Me gjithë mosmarrëveshjet aktuale mes Kosovës e Shqipërisë, të cilat u konfirmuan gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama në Prishtinë, njohës të integrimeve presin që ato të tejkalohen deri në tetor, kur në Tiranë do të mbahet Samiti i radhës në kuadër të Procesit të Berlinit. E, me gjithë entuziazmin e proklamuar me inicimin e kësaj nisme, disa marrëveshje të nënshkruara në samitet e kaluara ende nuk kanë gjetur zbatim
Në kulmin e përplasjeve mes Kosovës e Serbisë po synohet t’i jepet shtytje Procesit të Berlinit, i cili në thelb të idesë ka tejkalimin e problemeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimin e rrugës së tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Mospajtimet u manifestuan edhe gjatë turit të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të jetë nikoqir i samitit të radhës në Tiranë.
Gjatë vizitës në Kosovë atë refuzoi ta priste kryeministri Albin Kurti pas anulimit njëanshëm nga Rama të mbledhjes mes dy qeverive.
Njohës të integrimeve evropiane thonë se pavarësisht mosmarrëveshjeve aktuale mes Kosovës e Shqipërisë, samiti i ardhshëm do të jetë i suksesshëm.
Drejtori ekzekutiv në insititutin “Epik”, Demush Shasha, ka përmendur disa aspekte themelore që ndërlidhen me samitin e radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.
“E para, është lajmi i mirë që samiti për herë të parë mbahet në një vend të rajonit. Në këtë drejtim, deri më tani Shqipëria është duke bërë një përgatitje dhe kryesim të shkëlqyer për t’u siguruar që samiti do të jetë i suksesshëm në muajin tetor”, ka thënë Shasha.
Deri në mbajtjen e tij Shasha beson se do të tejkalohen mosmarrëveshjet mes Kosovës e Shqipërisë.
“Jam i bindur se mosmarrëveshjet momentale mes Kosovës e Shqipërisë nuk do të ndikojnë në suksesin e samitit të ardhshëm pasi që në nivelin teknik Kosova është duke kontribuuar thelbësisht në kuadër të procesit të Berlinit dhe jam po ashtu i bindur se gjatë ditëve dhe javëve në vijim zotëri Kurti dhe zotëri Rama do të gjejnë mënyra për të sqaruar mosmarrëveshjet mes tyre. Këtu duhet nënvizuar po ashtu se Kosova çdoherë ka qenë mbështetësja më e madhe e Procesit të Berlinit dhe nuk kam asnjë dyshim se kështu edhe do të mbetet”, ka potencuar Shasha.
Ndërkaq njohësi tjetër i integrimeve evropiane, Safet Beqiri, vlerëson se deri në mbajtjen e Samitit do të tejkalohen problemet aktuale mes Kurtit e Ramës.
“Pres që kryeministri Kurti dhe institucionet tona të përfshihen sa më shumë që është e mundur në këtë proces për shkak se përfitimet e shtetit të Kosovës do te jenë më të qëndrueshme sesa në proceset e tjera. Ajo që i ka munguar deri tash këtij procesi është transparenca. Prandaj duhet edhe një mbikëqyrje më e madhe nga ana e parlamentit. Meqë shumica e marrëveshjeve vijnë nga ekzekutivi do të duhej të jetë edhe një institucion monitorues, siç janë parlamente respektive”, ka thënë Beqiri.
Sipas tij, Procesi i Berlinit do t’i normalizojë çështjet që ishin mes dy kryeministrave për të cilat nuk vlerëson se janë të qëndrueshme.
“Pozitive në këtë proces është se normalizimi i raporteve dhe intensifikimi i marrëdhënieve është i mundur për shkak se pala që e shtyn atë vjen nga një shtet i fuqishëm brenda Bashkimi Evropian, siç është Gjermania. Pak vite më parë kemi parë se kanë ndryshuar dinamikat sa i përket anëtarësimit të shteteve të reja në BE përmes metodologjisë së re të zgjerimit e që kryesisht është akomodim i kërkesave të shtetit, por edhe Procesi i Berlinit që në fokus të veçantë ka vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka shtuar ai.
