Intensifikimi i angazhimit të ndërkombëtarëve në bisedimet mes Kosovës e Serbisë konsiderohet të jetë i lidhur me synimet për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje përfundimtare. Sipas përcjellësve të ngjarjeve të lidhura me procesin e dialogut, momentumi i krijuar duhet të shfrytëzohet nga institucionet. Por, sfidë vlerësohet të jetë ujdia rreth Asociacionit.
Dinamika e re e angazhimit ndërkombëtar përkitazi me dialogun shpërfaq synimet për arritjen sa më të shpejtë të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë njohësit.
Përveç Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në procesin e dialogut janë angazhuar edhe shtete të caktuara evropiane, si Gjermania e Franca.
Për ligjëruesin e shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri, procesi i bisedimeve ka hyrë në fazën finale.
“Prania e tyre tregon që Bashkimi Evropian dhe shtete kryesore në veçanti janë të interesuara për të prodhuar një zgjidhje sa më të shpejtë në mes Kosovës dhe Serbisë. Ky është një presion ndaj palëve që ta marrin shumë seriozisht procesin dhe e dyta është një garanci për vetë z. Lajçak, që e ka përkrahjen e BE-së, që sa më parë të jetë e mundur t’i përafrojë palët drejt një zgjidhjeje, si ta themi, të pranueshme për të dyja”, ka thënë Imeri.
Ish-kryeministri Isa Mustafa thotë që Kosova ndodhet në kohën optimale për mësymjen drejt një marrëveshjeje përfundimtare.
“Sigurisht se mundet, nëse tregon gatishmëri, përgatiten, krijohet një ekip e përkrah sepse ka vota mjaft shumë në Kuvend, ka një përkrahje të opozitës”, është shprehur ai.
Por, sfidë në arritjen e ujdisë politologu Imeri e konsideron marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Kosova nuk ka asnjë obligim ndërkombëtar për të themeluar një Asociacion që është në kundërshtim me Kushtetutën... prandaj duhet që Kosova të operojë strategjikisht në këtë drejtim, kjo është çështja e parë. Çështja e dytë është se konsideroj se gradualisht kemi hyrë në një fazë që kur gjërat duhet të përfundohen sa më parë”, ka deklaruar Imeri.
Për ish-kryeministrin Mustafa, e rëndësishme është arritja e marrëveshjes.
“Nuk di se a është biseduar për këtë temë apo jo dhe nuk mund të flas për ndryshim të qëndrimeve, mirëpo është me rëndësi që marrëveshja përfundimtare të bëhet, ajo është me rëndësi themelore”, ka thënë Mustafa.
Përveç emisarit të BE-së e atij të SHBA-së, në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar edhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, e presidenti i Francës, Emmanuel Macron.