Arbëri

Çka e ndihmoi USAID-i Kosovën në 20 vjet pas luftës

USAID-i ka investuar rreth një miliard në Kosovë që nga viti 1999 me programe të ndryshme. Drejtori i misionit të USAID-it në Kosovë, James Hope, ka treguar për KTV-në se si është zhvilluar politika e USAID-it ndër vite. Ka treguar ndihmën për mediat, sa i përket sundimit të ligjit, rritjes ekonomike, bizneseve si dhe ka dhënë një porosi për qytetarët e Kosovës.

"Express Intervista" e plotë:

KTV: E përmenda që USAID-i i ka përkrahur mediat, menjëherë pas luftës, si ka lëvizur përkrahja e SHBA-së në Kosovë ndër vite?

Jemi duke punuar këtu ka gati 20 vjet, ka qenë një partneritet i veçantë ndërmjet USAID-it dhe bashkëpunëtorëve tanë në Kosovë. Qeverisë, shoqërisë civile, fermerëve, pronarëve të bizneseve e mediave. Dhe, ka ndryshuar ndër vite, siç ka ndryshuar edhe Kosova. Ka qenë një lloj trajektoreje, do t’i kisha thënë. Kur kemi filluar, ka qenë ndihmë humanitare dhe program post-konflikti. Ka evoluuar në ndërtim institucionesh dhe të kornizës ligjore, përkrahje e krijimit të ministrive, si për shembull, Ministrisë së Financave. Dhe, pastaj ka evoluuar në nivel tjetër, ndërtimi i kapaciteteve njerëzore, kemi bërë trajnime të shumta, për të ngritur kapacitetin e zyrtarëve qeveritarë, të sektorit privat, të shoqërisë civile… deri këtu ku jemi sot, gati 20 vjet më vonë, ku jemi të përqendruar në disa çështje të vështira me të cilat përballet Kosova. Ta zëmë, zhvillimi ekonomik. I ndihmojmë ekonomisë të rritet dhe të krijojë vende të reja pune, dhe sundimi i ligjit. Ndihmojmë Kosovën që të merret me çështjet si korrupsioni dhe transparenca e gjyqësorit.

KTV: Sa i përket sundimit të ligjit, USAID-i e ka përkrahur këtë fushë qysh moti, sa jeni të kënaqur me rezultatet e kësaj përkrahjeje? Me sa sfida të tjera përballet Kosova për të qenë e suksesshme në sundim të ligjit?

Është me rëndësi që njëherë të njihen të arriturat. Është një çështje shumë e vështirë dhe është thelbi i të ardhmes së Kosovës, në kuptimin e zhvillimit demokratik dhe ekonomik. Është shumë vështirë, por shumë gjëra të mira tashmë kanë ndodhur. Po punojmë në reduktimin e lëndëve të grumbulluara, që po i bllokojnë gjykatat, dhe po e pengojnë ndarjen e drejtësisë. Pra, numri i këtyre lëndëve ngadalë po zvogëlohet dhe kjo do ta përmirësojë efikasitetin dhe transparencën. Një progres tjetër është integrimi i sektorit gjyqësor të veriut në sistemin e përgjithshëm gjyqësor të Kosovës. Kjo ndodhi vitin e kaluar. Mori shumë kohë për të ndodhur, por shënon një moment historik, sepse e unifikon sektorin e drejtësisë dhe siguron që të gjithë qytetarët ta kenë mundësinë të përfitojnë nga një sistem i fuqishëm e transparent i drejtësisë.

KTV: Kur munden qytetarët e Kosovës të presin më shumë rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar nga institucionet tona?