Në funksion të përgatitjeve për samitin e radhës, pas Prishtinës e Shkupit, Rama këtë javë ka qëndruar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sa u përket temave të samitit të ardhshëm, Shasha ka thënë se beson që do të jenë tri blloqe të temave.
“E para, progresi në krijimin e tregut të përbashkët rajonal. Pra, liderët do të marrin parasysh përparimin në zbatimin e tri marrëveshjeve të dakorduara, të nënshkruara, respektivisht lëvizja e lirë, njohja e diplomave të nivelit të arsimit të lartë dhe njohja e tri profesioneve të përzgjedhura, respektivisht mjekë, dentistë dhe arkitektë”, ka thënë Shasha. “Po ashtu do ta shqyrtojnë mundësinë e lidhjes së marrëveshjeve të reja që do të avancojnë tregun e përbashkët rajonal. Tema e dytë do të jetë tranzicioni energjetik dhe agjenda e gjelbër. Në këtë kuadër do të diskutohen përpjekjet e vendeve të rajonit në zbatimin e agjendës së gjelbër evropiane dhe asistenca e nevojshme financiare e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor në këtë drejtim”.
Temat e fundit që do të diskutohen, sipas Shashës, janë çështjet e sigurisë dhe të migrimit.
Në samitin e fundit, i cili u mbajt nëntorin e vitit të kaluar në Berlin, udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia patën nënshkruar tri marrëveshje – atë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, marrëveshjen e diplomave universitare dhe atë të kualifikimeve profesionale.
Procesi i Berlinit ishte iniciuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, dhe përfshinë dymbëdhjetë shtete. Gjashtë shtete janë të Ballkanit Perëndimor e të cilat janë në faza të ndryshme të procesit të integrimit në BE – Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Gjashtë të tjerat janë vende anëtarë të Bashkimit Evropian – Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia dhe Sllovenia.
Zgjidhja e kontesteve bilaterale përfaqëson një pjesë të madhe të Procesit të Berlinit, duke u fokusuar në mosmarrëveshjet e mbetura dhe të hapura bilaterale, si dhe disa çështje potenciale që pritet të rrjedhin kryesisht me demarkacionin kufitar.
Përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe morën formë gjatë Samitit të Vjenës, me lëshimin e deklaratës së përbashkët për çështjet bilaterale. Ndërkaq në takimin e Triestes ishte nënshkruar Traktati i Komunitetit të Transportit në lidhje me integrimin e rrjeteve të transportit dhe udhëheqjen e masave reformuese në sektorin e transportit.
Procesi i Berlinit është forumi në të cilin ka insistuar vazhdimisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të avancohet bashkëpunimi rajonal. Ndërkaq “Ballkani i Hapur”, ku Kosova refuzoi t’i bashkohej, ishte konsideruar nga Kurti si nismë paralele.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga Shkupi foli edhe për nismën “Ballkani i Hapur”, duke insistuar se ajo ka dhënë rezultate “fantastike”. Por, në konferencën me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ai refuzoi të përgjigjej nëse tani është një kapitull i mbyllur.
“Për domosdoshmërinë që të gjithë së bashku të futemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit si rezultat, ajo që unë dua të përsëris është që ne duhet të zhytemi me mendje dhe zemër në Procesin e Berlinit për ta kthyer atë në një proces funksional, ashtu siç tregoi ‘Ballkani i Hapur’ se ne mund të jemi funksionalë kur jemi së bashku. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që e ngritën ‘Ballkanin e Hapur’, por nga vetot. Jo nuk vij aty, jo nuk firmos, jo shihemi nesër”, ka thënë Rama.
Por kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, theksoi se “Ballkani i Hapur” është ende gjallë dhe se kjo nismë do të vazhdojë aktivitetet që, sipas tij, kanë për qëllim forcimin e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse, sikur edhe lëvizjen e lirë mes qytetarëve.
Iniciativa që fillimisht u quajt Minishengen nisi më 10 tetor 2019, në Novi-Sad të Serbisë, ku tri shtetet nënshkruese ishin Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.