Nga 6 fluturime në javë, aktualisht në Aeroportin e Kukësit ka vetëm një fluturim në javë
Aeroporti i Kukësit do të vazhdojë funksionimin e tij normal, pavarësisht rënies së ndjeshme të fluturimeve. Nga 6 fluturime në javë, aktualisht në këtë aeroport realizohet vetëm një fluturim në javë, ku operon “Air Albania”.
Numri i fluturimeve në Aeroportin e Kukësit ka rënë ndjeshëm për shkak të mbylljes së sezonit veror, por drejtori Altin Progonati ka hedhur poshtë zërat se aeroporti i ri i Kukësit rrezikon mbylljen, duke i cilësuar ato si kalkulime për arsye të ndryshme të atyre që i përhapin.
“Aeroporti i Kukësit nuk mbyllet. Aeroporti vazhdon nga puna, do të jetë funksional dhe i hapur. Punonjësit janë të gjithë në punë. Vazhdon puna normalisht… Vërtet ka një rënie të fluksit të fluturimeve, por jo ndërprerje të fluturimeve. Një aeroport edhe kur ndërpret fluturimet përsëri vazhdon të funksionojë, pasi kemi edhe fluturime të papritura, apo siç quhen fluturime ‘Charter’”, tha drejtori Progonati.
Ai e lidh uljen e numrit të fluturimeve në Aeroportin e Kukësit me mbylljen e sezonit të verës.
“Duke qenë se mbaron sezoni i verës, fillojnë e reduktohen lëvizjet e pasagjerëve, respektivisht reduktohen edhe lëvizjet e avionëve”, thotë Progonati.
Derisa të dielën bëhet fluturimi i radhës në Aeroportin e Kukësit, të shtunën pritet edhe mbërritja e 9 avionëve sportivë. Progonati thotë se ka mbërritur edhe plani i operimit për muajin tetor dhe në vijim pritet që të shtohet edhe intensiteti i punës në Aeroportin e Kukësit.
“Përveç kësaj kemi në vazhdimësi, ku ka ardhur edhe plani i fluturimeve për muajin tetor që është pjesë e sezonit të verës. Pasi mbaron muaji tetor fillon sezoni i dimrit. Në sezonin e dimrit pritet të vijë plani tjetër. Jemi në tratativa me kompaninë ‘Wizzair’. Nesër kemi takimin me ta duke vendosur pastaj se si do të veprojmë me oraret e fluturimeve. Pra, Aeroporti i Kukësit vazhdon të operojë në vijimësi pa asnjë lloj kufizimi”, tha drejtori Progonati.
Drejtori i Aeroportit të Kukësit thekson në vijim se bilanci i punës në këtë aeroport, megjithëse filloi të operojë në mes të verës, ka qenë pozitiv, ku nga 9 korriku deri në fund të gushtit janë përpunuar 11 mijë pasagjerë. Sipas tij, priten të hapen destinacione të reja të fluturimeve nga Kukësi, siç janë ato me Shtutgartin dhe Londrën.
Aeroporti më i ri i Shqipërisë, “Zayed-Flatrat e Veriut” në Kukës ka pritur më 9 korrik të këtij viti zyrtarisht avionin e parë, ku nga Zyrihu avioni me 67 udhëtarë i “Helvetic Airways”, është ulur në Kukës, duke shënuar kështu nisjen zyrtarisht të fluturimeve nga ky aeroport. Pasagjerët që udhëtuan nga aeroporti i Zyrihut në aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, që ishin nga Kosova dhe me origjinë nga ky vend, u shprehën të kënaqur për udhëtimin në kohë të shkurtër, teksa thanë se, “tani nga Kukësi e kemi shumë afër Prizrenin dhe mezi e kemi pritur këtë ditë”.
Aeroporti i Kukësit ka përfunduar që në tetor të vitit 2007 pas një granti falas prej 30 milionë USD nga Qeveria e Emirateve të Bashkuara, megjithatë nuk është vënë asnjë ditë në funksion. Me gjithë përurimin në qershor të vitit 2010, ky aeroport është konsideruar i papërfunduar për të arritur standardet e kërkuara nga Rregullorja e Ministrisë së Transportit nr.130 datë 09.11.2012 “Për certifikimin dhe regjistrimin e aerodromeve”, dhe kishte nevojë për investime shtesë. Këshilli i Ministrave i Republikës Shqipërisë ka miratuar më 19 mars të vitit 2019 nënshkrimin e Kontratës së Koncesionit për “Rehabilitimin, operimin, transferimin e Aeroportit të Kukësit”. Procesi i tenderimit u krye në dhjetor 2018 dhe fitues doli Bashkimi i Përkohshëm i Operatorëve “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. (Pjesë e “Kastrati Group”) dhe “Bami” sh.p.k., që investuan rreth 10 milionë euro për vënien në punë të tij. Përveç aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe aeroportit “Zayed-Flatrat e Veriut”, kryeministri Edi Rama ka premtuar se Shqipëria do të ketë edhe Aeroportin e Vlorës dhe Sarandës, ku për atë të Vlorës punimet pritet të fillojnë në vitin 2022. Ekspertët e transportit ajror në Shqipëri mendojnë se nuk janë të nevojshëm katër aeroporte në një vend me 3 milionë banorë, ku kanë kundërshtuar ndërtimin e një aeroporti në Sarandë, shumë pranë atij të Vlorës. Por, kryeministri i vendit, Edi Rama, ka hedhur poshtë pretendimet e ekspertëve dhe me këtë rast ka marrë si shembull Kroacinë që ka 9 aeroporte me 4 milionë banorë.