Ky është një sektor shumë i vështirë, por është thelbësor që Kosova të jetë aty ku duhet dhe që ta mbërrijë potencialin e saj. Folëm për të arriturat, por ende ka shumë që duhet të bëhet. Duhet të ketë më shumë efikasitet dhe transparencë në sistemin gjyqësor; Duhet të ketë kapacitet më të lartë në mesin e gjykatësve, që t’i bëjnë publike gjykimet e tyre në mënyrë që qytetarët të kuptojnë se çfarë po ndodh në gjykata dhe pse merren ato vendime. Ta kuptojnë që ka transparencë. Korrupsioni s'ka të bëjë vetëm me sektorin e drejtësisë dhe vetëm me gjykatat. Është edhe çështje ekonomike. Investimet e huaja dhe të brendshme në Kosovë janë të domosdoshme për të krijuar vende pune dhe për ta rritur ekonominë. Kjo nuk mund të ndodhë nëse ekziston një perceptim i korrupsionit, plus nëse ai vërtet ekziston. Pronarët e bizneseve duan parashikueshmëri, duan transparencë. Duan ta dinë që ka një sistem të gjykatave të pakorruptuar; Që ka një mjedis për zhvillim biznesi, i cili nuk është i korruptuar; Në mënyrë që ata të mund të funksionojnë dhe të rrisin biznesin. Ne e shohim sundimin e ligjit si një çështje që lidhet me demokracinë, por edhe me ekonominë. Të gjithë po punojnë për këtë. Qeveria, shoqëria civile kanë shumë për të thënë për këtë, komuniteti ndërkombëtar, USAID-i dhe Ambasada e SHBA-së.Por, ka edhe shumë për të bërë.

KTV: Gjithashtu keni thënë se jeni përqendruar te rritja ekonomike. Në çfarë mënyre dhe cilat janë projektet kryesore për ta arritur rritjen ekonomike.

Do t'i theksoja dy sfera ku jemi përqendruar. Një është përkrahja e kompanive të sektorit privat. Kam udhëtuar shumë nëpër Kosovë dhe kam vizituar shumë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Po ndodhin gjëra të mira në sektorin privat në Kosovë. Për shembull, ishim në Gjilan dhe e vizituam një kompani druri të quajtur "Palma". Para pak kohe kishte qenë firmë e vogël, kurse tash është shndërruar në kompani moderne dhe të madhe, që eksporton mobile në tregun evropian dhe mban shenjën "Made in Kosova", dhe tashmë i ka gati 300 të punësuar. Ka shumë rrëfime të ngjashme në tërë shtetin. Sektori i Teknologjisë Informatike... kompanitë si "Gjirafa" apo "Cacttus", që të gjitha e dëshmojnë potencialin rritjes së sektorit privat në Kosovë dhe USAID i përkrah, duke punuar me këto kompani që t'u qasen mjeteve financiare; t'u ndihmojmë me marketing, me certifikime të nevojshme për eksportim në Evropë.

KTV: Si mund t'i qasen bizneset USAID-it? Si mund t'i paraqesin idetë, ashtu që ta fitojnë përkrahjen tuaj? Cilat janë pra format e qasjes?

Jemi organizatë shumë transparente dhe rregullisht publikojmë "Ftesa për plane biznesi dhe për propozime". Në ueb faqen tonë dhe projektet tona dhe meqë bëhet fjalë për sektorin privat, duhen konkurruar për mjetet që i kemi në dispozicion. Ka shkuar mirë, meqë shohim se si po rriten bizneset me kohën, dhe jo vetëm në industrinë e drurit apo të teknologjisë informatike, por edhe në bujqësi, që ofron një potencial të madh për Kosovën.

KTV: Keni përkrahur paraqitjen e produkteve të reja në treg. Si po zhvillohet kjo nismë dhe çka mendoni për bujqit tradicionalë në Kosovë, që nuk janë shumë të kënaqur me politikat e shtetit ndaj tyre... ka pasur shumë protesta qumështarësh, prodhuesish patatesh e rrushi...

