sipas tij, dialogu me serbët nuk do të mund të realizohej duke lënë anash përfaqësuesit e tyre në institucionet e Kosovës, e të cilët, sipas Miliçeviqit, nuk kanë komunikim të duhur me kryeministrin Qeverisë.

“Ata janë pjesë e kësaj Qeverie, ata duhet që të jenë në gjendje të komunikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe t’i shprehin qartësisht shqetësimet me të cilat popullata serbe në Kosovë është duke u ballafaquar. Ky është një proces dyshtigjesh. Ne nuk mundemi thjesht që të rrimë ulur në zyrat apo në pozitat tona të rehatshme dhe të themi se dialog nuk ka”, ka thëne ai, duke shtuar se duhet të ketë më shumë pjekuri dhe llogaridhënie nga përfaqësuesit e zgjedhur, të cilët duhet që pikë së pari ta tregojnë aftësinë dhe gatishmërinë për dialog publik.

“Pa këtë nuk do të arrijmë përparim apo të lëvizim ndokund më larg. Përgjegjësia dhe llogaridhënia u bie si barrë në supe përfaqësuesve të Listës Serbe, të cilët duhet që të jenë në gjendje që t’ia komunikojnë shqetësimet drejtpërsëdrejti Qeverisë”, ka thënë ai.

Drejtori i organizatës joqeveritare “Aktiv” ka thënë se për komunikimin me serbët mund të përdoret procesi që është duke u zhvilluar në Bruksel.

“E di se ka shumë frikë, të gjithë e dimë se ka shumë frikë, porse ekziston një platformë fantastike për procesin e dialogut. E kemi dialogun në Bruksel që po vazhdon. Ata duhet që ta shfrytëzojnë këtë platformë me qëllim që t’i forcojnë pozicionet e tyre dhe komunikimin, si dhe t’i shprehin qartë njëri-tjetrit shqetësimet, ashtu që të gjendet një gjuhë e përbashkët për të mos i përsëritur të njëjtat gabime, dëshmitarë të të cilëve kemi qenë rreth 20 vjetëve më parë”, ka deklaruar Miliçeviq, i cili një pjesë të përgjegjësisë për procesin e dialogut ia ka lënë edhe ndërkombëtareve. Sipas tij, që të tria palët, Kosova, Serbia e komuniteti ndërkombëtar duhet të tregohen më të matur sa i përket dialogut të nivelit të lartë, i cili, sipas Miliçeviqit, ndër të tjera do të mundësonte përparim në marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve.

Violeta Haxholli është hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës. Ajo thotë se Qeveria do të duhej të kishte një komunikim dhe bashkëpunim me serbët, në mënyrë që t’i shkëpusë ata nga ndikimi i Serbisë.

“Qeveria e Kosovës duhet ta ketë në fokus pikërisht këtë aspekt, pra që të rrisë komunikimin e përfaqësuesit e komuniteti serbë këtu, me bizneset, të dëgjojë kërkesat e tyre të shohë se çfarë mund të bëjë për t’i adresuar ato dhe kjo gjuhë apo komunikim të mos bëhet vetëm në nivel medial, të konferencave apo videove, siç kemi parë, por të mundohet që të vendoset një komunikim më i mirë dhe më i sinqertë ku dëgjohen kërkesat dhe të shihet se si mund të adresohen ato kërkesa”, ka thënë ajo. Haxholli ka shtuar se përfaqësuesit e institucioneve në vend do të duhej të kishin kujdes me deklarimet e bëra e me gjuhën e përdorur ndaj serbëve.

“Gjuha e përdorur duhet të jetë shumë e matur. Nuk duhet të shkaktohen, të them ashtu, antagonizma të paqena ose një atmosferë armiqësore që mund të dëmtojë frymën multietinike që ekziston në Kosovë dhe është ruajtur deri më tani mjaft mirë, ka një stabilitet dhe një paqe mes komuniteteve që jetojnë”, ka thënë ajo.

Alanisti Imer Mushkolaj ka thënë se dialogu me serbët do ndikonte që ata të kuptonin veprimet e institucioneve të Kosovës, e të cilat nga zyrtarët serbë paraqiten sikur janë duke u bërë kundër tyre. Mushkolaj, mosfillimin e dialogut të cilin e ka premtuar kryeministri Kurti e ka vlerësuar një “një ndër dështimet më të mëdha” të tij.

“Unë besoj që kjo situatë po vjen gjithnjë e me tepër duke u vështirësuar. Ka qenë shumë më lehtë që ky dialog të zhvillohet më herët në kohën kur Kurti e ka marrë pushtetin, sesa të nisë tash, duke marrë parasysh rrethanat, jo vetëm të asaj çfarë po ndodh në Kosovë, por edhe të asaj çfarë po ndodh edhe më gjerë”, ka thënë ai, duke shtuar se do të ishte mirë që dialogu me serbët të nisë sa më parë. “Në këtë mënyrë do të mund të qartësoheshin dhe sqaroheshin plot çështje për të cilat një pjesë e serbëve, qytetarë të Kosovës mund të jenë të manipuluar për ndonjë arsye a tjetër, mund të kenë mendim ndryshe duke qenë të dirigjuar nga Lista Serbe e rrjedhimisht nga Beogradi”.

Serbët në institucionet e Kosovës janë të përfaqësuar nga Lista Serbe. Por, ministri Goran Rakiq e përfaqësuesit në Kuvendin e Kosovës kanë kundërshtuar vazhdimisht veprimet e institucioneve. Kohëve të fundit, ata kanë kundërshtuar aksionet e Policisë kundër krimit e kontrabandës, mosmbajtjen e referendumit, e qasjen e ekzekutivit në bisedimet me Serbinë. Javë më parë, ministri Goran Rakiq ka bërë thirrje për mosbindje civile. Me pretendimin se Prokuroria Speciale ka nisur procedurat ndaj 70 serbëve, përfshirë këtu edhe kryetarë komunash e biznesmen, Rakiq ka bërë thirrje që ata të mos u përgjigjen ftesave eventuale të institucioneve të drejtësisë. “Nëse Prishtina fillon me lëvizje të njëanshme, Zoti na ruajt, duke arrestuar qytetarët tanë, ne do të detyrohemi t’i rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshin mosbindje totale civile për të mbrojtur të drejtat e njeriut, të qytetarëve tanë”, deklaroi ministri Rakiq në një konferencë për media, në javën e fundit të muajit prill.

Vitin e kaluar, ministri për Kthim dhe Komunitete, përveç që është takuar me presidentin Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se atij do t’ia kërkojë “mbrojtjen” e serbëve, aksionin e policisë së Kosovës në veri e krahasoi me atë të gjermanëve nazistë kundër çifutëve, të ashtuquajtur “Nata e Kristaltë”. Ministri nga komuniteti serb mbështeti bllokadën në Jarinjë e Bërnjak në shtator të vitit të kaluar e ishte në krye të protestës në Mitrovicën e Veriut kundër vendimit të Qeverisë për moslejimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.