I është dhënë lamtumira e fundit, ish-profesorit universitar Bektesh Bekteshi, i cili ka vdekur sot, në moshën 75-vjeçare.
Bekteshi, doktor i shkencave të pedagogjisë në Universitetin e Prishtinës, njihej si punëtor i palodhur i arsimit shqip.
Dr. sc. Bektesh Bekteshi ishte lindur në Zhegër të Gjilanit, më 1 janar të vitit 1943, në një familje të nderuar në Malësinë e Karadakut.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë të mesme (Normalen), në Gjilan, në vitin shkollor 1963/64. Një kohë Bektesh Bekteshi ishte mësues në Shkollën fillore të Pidiqit. Më vonë punoi arsimtar i ciklit të lartë në Shkollën fillore, tash “Agim Ramadani” në Zhegër. Ka punuar me ditar edhe në Shurdhan e Pasjan.
Në vitin akademik 1964/65 regjistrohet në Fakultetin Filozofik – Dega e Pedagogjisë në Prishtinë, të cilin fakultet e kryen në vitin 1969. Pas studimeve, një vit punoi në Qendër për Punë Sociale në Prishtinë, e pastaj filloi të punojë si profesor në Gjimnazin “Sami Frashëri” dhe në atë të Lipjanit.
Në vitin 1972, Bektesh Bekteshi zgjidhet asistent në Degën e Pedagogjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës për lëndën “Metodologjia e pedagogjisë me statistikë”.
Studimet pasuniversitare i regjistroi dhe i mbaroi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku në qershor të vitit 1976 magjistroi në temën “Ndryshimet e ngarkesës së nxënësve të shkollave fillore në kalim nga mësimi klasor në atë lëndor”. Këtë materie studimore, pas pak kohe e ka botuar si libër të kësaj natyre.
Bektesh Bekteshi ka doktoruar në temën “Komponenta kohore dhe përmbajtësore e ngarkesës së nxënësve të shkollave fillore”.
Ndërkohë merr titullin e ligjëruesit, pastaj, pas mbrojtjes ë doktoratës, në atë të docentit (1987) e pastaj në titullin e profesorit inordinar (1994) dhe më 1999 në atë të profesorit ordinar për lëndën e përmendur më parë. Ai disa vjet ishte ligjërues i lëndëve: “Metodika e dituri natyre dhe shoqërie” në SHLP “Skënderbeu” në Gjilan; ligjërues i Pedagogjisë në Fakultetin e Filozofisë – Dega e Historisë dhe Filozofi – Sociologji të UP-së, ligjërues i lëndës Metodologji e hulumtimeve shkencore me statistikë në FKF dhe në shkallën e tretë të këtij fakulteti.
Ligjëroi në Universitetin e Tetovës. Ishte anëtar dhe kryetar i Kolegjiumit të shkallës së tretë në Fakultetin e Filozofisë – Dega e Pedagogjisë etj.
Vazhdimisht është marrë me publikimin e punimeve shkencore nëpër revista dhe gazeta, si janë: “Shkendija”, “Libri shkollor”, “Për prindërit”, “Zëri i rinisë”, “Rilindja”, “Pionieri” e në revista të tjera. Ka botuar me dhjetëra punime profesionale – shkencore. La në dorëshkrim disa vepra. Ka bërë disa recensione të teksteve shkollore.
Bëri përgatitjen e shumë emisioneve arsimore në RTV të Prishtinës.
Bekteshi është varrosur sot në varrezat e qytetit në Dragodan të Prishtinës.
Nesër, (e premte) në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës, në orën 11:00 do të mbahet mbledhje komemorative.