Naim Bytyqi, mësimdhënës në shkollën fillore “Ismail Qemali”, me një bagazh 27 vjeçar në arsim, ka thënë se dita e parë e 6 marsit në shkollën e parë shqipe, ishte krenari të japësh mësim shqip.
Në Express Intervistën në KTV, tha ai, kur u arrit marrëveshja me ndërmjetësimin e ambasadave të huaja, që në shkollat fillore të jepej mësim shqip, Bytyqi thotë se vullnetarisht nisi të japi mësim shqip për nxënësit.
“Patëm informacione se do të ketë mungesë të mësimdhënësve. Por, pati gatishmëri prej të gjithëve që të japin mësimin në shqip”, tha ai.
Ai tha se “Puna e mësimdhënësve të viteve të 90’ta është dhe mbetet kryevepër”.
“Gjithçka nisi atëherë. Ishte kënaqësi e madhe. E jetësuam dëshirën e atyre që janë edhe sot. Nën okupimin e egër serb ishim shumë guximtarë e nënshkruam teste e libreza me emrin “Republika e Kosovës”, tha ai.
Ai tha se gjatë asaj kohe, megjithatë, edhe midis Prishtinës, kanë qenë të rrezikuar. Bytyqi thotë se serbët shpeshherë kur i kanë parë i kanë kërcënuar e i kanë ofenduar.
“Ne kishim shkollat tona por ato i dirigjonin drejtorët serbë. Mirëpo organizimi ynë ishte efikas, sepse funksiononte ministra e pavarur e arsimit kishim edhe planprogramin tonë. Nxënësit, përveç kushteve, nuk mbetën fare mbrapa”, tha ai.
Ligjin për mësimdhënësit e viteve të 90’ta, që t’iu njihet kontributi, e ka quajtur tepër të vonuar.
“Ku kish me qenë Kosova po të mos ishin këta mësimdhënës, kishte me qenë një Palestinë”, tha ai.
Bytyqi, në fund ka folur edhe për shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë. Ka thënë se janë 2900 nxënës.
Në ciklin e ulët, thotë se janë deri në 40 nxënës, e që për të, janë shumë.
“Shpresoj se shpejt do të ndërtohen edhe shkolla të reja, janë të nevojshme”, tha ai.
Pas grevës 3 javëshe, ai tha se mësimdhënësit janë rehabilituar.