Sportistët kujtojnë Vokrrin

Sportistët kujtojnë Vokrrin

09 qershor 2018 12:16

Shaqiri: Gjithmonë do të t'mbaj në zemër, i madhi Fadil Vokrri

Ylli shqiptar i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, ka përkujtuar kryetarin e ndjerë të FFK-së, Fadil Vokrri, të cilin tha se do ta mbajë gjithmonë në zemër.

“‪Ngushëllime familjes Vokrri. Gjithmonë të mbaj në zemër i madhi Fadil Vokrri. Pusho i qetë legjendë. Xherdani dhe familja”, ka shkruar Shaqiri në rrjetet sociale, raporton Koha.net.


Cana përkujton Vokrrin

Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana përmes një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e Fadil Vokrrit.

Ai thotë se është rritur duke dëgjuar se si Vokrri ka qenë zëri i një kombi, ndërsa thekson se është një humbje e madhe për të gjithë, transmeton Koha.net.

Postimi i plotë i Canës:

Jam rritur duke më treguar babi se si keni qenë zëri i një kombi, më tregoje që Fadili ishte i pakapshëm për të tjerët, legjendë, dhe golashënues fantastik! Humbje e madhe për të gjithë ne. Ngushëllime familjes Vokrri, miqve, bashkëpunëtorëve, lojtarëve të gjeneratës së artë, Federatës së Futbollit të Kosovës... lamtumirë LEGJENDË.


Kuka: Do na mungosh o legjenda e sportit të Kosovës

Trajneri i mirënjohur kosovar i xhudos, Driton Kuka përmes një postimi në Facebook ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.

Ai tregon për bisedimet e shpeshta në tri vitet e fundit për problemet në sportin kosovar, transmeton Koha.net.

Më poshtë mund ta lexoni postimin e tij:

Do na mungosh shumë o legjenda e Sportit të Kosovës!

Tri vitet e fundit ishim lidhur dhe diskutonim për problemet në sport shumë shpesh!

Në Grand Slamin e Parisit u takuam herën e fundit dhe festuam bashkë medaljen e artë të Akilit!

Pusho i qetë Fadil Vokrri.


Rrahmani: Do të na mungosh legjendë

Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani ka thënë se Fadil Vokrri do t’u mungojë të gjithëve.

Pusho i qetë legjendë

Fjalët për ty janë të pakta por do të na mungosh të gjithëve.

Gjithmonë do të jesh pjesë e jona dhe sukseseve që do të arrijmë


Shala: Do të luajmë gjithmonë për Vokrrin

Mesfushori i përfaqësueses së Kosovës, Herolind Shala ka thënë të jetë tronditur nga vdekja e Fadil Vokrrit.

“Dy ditë më parë ishe dhe më vizitove. Kaluam shumë qaste të mira. Më the shumë fjalë të mëdha dhe tani ke ikur befasisht. Ky largim i yti president nga jeta më ka tronditur mua, është humbje e madhe për ne si futbollist të Përfaqësueses, për FFK-në dhe gjithë popullin e Kosovës. Prehu në paq legjendë, do të luajmë gjithmonë për ty”.


Kapiteni i Kosovës, Valon Berisha ka thënë se ndihet i nderuar që ka njohur një njeri si Fadil Vokrri.

Me një status në Facebook, ylli i Salzburgut shprehë fjalë emocionale për vdekjen e ish kreut të FFK-së.

“U prehsh në paqe Fadil Vokrri! E kisha nderin që të kam njohur legjenda e futbollit. Do të na mungosh shumë President” shkruan Berisha në Facebook.


Xhaka: U prehtë në paqe legjenda jonë

Ylli shqiptar i futbollit, Granit Xhaka, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta e legjendës së futbollit Fadil Vokrri.

“Ngushëllime familjes Vokrri, shpirti yt u prehtë në paqe legjenda jonë”, ka shkruar në profilin e tij në Instagram futbollisti i Arsenalit e kombëtares së Zvicrës.


KOK-u me telegram ngushëllimi për Fadil Vokrrin

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka dërguar një telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes të kryetarit të Federatës së Kosovës në futboll si dhe njëkohësisht nënkryetarit të KOK-ut, Fadil Vokrrit.

Telegrami i plotë:

Mëngjesi i 9 qershorit 2018 dha lajmi e kobshëm dhe pikëllues për sportin kosovar. Legjenda e të gjitha kohërave të futbollit kosovar, Fadil Vokrri, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës dhe nënpresident i dytë i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) nuk është më në mesin tonë. Njeriu që kishte merita të jashtëzakonshme për anëtarësimin e futbollit kosovar në UEFA dhe FIFA, ndërroi jetë në mëngjesin e sotëm, në moshën 57-vjeçare, në kohën kur i duhej më së shumti Kosovës dhe sportit tonë. Vdekja e Vokrrit, na ka prekur e pikëlluar të gjithëve që e kemi njohur dhe kemi punuar me të. Vokrri ishte figura më e shquar e futbollit tonë në vitet e arta të Prishtinës, duke u bërë idhull i çdo tifozi shqiptarë, por jo vetëm. Është e vështirë të gjenden fjalë që përshkruajnë kontributin e njeriut me të cilin krenohej e gjithë Kosova në kohën kur luante dhe në kohën sa drejtoi futbollin kosovar. Emri dhe vepra e tij i sollën shumë miq Kosovës, të cilët ia hapën dyert sportit, në veçanti lojës të cilës Fadili ia kushtoi një jetë, futbollit. Nga viti 2012 Vokrri dha kontribut edhe në Lëvizjen Olimpike, duke u emëruar anëtar i Bordit Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, në Asamblenë Zgjedhore. Katër vjet më vonë, në Asamblenë Zgjedhore të dhjetorit 2016, Vokrri u emërua nënpresident i Komitetit Olimpik të Kosovës. Emri i madh i tij dhe e kaluara e tij vetëm sa e bënë edhe më të pasur Lëvizjen Olimpike në Kosovë. Kujtimi për Fadil Vokrrin do të jetë i përhershëm për ne, si një shembull i devotshmërisë dhe i angazhimit të palodhshëm në kuadër të ngritjes së futbollit të Kosovës në një nivel më të lartë. Në emër të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe gjithë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij, miqve, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe gjithë dashamirëve të sportit, për humbjen e një njeriu të madh dhe një krahu të fuqishëm të sportit të Kosovës.


Portieri i Kosovës, Samir Ujkani ka thënë se është pa fjalë, por me dhimbje për këtë lajm shokues.

“Jam i shokuar, nuk mund të besoj që legjenda e futbollit nuk do të jetë më në mesin tonë. Do të kujtojmë gjithmonë President, ashtu si një njeri të qeshur dhe modest, edhe atëherë kur të gjithë shqiptarët të lavdëronin për punën tënde. Do të mbetesh frymëzimi ynë i përhershëm. Jam pa fjale por me dhimbje shumë ! Ngushëllime familjes dhe të gjithë Kosovës. Një legjendë si Fadil Vokrri nuk vdes kurrë, ai gjithmonë do te jetë me ne, me kujtimet më të mira. Faleminderit President”.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme