Arbëri

Di Bella: Vitin e ardhshëm mund të ulen çmimet

Di Bella

Rritja ekonomike është ngadalësuar në vitin 2022 dhe parashikimet për vitin e ardhshëm janë të vështira për shkak të inflacionit dhe situatës sfiduese ekonomike edhe për Kosovën, ka thënë Gabriel Di Bella, udhëheqës i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Di Bella vlerësoi se rritja ekonomike pritet të jetë 2-3 për qind.

“Nuk është befasi për askënd që lufta në Ukrainë ka krijuar një situatë sfiduese për Evropën dhe në këtë kontekst Kosova nuk bën përjashtim. Si pasojë e luftës ka ndodhur një rritje e çmimeve të ushqimit dhe energjisë dhe Kosova është kryesisht importuese e ushqimit dhe energjisë dhe prandaj kjo ka bërë që në Kosovë të ketë inflacion të ketë ndikim më të madh në ekonomitë familjare dhe në biznese dhe rrjedhimisht kemi parë që rritja ekonomike është ngadalësuar në vitin 2022 pas një rritje e jashtëzakonshme që është parë në Kosovë vitin e kaluar”.

Di Bella është treguar i kujdesshëm për të treguar pritjet për vitin e ardhshëm sa i përket aktivitetit ekonomik.

“Për sa i përket perspektivës do të doja t’i jepja disa fjalë të kujdesshme. Kur japim projeksione këto janë hamendësime tona të informuara se çfarë pritet të ndodhë vitin që vjen por në këtë mjedis të tanishëm ku ka aq shumë rreziqe është vështirë të specifikohen shifrat e sakta. Ajo që ne mendojmë është që vitin e ardhshëm do të ulen çmimet e mallrave dhe kur kjo të ndodhë Kosova do të përfitonte nga ulja e inflacionit me një ringjallje të aktivitetit ekonomik. Përveç kësaj presim që kjo do të ndikojë me një implementim më të madh të investimeve gjë që do të jepte një burim për dinamikën e rritjes ekonomike vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.

Di Bella ka thënë se Kosova ka pasur financat më të konsoliduara pas pandemisë, gjë që ka ndihmuar edhe në krijimin e rezervave.

Theksoi se vitin e ardhshëm mund të ketë rritje 3 deri në 4 për qind.

"Performanca e mirë e realizimit të të hyrave kryesisht përmes përpjekjeve të suksesshme për formalizim ka krijuar hapësirë më të madhe për Qeverinë që të krijojë disa rezerva shtesë. Kjo është diçka që e kemi theksuar me ministrin që kur e shohim performancën në kuptim të konsolidimit fiskal pas pandemisë e kemi vërejtur që Kosova ka qenë ajo që ka pasur financat më të konsoliduara nga ekonomitë e matura të kësaj pjese të Evropës dhe kjo ka ndikuar që Kosova t’i përgatisë rezervat e veta për tu përballur me tronditje më të lehtë. E dimë që buxheti është dorëzuar në Kuvend mendojmë që është një buxhet i mirë sepse fillimisht do të ofrojë një mundësi zgjerimi dhe do të mundësojë që qeveria ta zbusë goditjen. Ky ekspansion fiskal do ta lejojë ekonominë që të zgjerohet në 3 deri në 4 për qind vitin e ardhshëm".

Di Bella ka folur edhe për energjinë të cilën e ka quajtur sfidë për autoritetet gjatë dimrit. Tha se duhet të gjenden mënyra për ta kursyer energjinë, dhe sipas tij, kjo mund të vijë nga masat për eficiencë dhe përmes rishikimit të tarifave.

“Ne nuk po themi që e tërë rritja në tregun ndërkombëtar t’i bartet konsumatorit si kosto sepse kjo do të ishte vërtetë e rëndë por ne po themi që çmimi i tarifave të jetë i tillë që të mos i dëmtojë konsumatorët e cenueshëm por të jetë edhe i përballueshëm”.

Ministri i Financave, Punës dhe Transferve, Hekuran Murati, duke folur për rritjen ekonomike, ai pranoi se ka një ngadalësim të normës ekonomike. Por shtoi se për vitin e ardhshëm presin një rritje ekonomike 5.5 për qind.

“Kemi pasur një ngadalësim të rritjes ekonomike këtë vit kjo për shkak të kryesisht faktorëve që vijnë nga jashtë, çmimet më të larta ushqimore por edhe ato të energjisë elektrike dhe derivatet e naftës. Dhe me shpresën që do të kemi një stabilizim në këtë aspekt dhe një rënie graduale të çmimeve, një kthim drejt normalitetit, dhe shto këtu edhe faktin që kemi një politikë fiskale zgjeruese edhe vitin e ardhshëm, konsiderojmë që trendi rritës ekonomik do të vazhdojë. Pra, shpresojmë që do të jetë më i lartë se niveli i këtij viti. Ne kemi projektuar që të jetë 5. 5 për qind. Por, marrë parasysh rreziqet potenciale dhe pasiguritë e mëdha që e rrethojnë ambientin ekonomik global është vështirë të thuhet qysh tani me siguri të lartë”, tha Murati.