Unë jam rritur në qytet dhe kam mësuar për bujqësinë në Kosovë. Besoj se ajo parqet potencial të jashtëzakonshëm për rritje ekonomike. Si për të krijuar vende pune, ashtu edhe për të realizuar të hyra. Sa herë që kam vizituar ekonomitë bujqësore dhe agrobiznese, jam impresionuar me ca gjëra: e para është etika e punës së theksuar. Bujqit këtu duan të prodhojnë produkte të mira dhe duan të shënojnë sukses, janë ndërmarrës të mirë. Prandaj edhe jemi përqendruar te mbjellja me vlerë, që do t'u ndihmojnë që të fitojnë më shumë për familjet e tyre. Për shembull mjedra, shpargujt, lakra. Pra, kultivime të tjera që do të sigurojnë më shumë të hyra. Kjo është sfidë në Kosovë, ngase fermat janë të vogla. Pra, kur bisedojmë me ta, flasim për rendimentin nga toka që e kanë. Mjedrat janë shembull i mirë, ngase bujqit mund të fitojnë dhjetë deri në dymbëdhjetë herë më shumë nga mjedra sesa nga misri a drithi. Porse kjo kërkon kohë dhe që ndonjë bujk të rrezikojë me kultivim. E që të tjerët ta ndjekin shembullin. Kjo po funksionon, e kam parë në Podujevë, ku jemi takuar me një fermer, i cili i pari kishte nisur me mjedrën. Dhe, së shpejti, krejt fqinjët nisën ta kultivojnë mjedrën, për të realizuar më shumë të hyra për familjet e tyre.

KTV: Ku i shesin produktet?

Diçka shitet në Kosovë, për tregun e vendit. Porse ka ngritje të eksportit, kryesisht në tregun evropian, që është shenjë e mirë edhe për ekonominë kosovare. Produktet janë të jashtëzakonshme, vetëm duhen depërtuar në treg. Dhe, këtu mund të ndihmojnë programet e USAID-it. Prandaj po përpiqemi t'u ndihmojmë bujqve që t'i sigurojnë certifikimet e nevojshme, për t'i shitur produktet kosovare jashtë Kosovës.

KTV: Si qëndron puna me fushën e arsimit? USAID-i ka përkrahur shumë studentë dhe zyrtarë kosovarë që të shkojnë në SHBA e të fitojnë përvoja të reja dhe të diplomohen në universitetet amerikane. Cila janë programet e USAID-it që lidhen për sferën e arsimit?

Në 20 vjetët e fundit kemi punuar mjaft në arsim dhe besojmë se është shumë me rëndësi, sepse është investim afatgjatë për të ardhmen. Një nga veçoritë e punës sime katërvjeçare në Kosovë ka qenë puna në "Programin transformues të lidershipit". Pra, ky program ka dërguar 185 të rinj për ta kryer masterin në SHBA në dy vjetët e shkuar. Ata janë kthyer dhe më duket se grupi i fundit kthehet tash. Të gjithë kanë pasur përvojë të mirë, jo vetëm akademike. Por, përvojën e studimit në SHBA, e tash janë kthyer për t'i zbatuar ato që i kanë mësuar, për të mirë. Bëjnë punë vullnetare, punojnë me komunitetin. Të gjithë janë punësuar dhe mezi presin për të kontribuuar në formësimin e të ardhmes së Kosovës.

KTV: E besoni se do të kenë ndikim në zhvillimet në Kosovë?

Tashmë kanë ndikim. Takohem me ta shpesh dhe frymëzohem nga energjia dhe pasioni i tyre. Porse tashmë janë duke ndikuar. Disa i kanë themeluar OJQ-të e tyre, e merren me prokurimin publik, disa po punojnë në Qeveri si shërbyes civilë apo të tjerë në përpjekje për ta ndihmuar Qeverinë në procesin e reformave.

KTV: A do të vazhdojë programi?

Programi për master ka përfunduar. Investimi ynë ka qenë për 185 persona. Dhe kjo ka zgjatur katër vjet, kurse tash jemi përqendruar që t'u ndihmojmë këtyre të rinjve që të bëhen të suksesshëm këtu.

KTV: Z. Hope, do të largoheni nga Kosova brenda tri javësh. Keni qëndruar këtu katër vjet. Cila do të ishte porosia juaj lamtumire për popullin e Kosovës?

Fillimisht, një falënderim i madh për kohën e kaluar në Kosovë. Është vend shumë i veçantë. Kemi një raport të veçantë dhe kjo na e mundëson, që me punë të përbashkët të bëjmë ndryshime pozitive. Jam shumë optimist dhe i inkurajoj të gjithë që të jenë optimistë. Ngase Kosova e ka një të ardhme të ndritshme. Ka shumë punë për të bërë, shumë sfida për të tejkaluar. Porse është një partneritet që do të ndihmojë në tejkalimin e sfidave.