30 shkelje të kryera gjatë procesit të gjykimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë i ka evidentuar profesori Arsim Bajrami. Ai nëpërmjet një konference tha se në Gjykatën Speciale ka anshmëri, se shkelen të drejtat e njeriut dhe se Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po mbahen padrejtësisht në paraburgim tash e pesë vjet
Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk ka dallim mes gjyqtarëve dhe prokurorisë, tha profesori i së drejtës kushtetuese, Arsim Bajrami, në një konferencë të mbajtur të hënën në kuadër të platformës “Liria ka emër”.
Bajrami bashkë me dy kolegë profesorë, Ismet Salihu dhe Agim Zogaj, prezantuan studimin e titulluar “30 shkeljet e Gjykatës Speciale”, tek hodhën kritika ndaj Dhomave të Specializuara për anshmëri, qëllime që të njolloset lufta e Ushtrisë Çlirimtare dhe për shkelje të konventave ndërkombëtare në gjykimin ndaj ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Bajrami tha se trajtimi i Thaçit në qendrën e paraburgimit nuk është adekuat.
“S’kanë asnjë kusht përpos një dhome të ngushtë, as kushte për punë. Slobodan Millosheviq kur është gjykuar, përpos ambienteve familjare, ka pasur edhe zyre pune. I kanë dhënë status të ish-presidentit, një krimineli të luftës, ‘Kasapit të Ballkanit’ që vetë e kanë quajtur të tillë, i kanë dhënë kushte, bibliotekë, zyre pune kurse ish-presidentin tonë e trajtojnë si një qytetarë të rëndomtë”, ka thënë Bajrami.
Bajrami u shpreh se në Hagë, dhomat e prokurorisë, gjyqtarëve, Gjykatës Kushtetuese e Avokatit të Popullit veprojnë brenda një ndërtese, gjë që, sipas tij, përbën konflikt interesi.
“Mbajtja në paraburgim është shkelje e çdo parimi e çdo standardi ndërkombëtar. Pra, të mbash në paraburgim katër shtetas të Kosovës, lider të shtetit, partnerët kryesorë të bashkëpunimit, tani qe pesë vjet në paraburgim, pa asnjë arsyetim ligjor, me teza të fabrikuara për gjoja rrezikun e ikjes. Rrezikun e ikjes e ata janë vetëdorëzuar, e ka lëshuar zyrën e presidentit dhe ka shkuar si lider”, ka shtuar ai.
Profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu, tha se Ushtria Çlirimtare nuk ka kryer krime, e Agim Zogaj theksoi se në aktakuzë nuk përmendet askund trafikimi me organe.
Dhomat e Specializuara të Kosovës u themeluan më 2015 nga Kuvendi i Kosovës. Deri tash, Prokuroria ka ngritur 6 aktakuza, tri për krime lufte e tri për pengim të administrimit të drejtësisë.
Rasti më i madh i kësaj gjykate është ndaj Thaçit dhe tre udhëheqësve të tjerë të UÇK-së, të cilët përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.