Arbëri

Bislimi: Po bëjmë ligj për sistemin e pagave, e jo për rritje pagash

“Ne po duam një ligj të mirë e jo një ligj të shpejtë, dhe po them se nuk jemi duke e pru një ligj për rritjen e pagave, por jemi duke e pru një ligj për rregullimin e sistemit të pagave në sektorin publik”, ka deklaruar Bislimi, në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk ka dhënë sinjale të premten se pagat në sektorin publik do të rriten, nëpërmjet Ligjit për paga që Qeveria e ka afër finalizimit. Ai ka përmendur një qëllim tjetër që ekzekutivi do ta jetësojë nëpërmjet këtij ligji.

“Ne po duam një ligj të mirë e jo një ligj të shpejtë, dhe po them se nuk jemi duke e pru një ligj për rritjen e pagave, por jemi duke e pru një ligj për rregullimin e sistemit të pagave në sektorin publik”, ka deklaruar Bislimi, në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane.

E ka thënë këtë, pasi deputetë të PDK-së e të AAK-së kanë kërkuar përmbushjen e agjendës legjislative, e veçanërisht shtytjen përpara të Projektligjit për pagat.

“Jeta e qytetarëve është rënduar, çmimet janë rritur, është shtrenjtuar energjia elektrike dhe natyrisht njerëzit i kanë sytë kah Qeveria dhe Kuvendi, për të parë nëse pagat e tyre do të rriten, nëse mirëqenia e tyre do të përmirësohet dhe në kuptim të saj ne po e diskutojmë këtë çështje dhe mendoj që është një interes”, ka thënë Blerta Deliu e PDK-së.

E ligjvënësja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë të jetë duke pritur nivelizimin e pagave, siç ka premtuar Vetëvendosja. Kjo pasi ka thënë se profesionistë fushash, përfshirë mjekët, po e braktisin vendin.

“Shqetësuese pse s’po ndodh një gjë e tillë... Unë jam mjeke dhe po shoh kolegët e mi. Kosova investon në mjekë diku 20 vjet dhe ne të gatshëm po i çojmë në vendet perëndimore”, ka thënë ajo.

Në Komision, zëvendëskryeministri ndodhej për të raportuar në një temë tjetër.

Në ditën kur janë bërë gjashtë vjet nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, ai e ka prezantuar Programin Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) 2022-2026 para anëtarëve të Komisionit parlamentar për integrim evropian.

Ai ka thënë të jenë 229 masa që synohet të zbatohen deri në fund të vitit, e prej të cilave shumica janë masa legjislative. Për ta bërë këtë, ka thënë se Qeveria ka një plan ambicioz.

“Ne duhet që detyrat tona të shtëpisë t’i kryejmë ashtu siç kemi premtuar në raport me partnerët tanë të BE-së. Nuk ka mënyrë më të mirë se sa ta dokumentojmë përkushtimin tonë në rrugëtimin drejt BE-së, se sa të implementojmë në përpikëri dhe në masë të madhe MSA-në, ashtu edhe ERA2”, ka deklaruar Bislimi para anëtarëve të Komisionit.

Por, më shumë se sa për çfarë ishte ftuar, zëvendëskryeministri Bislimi ka dhënë përgjigje për temat e tjera. Krahas për Projektligjin për pagat, ai ka folur edhe për mosraportimin e ministrave në Komision, për mungesën e konsensusit e për çështje të tjera.

E gjitha ka nisur me një shqetësim të ngritur nga kryetarja e Komisionit, Rrezarta Krasniqi, e përkrahur edhe nga deputetë të tjerë opozitarë, e që kishte të bënte me mospërgjigjen e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, e asaj të Jashtme, Donika Gërvalla, në thirrjet e Komisionit për raportim.

“Sa i përket Administratës Publike dua ta ngre një shqetësim, pasi jeni zëvendëskryeministër – me ju përgjigj ftesës së Komisionit, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministrja e Punëve të Jashtme, sepse këto çështje të administratës publike kanë të bëjnë me ministrin e Punëve të Brendshme më shumë. Si zëvendëskryeministër besoj e ngrini këtë shqetësim. Tri ftesa i kemi dërguar dhe nuk kemi marrë përgjigje nga ana e tyre”, ka qenë deputetja Krasniqi.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka dhënë zotimin se do të bisedojë me ministrin e Punëve të Brendshme për këtë çështje. Megjithëkëtë, ka përmendur pozitën që mban.

“Unë jam zëvendëskryeministër, por jo punëdhënës i ministrit të Punëve të Brendshme edhe rrjedhimisht kompetencat e mija janë shumë të qarta. E mbuloj dialogun, integrimin evropian dhe zhvillimin si shtylla”, është përgjigjur Bislimi.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, i është bashkangjitur kërkesës së kryetares së komisionit, dhe ka thënë se janë të detyruar që të kërkojnë nga Bislimi që ta bëjë “mësitin”.

“Kuptojeni këtë si një kërkesë të domosdoshme që ju si zëvendëskryeministër që të flisni me përfaqësues të qeverisë e të vijnë e ta kryejnë obligimin e tyre kushtetues, ndonëse unë po e them nuk do të duhej që ne të bëjmë një lloj mësiti te ju sepse besoj që i dinë përgjegjësitë e tyre, se janë zgjedhur nga ky kuvend dhe e kanë obligim që të vijnë e t’i raportojnë Kuvendit për proceset për të cilat ne po punojmë bashkërisht”, ka thënë deputetja Deliu.

Përkundër ankesave nga deputetët për shpërfillje të Komisionit, Bislimi i ka lavdëruar ministrat e qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

“Nuk ka pasur asnjë vit ku ka pasur më shumë raportime në Kuvend, sesa në vitin 2021”, ka thënë ai. “Përkundër faktit që qeveria është më e vogla, do të thotë 15 ministri janë, mirëpo ka pasur raportime shumë më shumë sesa kur ka pasur qeveri me 21 ministri”.

Edhe zëvendëskryeministri Bislimi ka pasur kritika për deputetët. Ai ka kërkuar më shumë punë nga Kuvendi në miratimin e ligjeve të proceduara nga Qeveria. Por, deputetët opozitarë ia kanë rikujtuar se shumicën në Kuvend e ka partia së cilës i takon.

“Sa u përket projektligjeve që kanë mbetur në Kuvend, nuk është faji te Komisioni. I kemi kaluar të gjitha. Faji është te Qeveria, sepse shumicën e keni në Kuvend. Në plan-programin e Qeverisë është paraparë që brenda vitit t’i kaloni 186 projektligje. Për një vit kanë kaluar vetëm 36”, ka qenë reagimi i deputetes së LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Në raport me diskutimet në Komision, ka reaguar deputeti Agon Batusha, që është bashkëpartiak i Bislimit.

“Është shndërruar në interpelancë dhe hymë në pyetje detaje thuajse jemi në Komision për Administratë Publike, e jo për Integrime Evropiane”, ka qenë reagimi i Batushës.

Pas diskutimeve me zëvendëskryeministrin Bislimi, Komisioni për Integrime Evropiane ia ka dhënë dritën e gjelbër kalimit të Projektligjit për mbrojtjen e sekreteve tregtare.