Palmer: Objektivi i SHBA-së është anëtarësimi i Kosovës në OKB Foto: VoA

Palmer: Objektivi i SHBA-së është anëtarësimi i Kosovës në OKB

17 prill 2018 20:26

Integrimi i Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Evropian, do të varet nga përparimi në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Serbia duhet të zgjidhë problemin e mos-njohjes së Kosovës. Kosova nga ana e saj, ndonëse është ende larg anëtarësimit në BE, synon njohjen e saj të plotë nga komuniteti ndërkombëtar.

Drejtori i Departamentit të Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Matthew Palmer, në një intervistë me shërbimin serb të Zërit të Amerikës, thotë se objektivi i Shteteve të Bashkuara është që Kosova të hyjë në OKB.

Sipas analistit Daniel Serwer ky anëtarësim duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve.

Palmer e pranon periudhën e vështirë që po kalojnë Serbia dhe Kosova në procesin e dialogut, por u bën thirrje të dy vendeve që t’i rikthehen sa më shpejt dialogut.

“Mendoj se është e rëndësishme që palët të kthehet në tryezën e dialogut sa më shpejt të jetë e mundur, të përpiqen t’i lënë pas ngjarjet e para tri javëve dhe të shohin përpara dhe të përpiqen të gjejnë një mënyrë që të bëjnë përparim në programin për të cilin kanë rënë dakord”, tha ai.

Dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve është kyçi i integrimit të Kosovës dhe Serbisë në BE, i tha Zërit të Amerikës analisti i çështjeve të Ballkanit Daniel Serwer.

“Zbatimi i ligjeve është një problem i madh për Kosovën. Por, problemi vërtetë i madh për plotësimin e kushteve të anëtarësimit në BE nuk është teknik, por politik. Pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por edhe vendet e tjera që e kanë njohur atë, presin një normalizim të plotë të marrëdhënieve me Beogradin para anëtarësimit”, shtoi ai.

Palmer mendon se ka mundësi për përparim deri në fund të vitit 2018. Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, thotë se anëtarësimi i Kosovës në OKB, është objektiv i Shteteve të Bashkuara.

“Nuk kam ndonjë afat të caktuar për këtë. Anëtarësimi në Kombet e Bashkuara është një proces i ndërlikuar, është diçka që mund të dojë kohë për t’u realizuar, por integrimi i Kosovës në sistemin ndërkombëtar vazhdon, shpresoj shumë që të përshpejtohet dhe shpresoj shumë që në të ardhmen e afërt, Kosova të ketë një vend në Kombet e Bashkuara. Por e përsëris që nuk kam ndonjë datë të caktuar përveçse të them, sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Ndërsa, Serwer thekson se çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ku krijimi i Bashkësisë së Komunave serbe është çështja më urgjente për t’u zgjidhur mes dy palëve.

“Të dy vendet duhet të gjejnë rrugët për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe. Mendoj se Beogradi dhe Prishtina duhet të arrijnë një marrëveshje, ndoshta jo për njohje reciproke, por një marrëveshje për anëtarësimin e Kosovës në OKB, që do të ishte thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve. Dy vendet duhet të arrijnë marrëveshje edhe për shkëmbimin e përfaqësuesve diplomatikë në nivel ambasadorësh. Këto janë çështje shumë të vështira, jo vetëm për Beogradin, por edhe për Prishtinën. Pra, Kosova ka sfida të mëdha para saj”, theksoi Serwer.

Komisioni Evropian, në raportin e progresit që u publikua të martën, i kërkon Kosovës që të thellojë angazhimin në bisedimet me Serbinë dhe të punojë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, veçanërisht themelimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme