Kanë kaluar më shumë se tre vjet që kur Prokuroria Speciale e ka ngritur një aktakuzë për krime lufte, por Gjykata ende nuk e ka nisur gjykimin në mungesë të kërkuar nga Prokuroria për këtë rast. Gjykimi në mungesë përgjithësisht është proces që ka ngecur, edhe pse Kosova e ka miratuar ligjin tre vjet më parë. 23 vjet nga lufta në Kosovë, shumë pak persona vuajnë dënimin për krimet e kryera. Kjo, sipas juristëve, vjen si pasojë e neglizhencës së organeve të drejtësisë në Kosovë, të cilat për më shumë se 10 mijë viktima kanë dënuar vetëm rreth 70 persona
Një krim lufte për të cilin është ngritur aktakuzë tre vjet më parë, ende nuk ka nisur të gjykohet nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kjo pasi Prokuroria kishte kërkuar që gjykimi i të akuzuarit të bëhet në mungesë, ani pse aktakuza ishte ngritur para se hynin në fuqi ndryshimet ligjore për gjykim në mungesë. Prej atëherë Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ende nuk ka arritur ta marrë një vendim se si ta gjykojë këtë krim lufte.
“Prokuroria ka kërkuar zbatimin e gjykimit në mungesë për një akt akuzues, i cili është ngritur para hyrjes në fuqi të ndryshimeve legjislative për gjykimin në mungesë, pra akti akuzues është ngritur para ndryshimeve legjislative (pra kërkohet retroaktivisht të zbatohet ndryshimi legjislativ për gjykimin në mungesë), ku gjykata ende nuk ka vendosur lidhur me këtë kërkesë dhe është në shqyrtim të kërkesës”, është thënë në përgjigjen e Gjykatës.
Kriminelët e luftës në liri, ligji në fuqi prej vitit 2019
Asnjë kriminel lufte deri më tash nuk është gjykuar në mungesë, ani pse institucioneve të drejtësisë në Kosovë, hetimi dhe gjykimi pa praninë e të akuzuarit u mundësohet me ligj.
Ligji për gjykimin në mungesë kishte hyrë në fuqi fillimisht në qershor të vitit 2019, por Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se deri më tash as edhe në një rast të vetëm nuk është shfrytëzuar nga Gjykatat e Kosovës.
“Për momentin Kosova ka infrastrukturë ligjore për t’i gjykuar krimet e luftës në mungesë, duke u bazuar në Ligjin për gjykimin në mungesë të vitit 2019 dhe me ndryshimin e ligjit të vitit 2021. Por, prej vitit 2019 deri në ditët e sotme nuk kemi asnjë proces gjyqësor për gjykimin e krimeve të luftës në mungesë”, ka shtuar ai.
Prokuroria, pasive në ngritje aktakuzash
Njohësit kanë thënë se problemi me gjykimin në mungesë qëndron edhe te Prokuroria dhe pasiviteti i saj për të ngritur aktakuza. Nga Gjykata Themelore e Prishtinës kanë thënë se aktualisht janë duke i trajtuar shtatë lëndë për krime lufte, duke shtuar se nuk kanë pasur asnjë aktakuzë të parashtruar nga Prokuroria në harmoni me ndryshimet legjislative për gjykimin në mungesë.
Avokati Kadri Osaj i ka akuzuar prokurorët dhe gjyqtarët vendorë e edhe ata ndërkombëtarë se nuk ua kanë dhënë rëndësinë e duhur krimeve të luftës.
“Konsideroj se institucionet kompetente, edhe pse e kanë pasur mundësinë deri më tani, duke përfshirë edhe ato ndërkombëtare, nuk kanë bërë sa duhet për gjykimin e krimeve të luftës. Institucionet tona, e posaçërisht Prokuroria ka mundur të marrë veprime procedurale në drejtim të luftimit të krimeve e posaçërisht në mbledhjen e provave nga dëshmitarët, si dhe prova të tjera të cilat janë evidente dhe janë zbuluar pas lufte. Mirëpo, deri më tani nuk është parë shumë në këtë drejtim”, ka thënë Osaj.
