Arbëri

Për 4 muaj 6 persona kanë vdekur në vendin e punës, sot nga kati i katërt ra një 29 vjeçar

Familjarët e ngushtë kanë shkuar për ngushëllime drejt shtëpisë së Valon Berishës, i cili humbi jetën aksidentalisht në vendin e tij të punës.

29 vjeçari, mëngjesin e së enjtes ishte duke vendosur parmakët në një ndërtesë, që është duke u ndërtuar në Fushë-Kosovë, nga ku ka rënë nga kati i katërt.

Familjarët e të ndjerit, i cili ka lënë dy fëmijë të vegjël, nuk kanë dashur të flasin para kamerës, duke thënë se është herët për të thënë diçka lidhur me aksidentin.

Sipas informatave të para të Inspektoratit të Punës, aksidenti ka ndodhur sepse punëdhënësi nuk ka ofruar kushte të sigurisë në punë.

Kryeinspektori i punës thotë se po të ekzistonin skele që ofrojnë siguri të vendosura në objekt, i ndjeri do të shpëtonte.

Ibrahimi tregon se kompania “Timo Construction” e cila është duke bërë ndërtimin e këtij objekti banesor për të cilën punonte Valon Berisha, pas inspektimit është urdhëruar që t’i ndërpresë punimet për shkak të mos sigurisë.

Por, kompania nuk e kishte respektuar vendimin duke i vazhduar punimet derisa inspektorati ishte detyruar që ndalimin e punës ta bëjë me Polici.

Vdekja e 29 vjeçarit në vendin e punës është e gjashta me radhë brenda 4 muajve të parë të këtij viti.

Sipas kryeinspektorit, pavarësisht shtimit të numrit të inspektimeve dhe gjobave të shqiptuara për kompani ndërtimi, punëdhënësit vazhdojnë të mos ofrojnë siguri në punë.