Tema të takimeve të delegacionit të Kosovës me të dërguarin e Bashkimit Evropian për procesin ishin çështja e të pagjeturve, ajo e targave për vetura dhe çështja e energjisë. Gjatë së martës është folur edhe për një traktat të paqes mes palës kosovare dhe asaj serbe
Një varg takimesh janë zhvilluar të martën në Bruksel në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë, porse ka munguar edhe ai në mes të përfaqësuesve të dy shteteve.
Bisedimet në nivelin e kryenegociatorëve janë zhvilluar vetëm nëpërmjet takimeve bilaterale, të cilat palët i kanë pasur me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Emisari evropian ka bërë të ditur se bisedimet e së martës kanë qenë “intensive” për një sërë temash konkrete, por hollësi lidhur me to nuk ka dhënë.
Është bërë e ditur se tema të takimeve të delegacionit të Kosovës me të dërguarin e Lajçakut kanë qenë çështja e të pagjeturve, ajo e targave për veturave si dhe çështja e energjisë. Ndërsa është folur edhe për një traktat të paqes midis palëve.
Sipas burimeve përbrenda bllokut evropian, takimet kanë shërbyer për të vazhduar diskutimet e lidhura me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë gjithashtu se takimet e së martës janë shfrytëzuar edhe për të testuar nëse ekziston një gatishmëri e mjaftueshme midis palëve edhe për një takim të nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Të dyja palët kanë thënë publikisht se janë të gatshme për takim të tillë, porse BE-ja ka insistuar që nëse takimi ndodhë, atëherë ai duhet të ketë edhe rezultate konkrete.
Burimet e BE-së kanë theksuar se takimi i nivelit të lartë do të varet nga ai në nivelin e kryenegociatorëve, si dhe nga përafrimi i qëndrimeve rreth disa çështjeve të rëndësishme për të dyja palët.
Ani se gjatë gjithë së martës adresoheshin njoftime se do të ketë edhe një takim trepalësh, ai megjithëkëtë nuk ka ndodhur.
Shefi i delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar për mediat serbe se pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ai nuk e sheh ndonjë mundësi se si të vazhdohet tutje me dialogun në Bruksel.
Ndërkaq, për faktin se nuk ka pasur një takim trepalësh, ai ka akuzuar kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.
“Kemi përfunduar një rund tjetër të bisedimeve. Kemi kaluar mbi dhjetë orë në ndërtesën e BE-së. Pyetjen e parë që e kemi bërë ka qenë formimi i Asociacionit. Kanë kaluar nëntë vjet nga marrëveshja e Brukselit dhe ende jemi në pritje të formimit të tij. Pa Asociacion nuk e di se si mund të ecim tutje e të flasim për çështje të tjera. Jemi të gatshëm të bisedojmë. Por ajo që është me rëndësi, është të zbatohen të gjitha marrëveshjet”, ka thënë Petkoviq. “Kemi diskutuar edhe për energjetikën e ende presim licencat për dy kompani serbe, pasi është e rëndësishme në këtë krizë energjetike. Po ashtu kemi folur për drejtësinë, për sulmet ndaj popullatës serbe. Kemi biseduar me Lajçakun, pasi Bislimi ka refuzuar të flasë me palën serbe”, ka shtuar ai.
Dialogu Kosovë-Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur në vitin 2011. Takimi i fundit në nivel të kryenegociatorëve është zhvilluar më 16 nëntor të vitit 2021.
Ky i së martës është organizuar pas një kohe relativisht të gjatë pa takime, me përjashtim të atyre të ekspertëve për çështjen e targave të veturave. Për këtë çështje ishte arritur një marrëveshje kalimtare në vjeshtën e vitit të kaluar, porse është thënë se në një afat prej gjashtë muajsh duhet të arrihet një marrëveshje afatgjate.
E takimi Kurti-Vuçiq, sipas një deklarate të mëhershme të zëdhënësit të BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, “do të bëhet i ditur në një kohë të përshtatshme”. Porse, sipas njohësve të rrethanave, nuk pritet që të ndodhë para mbajtjes së zgjedhjeve të prillit në Serbi.
Gjatë Konferencës së mëhershme të Sigurisë në Munih, kryeministri i Kosovës kishte zhvilluar një varg takimesh me përfaqësues ndërkombëtarë, me ç’rast temë e diskutimeve ishin dialogu Kosovë-Serbi, të pagjeturit, reformat në drejtësi, luftimi i korrupsionit e sjellja e investimeve të huaja. Kurti me këtë rast ishte takuar edhe me emisarin Lajçak, të cilit kryeministri u njoftuar se e kishte ripërsëritur qëndrimin se dialog me Serbinë do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë intensifikuar javëve të fundit përpjekjet për dialogu. Gjatë vizitave të tyre në Kosovë e Serbi për këtë qëllim, Escobari kishte rishprehur qëndrimin amerikan se dialogu Kosovë-Serbi duhet që të përfundojë me njohje reciproke. Ai për më tepër, në një deklarim para senatorëve amerikanë në Komitetin për Punë të Jashtme ka thënë se të dyja shtetet duhet të punojnë, si palë të barabarta, që nëpërmjet dialogut të heqin dallimet e të gjejnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse.