Ish-objekti i Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Miradi të Epërme të Fushë-Kosovës po shërben si deponi e mbetjeve medicinale. Banorët kanë thënë se ndihen të rrezikuar nga këto mbetje, pasi qasja në objekt është e lehtë edhe për fëmijët. Në Ministrinë e Mjedisit thonë të mos jenë të njoftuar, derisa zyrtarët komunalë dhe ata të Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë kthyer përgjigje për problemin
Banorë të fshatit Miradi e Epërme të Fushë-Kosovës po ndihen të rrezikuar nga deponia e mbetjeve medicinale, që gjendet në ish-objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Në pamjet që ata ia kanë dërguar KOHËS, shihen këto mbetje nëpër thasë dhe të shpërndara nëpër dysheme.
Vlonjat Hasani, banor i këtij fshati dhe kuvendar i Vetëvendosjes në këtë komunë, ka thënë se në vazhdimësi e kanë ngritur këtë shqetësim, por deri tash nuk është ndërmarrë asgjë.
“Është mjaft shqetësuese gjendja në të cilën gjendet ish-objekti i Ambulancës së fshatit. Kjo ka mbetur në këtë formë dhe nuk është intervenuar asnjëherë në rirregullimin e tij, ose ridestinimin e këtij objekti. Fatkeqësia më e madhe është se ekzekutivi dhe konkretisht Drejtoria e Shëndetësisë nuk e kanë marrë asnjë veprim për evitimin e kësaj problematike, sepse ka filluar të bëhet një deponi e mbetjeve medicinale”, ka thënë Vlonjat Hasani, banor dhe kuvendar i LVV-së në Fushë-Kosovë.
Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës nuk kanë kthyer për këtë çështje, edhe pse pyetjet u janë dërguar që nga 9 marsi.
Asamblisti Hasani druan se banorët mund të pësojnë nga kjo deponi për shkak të qasjes së lehtë në objekt.
“Qasje për për të hyrë brenda këtij objekti është shumë, shumë e lehtë, dera është e hapur, mbetjet medicinale janë brenda, kontakti i drejtpërdrejtë i fëmijëve ose kujtdo qoftë është i mundshëm, sepse nuk është ndërmarrë asnjë veprim për evitimin e këtyre problemeve dhe shqetësimi kryesor këtu është se mund të shkaktohet ndonjë infeksion dhe shpërndarje e ndonjë epidemie”, ka thënë Hasani.
E në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se Divizioni për mbeturina nuk ka njohuri për këtë deponi dhe se nuk ka dhënë pëlqim për të
“Sigurisht që nëse qasja është e lehtë dhe e pakontrolluar, banorët padyshim që mund të jenë të rrezikuar. Nëse bëhet fjalë për objekt për magazinim të medikamenteve-produkteve medicinale (me afat dhe pa afat) dhe se nëse objekti është në pronësi apo në shfrytëzim nga Ministria e Shëndetësisë, përgjegjëse për keqmenaxhim të këtij objekti padyshim që është Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Ministria e Mjedisit.
Por, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS tash e dy ditë.