Arbëri

Ben Meir: Vështirë të arrihet marrëveshje e përhershme për targat më 20 prill

Profesori në Universitetin e Nju-Jorkut, Alon Ben Meir, njëherësh edhe ekspert për çështjet e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se një marrëveshje e përhershme midis Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të veturave, është vështirë të arrihet në bisedimet e 20 prillit.

Ben Meir i ka thënë KOHËS se kjo është një çështje e ndjeshme, për të cilën Serbia mund të refuzojë që veturat e qytetarëve kosovarë të hyjnë brena territorit të saj me targa të Kosovës.

Në rast të një refuzimi, sipas tij, Kosova duhet të mbajë të njëjtin pozicion.

“Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj çështjeje, është e vështirë të thuhet me siguri absolute se negociatat do të kenë sukses. Problemi qëndron te Serbia dhe çdo zgjidhje e problemit duhet ta trajtojë Serbinë dhe Kosovën në mënyrë të barabartë”, ka thënë Ben Meir duke shtuar se pavarësia e Kosovës nuk duhet të cenohet.

Javën e kaluar, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur në Komisionin për Integrime se më 21 prill do të dilet me një qëndrim nëse është arritur apo jo marrëveshja për targat në takimin e një dite më parë.

Në fakt, me këtë datë përfundon afati prej 6 muajve kur ishte arritur marrëveshja e përkohshme për targat, që kishte çuar në zhbllokimin e pikave kufitare në veri.

Pas vendosjes së reciprocitetit nga ana e Qeverisë së Kosovës, serbët kishin bllokuar rrugët që dërgojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Njohësi i çështjeve të Ballkanit Perëndimor është deklaruar edhe për qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës pas zgjedhjeve të 3 prillit, për çka ka thënë se nuk beson që fituesi i këtyre zgjedhjeve, presidenti Aleksandar Vuçiq, do të ndryshojë qëndrim, pavarësisht presionit që faktorët ndërkombëtarë po i bëjnë atij për njohje reciproke.

Këtë, Ben Meir e lidh edhe me dëshirat e presidentit rus, Vladimir Putin, për të cilin thotë se nuk dëshiron që Serbia ta njohë Kosovën.

“BE-ja dhe SHBA-ja po i bëjnë presion Vuçiqit për të ecur drejt njohjes së ndërsjellë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por Vuçiq nuk ka gjasa të punojë kundër dëshirave të Putinit, i cili nuk dëshiron që Serbia të njohë Kosovën. Përfundimi i luftës në Ukrainë do të ndikojë në të menduarit e Vuçiqit në këtë drejtim dhe ai mund të drejtohet më shumë nga Perëndimit nëse Putini del i poshtëruar nga lufta. Sidoqoftë, duhet kujtuar se Vuçiq është një oportunist dhe do të përpiqet të shfrytëzojë ‘neutralitetin’ e tij sa më shumë që mundet derisa të detyrohet të bëjë një zgjedhje”, ka thënë ai.

Sipas tij, Vuçiq nuk do të mund ta zgjasë për shumë kohë qëndrimin e tij neutral midis Perëndimit dhe Rusisë për çka duhet të ketë kujdes në zgjedhjet e tij në rast se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Duhet të kujtojmë se Vuçiq po përpiqet të ruajë neutralitetin midis Perëndimit dhe Rusisë. Megjithatë, duke pasur parasysh mizoritë që po kryhen në Ukrainë nga ushtria ruse me lejen e Putinit, Vuçiq do të duhet të ecë me shumë kujdes, veçanërisht nëse dëshiron që Serbia të ruajë anëtarësimin e saj të ardhshëm në BE”, ka thënë Ben Meir.