Arbëri

Sefaj tregon nëse Gjuriqi do të lejohet të hyjë në Kosovë ose jo

00:20 - Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj në Interaktiv të KTV-së ka folur rreth arrestimit të Marko Gjuriqit në veri të Mitrovicës.

I pyetur nëse do të lejohet që Gjuriqi të hyjë në Kosovë në të ardhmen Sefaj është përgjigjur se kjo krejtësisht varet nga sjelljet e Gjuriqit.

Sipas Sefajt ai do të lejohet të hyjë në Kosovë vetëm nëse vjen me ndonjë ide kreative për të ndihmuar zhvillimin e vërtetë të jetës së serbëve në Kosovë, por jo me veprime të tilla të papranueshme ksenofobe.

“Çdo kërkesë e tij do të analizohet pasi ne nuk kemi probleme me individë, por nëse ai do të hyjë ose jo në Kosovë varet nga sjellja e zotit Gjuriq. Nëse ai vjen me ndonjë ide kreative se si do ta zhvillojë popullatën atëherë edhe ne do t’i ofrojmë mbështetje, por jo me sjellje të tilla ksenofobe. I kemi dhënë një ide që ai ta dorëzojë pasaportën e Serbisë dhe të vijë të jetojë në Kosovë që të ndihmojë me të vërtetë serbët në veri, do t’i jepnim një leje qëndrimi”, ka thënë Sefaj.

Sefaj ka thënë se Policia e ka trajtuar atë në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa shton se ka pasur polic edhe të etnive të tjera, përveç shqiptarëve që në mënyrë të jashtëzakonshme kanë kryer punën e tyre.

Ai ka bërë të ditur se Gjuriq nuk është deportuar, gjë që sipas tij duhet ta bëjë Vuçiqi. Ndërsa ka shtuar se, “një veprim i tillë i Gjuriqit ka rrezikuar të prishë harmoninë ndërmjet komuniteteve në Kosovë”.

Ka thënë se ndihet keq që bashkëpunëtorët e tij nga Lista Serbe në Qeveri ishin atë ditë bashkë me një klandestin në veri.


Sefaj: Lista Serbe të kërkojë dorëheqjen e Gjuriqit, jo timen

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka thënë se Lista Serbe nuk duhet të kërkojë dorëheqjen e tij, por duhet të kërkojë largimin e Marko Gjuriqit, shef i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

Serbët, në 3 propozimet e tyre, mes tjerash kërkojnë dorëheqjen e Sefajt dhe Maxhunit

Sipas Sefajt, Gjuriq me hyrjen e tij ilegale në Kosovë i ka shkaktuar problem popullit serb në veri.

“Unë nuk e kam dëgjuar që dikush ka kërkuar dorëheqjen. Por nëse Lista Serbe ka kërkuar dorëheqjen time sugjeroj të kërkojnë dorëheqjen e Marko Gjuriqit. Duhet ta kërkojë Lista Serbe, ne si institucione, shefi i tij Vuçiq. Ky djalosh i ka dalë nga dora. Duhet ta kërkojnë edhe ambasadat në Republikën e Serbisë. Institucionet ndërkombëtare duhet të kërkojnë këtë”, ka thënë Sefaj në Interaktiv të KTV-së.

Sefaj po ashtu ka thënë se Gjuriqi ka pasur ambicie të sëmura me tentimin që të hyjë ilegalisht në Kosovë.

“Të vetmit që kanë pësuar janë qytetarët në veri me ardhjen e Gjuriqit. Para së gjithash po shihet se ka një tendencë që Lista Serbe të largohet nga qeveria. Me largimin e saj do të ndalen proceset që kanë qenë pikërisht për përmirësimin e pakicave, në veçanti të serbëve. Nuk e di si guxon një djalosh me ambicie të sëmura të shkaktojë incident ndërkombëtar”, ka shtuar Sefaj.

Sefaj ka thënë po ashtu se operacioni për arrestimin e Gjuriqit të hënën ka qenë në koordinim të plotë i të gjitha institucioneve.

Por ka mohuar zërat se operacionet janë drejtuar nga zyrat politike duke thënë se gjithçka ka qenë nën drejtimin e policisë.