Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka paralajmëruar sot një tur në mbarë vendin me ekspertë për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve dhe vendit tonë, njofton kumtesa nga Kuvendi, transmeton Koha.net.
Pas turit të tij dëgjimor, kryetari Veseli ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë ide të mrekullueshme, por kanë edhe shqetësime të mëdha.
Ai ka thënë se qytetarët tanë mendojnë se politika dhe politikanët, më shumë sesa të merren me problemet e qytetarëve tanë, po merren me problemet e njëri-tjetrit.
“Në vend se të merren me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, politikanët janë duke u krijuar probleme të reja qytetarëve dhe vendit. Kjo sjellje duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë”, ka thënë kryetari Veseli.
Kreu i PDK-së ka thënë se ekziston një hendek i thellë mes asaj çka duan qytetarët dhe asaj çfarë bëjnë politikanët në debatet e tyre shterpe në ulëset e Kuvendit, në Qeveri ose në studiot televizive.
"Ky hendek është krijuar, sepse politikanët tanë kanë pushuar së dëgjuari popullin”, u shpreh kryetari Veseli.
Ky është fjalimi i plotë i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli:
Ashtu siç jeni të njoftuar, kam pasur një tur dëgjimor në mbarë Kosovën, për të dëgjuar drejtpërdrejt shqetësimet e qytetarëve tanë. Për t’i njohur më mirë nevojat e tyre.
Kam dëgjuar të rinjtë në Prizren, studentët në Gjilan, minatorët në Mitrovicë, vreshtarët në Rahovec, ndërmarrësit në Ferizaj, nxënësit e shkollës profesionale në Skënderaj, arsimtarët në Prishtinë, pensionistët në Gjakovë, zyrtarët e sigurisë në Vushtrri, krenarinë tonë- kadetët e FSK-së në Kazermën “Adem Jashari”, e mijëra e mijëra qytetarë të tjerë nga çdo shtresë e shoqërisë.
Kam dëgjuar për sfidat me të cilat ata përballen dhe për idetë që ata kanë për ta çuar vendin tonë përpara.
Mijëra njerëz iu bashkuan turit tim dëgjimor – burra dhe gra, gjimnazistë dhe pensionistë, fermerë dhe punëtorë fabrikash, mjekë dhe mësues – patriotët e mëdhenj të Kosovës të cilët kujdesen jashtëzakonisht për vendin tonë.
Më lejoni t’ju them se – qytetarët e Kosovës kanë ide të mrekullueshme, por kanë edhe shqetësime të mëdha.
Para së gjithash, qytetarët tanë mendojnë se politika dhe politikanët, më shumë sesa të merren me problemet e qytetarëve tanë, po merren me problemet e njëri-tjetrit.
Në vend se të merren me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, politikanët janë duke u krijuar probleme të reja qytetarëve dhe vendit. Kjo sjellje duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Gjithë këto javë, kam parë hendekun e thellë mes asaj çka duan qytetarët dhe asaj çfarë bëjnë politikanët në debatet e tyre shterpe në ulëset e Kuvendit, në Qeveri, ose në studiot televizive.
Ky hendek është krijuar, sepse politikanët tanë kanë pushuar së dëgjuari popullin.
Partia Demokratike e Kosovës do të jetë partia që dëgjon qytetarët tanë dhe veprimet tona do të vendosen nga nevojat e tyre!
Unë e kuptoj se cilat çështje shqetësojnë njerëzit e këtij vendi. Ata duan një lidership që do të krijojë vende pune, që do të rrisë sektorin e bujqësisë, dhe që do të fuqizojë të rinjtë dhe gratë tona për të marrë pjesë në mënyrë të barabartë në zhvillimin e shtetit tonë.
Unë i kam kuptuar mirë shqetësimet e qytetarëve tanë dhe kam vendosur të mos pres!
UNË KAM VENDOSUR TË VEPROJ.
Unë do të takohem me ekspertë nga e gjithë Kosova dhe me ekspertë ndërkombëtarë, përkitazi me këto tema në një turne gjithëkombëtar për zgjidhjen e problemeve me interes të vendit dhe të qytetarëve tanë.
Do t’i dëgjoj nga afër idetë e qytetarëve dhe idetë e ekspertëve, që të mund të ndërtojmë një plan serioz që i adreson këto shqetësime.
Politikanët nuk i dinë zgjidhjet për të gjitha problemet tona – ata duhet t’i dëgjojnë ekspertët që punojnë në këto fusha, profesorët që ligjërojnë për këto tema, dhe liderët ndërkombëtarë me përvojë jashtë Kosovës.
Vetëm pas dëgjimit të qytetarëve dhe ekspertëve, ne do të mund të kemi një plan serioz – jo vetëm ndonjë slogan – për ta çuar Kosovën përpara.
I ftoj qytetarët tanë, të më bashkohen gjatë javëve në vijim, në këtë tur për zgjidhjen e problemeve të vendit, qoftë personalisht, ose përmes internetit në faqen time www.kadriveseli.com
Ndani idetë dhe përvojat tuaja, që së bashku të mund ta hartojmë planin e duhur për një fillim të ri për Kosovën.