Arbëri

Ndërtimi i “Kosovës së Re” mund të rritë çmimin e energjisë për 44 për qind

44 për qind më shtrenjtë krahasuar me çmimin aktual, rrezikojnë të paguajnë qytetarët për faturat e energjisë elektrike.

Instituti GAP vlerëson se kjo rritje e çmimit të energjisë do të vijë për shkak të ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”.

Blend Hyseni nga ky institut, vlerëson se rreth 50 mijë familje do të paguajnë rreth 18 për qind të të ardhurave të tyre mujore në faturat e energjisë elektrike, raporton KTV.

Kurse, Agron Demi tha se ndërtimi i ‘Kosovës së Re’ do të ketë ndikim të gjithanshëm në ekonomi, buxhetin e shtetit, shëndet, në borxhin publik dhe ndikime të tjera.

Ai kërkon që të bëhet një raport zyrtar nga institucionet e vendit, se çfarë ndikimi do të ketë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” në faturat e energjisë.

Punimet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” planifikohet që të nisin vitin e ardhshëm, ndërsa përfundimi i punimeve dhe fillimi i prodhimit të energjisë më 2023.