Në nivel të ekspertëve do të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Zëdhënësi i BE-së ka bërë të ditur se takimi i radhës do të mbahet javën e ardhshme, derisa nuk ka pranuar të tregojë për temat që do të diskutohen. Por ende nuk ka një datë për takim mes kryeministrit Hoti e presidentit të Serbisë, Vuçiq, që për herë të fundit janë takuar në shtator.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë sërish në nivel të ekspertëve.
Më shumë se një muaj nga takimi i fundit, i mbajtur në fund të tetorit, shefat e delegacioneve të dy shteteve pritet të takohen javën që vjen, më 10 dhjetor.
Këtë e ka konfirmuar të premten zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano. Por, me arsyetimin se është ende herët, Stano ka refuzuar të tregojë agjendën e këtij takimi.
“Mund të konfirmoj se ekziston mundësia që të kemi takimin në nivelin e krye-negociatorëve në Bruksel, të mërkurën e ardhshme. Ne gjithmonë e bëjmë të ditur agjendën afër datës së takimit”, tha Peter Stano, zëdhënës i BE-së, raporton KOHA.
Në takimin e 29 tetorit palët kishin diskutuar për pretendimet financiare dhe pronësore.
Megjithatë, në horizont nuk duket një takim i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti e presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që nuk janë takuar që nga muaji shtator.
Ndonëse nuk kanë dhënë shumë detaje, nga Qeveria e Kosovës për mosmbajtjen e takimeve deri më tani kanë fajësuar situatën me pandeminë.
“Besoj që jeni në dijeni se, për shkak të valës së dytë të pandemisë Covid -19, Brukseli është komplet i mbyllur për takime. Tani për tani nuk ka asnjë datë të propozuar për takimet e radhës, sepse gjithçka po diktohet nga situata me pandeminë C-19. Përndryshe grupet punuese janë duke i vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike, sapo të krijohen rrethanat. Nuk ka asnjë pengesë tjetër. Takimi i fundit ka qenë me 29.10.2020”, tha Antigona Baxhaku, Zyra për Komunikim në Qeveri.
Por njohës të zhvillimeve rreth dialogut, nuk e pajtohen me arsyet e Qeverisë.
“Nuk besoj që ka qenë arsye pandemia apo diçka tjetër por specifikisht është këmbëngulja e Serbisë që ky asociacionit të implementohet me kompetenca ekzekutive”, tha Arbër Fetahu, hulumtues në GLSP.
E për dialogun të premten kanë folur edhe ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë e Kosovës.
Meliza Haradinaj dhe Gent Cakaj thanë se ndajnë qëndrimin e njëjtë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllen me njohje reciproke.
Por Haradinaj e Cakaj nuk kanë pranuar të tregojnë nëse janë pro kërkesës së shqiptarëve të Luginës, që çështja e shqiptarëve në Serbi të diskutohet në Bruksel.
“Sa i përket kërkesës se bashkëkombësve tanë për përfshirje në procesin e dialogut ju e dini që kjo kompetencë i takon kryeministrit të vendit dhe kjo duhet të trajtohet në kuadër të kompetencave të kryeministrit dhe këtu rezervohem prej qëndrimeve të mia individuale”, tha Meliza Haradinaj-Stublla, ministre e Punëve të Jashtme, Kosovë.
“I takon Republikës së Shqipërisë ta mbështesë platformën e Republikës së Kosovës në dialog, atë që ndodhet brenda kompetencës sonë dhe mundësive tona për të bërë më të mirën. Për mbrojtjen e qëndrimit të Republikës së Kosovës mund të siguroj se ka ndodhur gjithherë dhe do të vazhdoj të ndodhë”, tha Gent Cakaj, ministër i Punëve të Jashtme, Shqipëri.
Kryeministri Avdullah Hoti që nga marrja e detyrës ka deklaruar se nga dialogu me Serbinë synojnë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse e njohjen reciproke.