Nëpërmjet rialokimit të mjeteve, Qeveria ka rritur buxhetin e subvencioneve dhe transfereve për 14.7 milionë euro. Marrja e mjeteve nga investimet kapitale dhe riorientimi i tyre te kategoria e subvencioneve, sipas njohësve të ekonomisë, mund të ketë efekt afatshkurtër, por që nuk krijon qëndrueshmëri ekonomike
Qeverisë nuk i ka mjaftuar shuma prej 1 miliard e 98 milionë eurosh për subvencione dhe transfere. Asaj ia ka shtuar edhe 14.7 milionë euro, në emër të kursimeve që janë bërë nga organizatat buxhetore, kryesisht shkaku i dështimeve në realizimin e projekteve kapitale.
Por, sipas profesorit të ekonomisë, Ujkan Bajra, transferimi i fondeve në skema sociale mund të pengojë rritjen ekonomike, duke i kufizuar inovacionin, përparimin teknologjik dhe përmirësimet në produktivitetin kombëtar. Ai ka vlerësuar se aplikimi i politikave fiskale në kontekstin aktual nuk duket të ketë një bazë të qëndrueshme dhe afatgjatë.
“Rialokimi i fondeve për qëllime sociale dhe subvencione ofron avantazhe afatshkurtra, pasi zvogëlimi i fondeve për investime kapitale gjatë kësaj periudhe mund të vonojë projekte kritike kapitale, qofshin ato në infrastrukturë, ndërtim, transport, arsim, shëndet, etj.”, ka thënë ai.
Bajra ka shtuar se në perspektivë afatgjatë, një zvogëlim i vazhdueshëm në investime kapitale mund të çojë në “plakjen” e infrastrukturës ekzistuese, gjë kjo që, sipas tij, është duke ndodhur dhe duke e ndaluar zhvillimin ekonomi,. si dhe kufizuar produktivitetin e përgjithshëm.
“Krijimi i vendeve të punës dhe mundësitë për punësim mund të pësojnë nga një zvogëlim i investimeve kapitale, veçanërisht në sektorë të lidhur me zhvillimin e infrastrukturës. Është e pakuptimtë të flitet për rritjen e punësimit, ndërkohë që kemi një rritje të fondeve publike në skemat sociale dhe subvencione. Këto dy kategori nuk kanë një korrelacion logjik mes tyre, ndaj ka konfuzion”, ka theksuar ai.
Me vendimin e Qeverisë, mes tjerash, parashihen afro 4 milionë euro subvencione për “Trepçën”, 2.6 milionë euro për sportet e gjera, 2 milionë euro për administratën qendrore në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si dhe mbi 2 milionë euro për Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë.
Arben Mustafa, koordinator i financave në kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike (PDK), ka thënë se kjo e dëshmon përkushtimin e Qeverisë për të ndryshuar strukturën buxhetore në dëm të investimeve kapitale.
“Qeveria e Kosovës edhe gjatë këtij viti po vazhdon që të ketë shkallë të ulët të realizimit të investimeve kapitale, përderisa buxhetin e shtetit po e orienton kryesisht drejt kategorisë së transfereve dhe subvencioneve. Këto veprime të Qeverisë së Kosovës po dëshmojnë përkushtimin e saj të vazhdueshëm për të ndryshuar strukturën e realizimit të buxhetit në dëm të investimeve kapitale dhe në favor të kategorisë së subvencioneve”, ka thënë ai.
Sipas Mustafës, mosrealizimi i investimeve kapitale e tregon paaftësinë e kësaj qeverie për të implementuar projektet kapitale, si dhe për të krijuar kushte më të mira për zhvillim ekonomik dhe rritjen e mirëqenies.
“Më pak investime kapitale nënkuptojnë më pak infrastrukturë për investime, më pak infrastrukturë për shërbimet shëndetësore dhe arsimore dhe në përgjithësi më pak infrastrukturë për zhvillim ekonomik dhe rritje të mirëqenies për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar Mustafa.
Vendimi ishte arsyetuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, në mbledhjen e së mërkurës të Qeverisë.
“Ne kemi pranuar kursime buxhetore nga organizatat buxhetore në vlerë 71 milionë euro dhe këto më pas janë ndarë në organizatat e tjera bazuar në kërkesat që kemi pranuar në mënyrë që të mbulohen detyrimet ekzistuese që janë apo kontratat për punë që janë në vazhdim”, pati thënë Murati.
Ngecja në realizimin e rrugës nacionale Prishtinë-Gjilan-Konqul, për të cilën ishin paraparë 23 milionë euro për këtë vit, ka bërë që nga ky projekt 5.5 milionë euro të barten për realizimin e projekteve të tjera.
Edhe 400 mijë euro të tjera janë bartur nga projekti për zgjerimin e rrugës Komoran-Drenas-Skenderaj. Ani se për këtë projekt ishin paraparë 1 milion euro, sipas raportit nëntëmujor të shpenzimeve, nuk është shpenzuar asnjë cent.
Janë bartur edhe 60 milionë euro nga projekte të tjera kapitale, të cilat kanë ngecur në realizim. Por, prej tyre vetëm 47 milionë janë bartur për realizimin e projekteve të tjera që janë në zhvillim, ndërsa pjesa tjetër në subvencione dhe transfere dhe në mallra e shërbime.
Sipas profesorit Bajra, mungesa e investimeve në fusha kritike, si transporti dhe arsimi, me kalimin e kohës mund të ndikojë negativisht në cilësinë e përgjithshme të jetës së banorëve. Ai ka thënë se menaxhimi i një buxheti të balancuar është jetik.
“Ndërsa rritja e shpenzimeve për kategori sociale mund të stimulojë aktivitetin ekonomik afatshkurtër, është thelbësore të marrim me kujdes pasojat afatgjata në ekonomi. Arritja e një ekuilibri që i përmbush nevojat sociale të menjëhershme pa kompromentuar investimet e vazhdueshme në projekte kapitale është jetike për përfitimet afatshkurtra dhe qëllimet afatgjata të zhvillimit ekonomik”, ka theksuar ai.
Sipas Bajrës, kjo nuk është duke ndodhur tani.