Lidhur me këtë çështje ka ditë me radhë që KOHA ka dorëzuar pyetje në Departamentin për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, por përgjigjja ka munguar. Për të ngritur aktakuza, Osaj ka thënë se ekzistojnë edhe mundësitë, edhe provat, vetëm se duhet vullnet nga Prokuroria. Përveç provave të tjera, në Prokurori vetëm nga Shoqata për Krimet e Luftës “Gjakova 98’99’” janë dorëzuar disa kontingjente me dhjetëra kallëzime penale.
“Kemi kallëzime penale që janë dorëzuar qoftë nga individë, qoftë nga shoqëria civile apo nga persona të cilët në ndonjë mënyrë janë prekur nga këto krime të luftës, besoj dhe konsideroj që ka material të mjaftueshëm”, ka thënë Osaj.
Ministria e Drejtësisë, fajëson Prokurorinë e Gjykatat
Për moshetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës, ani pse ka bazë ligjore, Ministria e Drejtësisë i ka fajësuar drejtpërsëdrejti Prokurorinë e gjykatat. Sipas MD-së, nga institucionet e drejtësisë nuk kanë pasur shqetësime të ngritura sa u përket vështirësive në implementimin e legjislacionit për gjykim në mungesë.
“Duke e konsideruar si njërën nga prioritetet, Ministria e Drejtësisë ka hartuar dhe tashmë është në fuqi Ligji i cili e ndryshon dhe e plotëson Kodin e Procedurës Penale, përmes të cilit mundësohet hetimi edhe gjykimi në mungesë, në po këtë linjë është edhe Kodi i ri i Procedurës Penale, i cili tashmë është miratuar në Kuvend dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe pritet të hyjë në huqi. Deri më tani nuk kemi ndonjë shqetësim të ngritur nga ana e organeve ligj-zbatuese në lidhje me këtë çështje”, është thënë në këtë përgjigje.
Si një nga problemet që ishte përmendur se po e pengon procesin e hetimit dhe ngritjen e aktakuzave ka qenë edhe mungesa e stafit profesional që do të merrej me krimet e luftës në Prokurorinë Speciale. Në këtë linjë nga Ministria kanë thënë se kanë kontribuuar që të rriten kapacitetet.
“Me rastin e rishikimit të buxhetit të vitit të kaluar, ku me Ligj, nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, kemi bërë transferim të mjeteve në Prokurorinë Speciale, përkatësisht Departamentin për Krime të Luftës, për të mundësuar rekrutimin e 4 prokurorëve të rinj, 6 bashkëpunëtorëve profesionalë dhe 2 staf tjetër mbështetës, përkatësisht përkthyes”, është thënë tutje në përgjigje.
Sfida me mosbashkëpunimin Kosovë-Serbi
Ka rreth tetë vjet prej kur Kosova ka marrë kompetencat për gjykimin e krimeve të luftës dhe deri më tash për më shumë se 10 mijë viktima janë dënuar vetëm 71 persona. Monitoruesi i proceseve gjyqësore të krimeve të luftës nga FDH-ja, Alija, ka thënë se sfida kryesore në procesimin e gjykimit është mosbashkëpunimi mes Kosovës dhe Serbisë në shkëmbimin e informatave, si dhe ekstradimin e kryesve apo të dyshuarve për krime lufte.
“Deri më tani janë dënuar rreth 71 persona për krime të luftës në Kosovë. Këtu përfshihen të gjitha institucionet, si ato vendore dhe ndërkombëtare, pra UNMIK-u, EULEX-i, gjykimet në Hagë, gjykimet në Serbi e të tjera. Deri më tani numri nuk është i mjaftueshëm i personave të dënuar, duke e krahasuar me viktimat ku i kemi rreth 10 mijë viktima civile”, ka thënë Alija.
Infrastruktura aktuale ligjore për gjykimin në mungesë do të shfuqizohet në shkurt të vitit të ardhshëm, kur do të hyjë në fuqi Kodi i Procedurës Penale, i cili e ka inkorporuar dhe thjeshtësuar implementimin e këtij ligji. Përveç stagnimit në gjykimin e krimeve të luftës, Kosova ka ngecur edhe në dokumentimin e tyre. 24 vjet pas, Qeveria synon që ta rithemelojë Institutin për Dokumentimin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.