Haradinaj: Nuk rrëzohet qeveria shqiptare me largimin e komunitetit që me kushtetutë duhet të jetë në të

Haradinaj: Nuk rrëzohet qeveria shqiptare me largimin e komunitetit që me kushtetutë duhet të jetë në të

28 March 2018 21:31

22:10 - Kryeministri Ramush Haradinaj në Rubikon të KTV-së deklaroi se një qeveri me shumicë shqiptare në Kosovë, nuk mund të rrëzohet për shkak të largimit të Listës Serbe.

Ai ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me deputetët shqiptarë.

“Kam komunikim me deputetët e parlamentit të vendit... Disave ju vjen inati pse nuk po u rrëzuaka qeveria pse ka dalë Lista Serbe, por janë goxha budallenj ata që mendojnë se një qeveri e shumicës shqiptare rrëzohet për shkak se del partneri i komunitetit që me kushtetutë duhet të jetë brenda. Kalkulim gabim politik, budalla politik po e quaj”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk është asnjë parti shqiptare që e merr guximin sot që të iniciojë peticion me dalë në krahë të atyre për ta rrëzuar Qeverinë, me dalë në krah të atyre që pse është zbatuar kushtetuta largohen”, shtoi tutje ai. “Diçka dua t’ju siguroj, nuk mund të bie qeveria, as kjo e sotmja, as e nesërmja pse Lista Serbe del nga Qeveria”.

Haradinaj ishte njoftuar më herët për largimin e Listës Serbe

22:06 - Kryeministri i Kosovës ishte i njoftuar për largimin e Listës Serbe nga qeveria e Kosovës para arrestimit të Marko Gjuriqit.

“Më ka ardhur një komunikim prej zëvendëskryeministrit Jevtiq para se të ndodhte arrestimi se nëse do të shkonte zhvillimi në veri, në këtë rast nëse do të ndodhte dhunë e ndërhyrje, që ata do të jenë të detyruar të lëshojnë Qeverinë”, bëri të ditur Ramush Haradinaj për Rubikon të KTV-së. “Për ta, për serbët e Kosovës është më mirë që të kthehen në Qeveri”.

Largimi i Listës Serbe nuk është efekt serioz i Qeverisë, përkundrazi theksoi kryeministri, do të ndodhë konsolidimi i partive shqiptare.

Haradinaj thotë se ndonëse nuk vlerëson se zgjedhjet do ta ndryshonin, ai është i gatshëm që të shkojë në zgjedhje.


 Haradinaj thotë se me Radojiçiqin e lidh autoriteti i tij në veri

21:59 - Kryeministri Ramush Haradinaj në një intervistë për Rubikon të KTV-së foli për lidhjen e tij me serbin të shumëpërfolur për krim të organizuar në veri, Millan Radojiçiq.

“Autoriteti i tij në veri”, tha Haradinaj i pyetur se çka e lidh atë me Radojiciq. “Më duhet veriu, më duhet me mbërri te të gjithë që kanë autoritet atje, të komunikoj me ta, ta integrojmë veriun, t’i sigurojmë që është siguri për të gjithë”.

Haradinaj bëri të ditur se ka komunikim të rregullt me të.

E për lidhjen e Radojiciqit me vrasjen e liderit serb, Oliver Ivanoviq, Haradinaj tha se për këtë duhet pyetur prokurorinë.


Haradinaj për heshtjen e tij për arrestimin e Gjuriqit: Folën të gjithë, dikush duhet të punojë

21:50 - U komentua shumë heshtja e kryeministrit Ramush Haradinaj në ditën kur Marko Gjuriq nuk respektoi vendimin e Kosovës dhe u arrestua e u depërtua.

“U mbush televizioni, fol ai, fol ai, dikush duhet të punojë”, u përgjigj Haradinaj në Rubikon të KTV-së i pyetur se pse nuk foli atë ditë.

Haradinaj thotë së duhet pasur kujdes me deklarata dhe marrje meritash.

“Shteti është më serioz, nuk duhet eufori, nuk jemi duke bërë fushatë. I çon njerëzit atje, njëri prej anës tjetër me pas nxjerr një allti, këta me ja kthy, ku ishim sot”, ka thënë ai. “Menaxhimi i fitores është proces. Ata që fitojnë shpejt, humbin shpejt. U pa njëfarë euforie me tregu që ka zot shpije. Duhet me pas parasysh që edhe atij që ka humb, duhet me ja lënë një dinjitet përndryshe skenaret vazhdojnë”.


Haradinaj: Gjuriqin e kemi paralajmëruar dhe e ka ditur se do të arrestohej 

21:44 - Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, thotë se ishte informuar të dielën në mbrëmje për ndalesën që i është bërë Marko Gjuriqit që të hynte në Kosovë.

Haradinaj tha se nuk ishte lënë jashtë çështjes. Sipas tij çdo gjë ishte sipas protokollit.

“Unë jam informuar të dielën në mbrëmje. Motivi pse është ndaluar mund të diskutohet, për bindjen time nuk kam asgjë kundër që Gjuriq të vijë në Kosovë mirëpo kuptohet brenda procedurave. Qëndrimi im ka qenë që të zbatohet protokolli dhe nëse ministria e Drejtësisë nuk e ka dhënë lejen atëherë ministria e Brendshme le të veprojë. Kanë vendos kushtetuta dhe ligjet”, ka thënë ai.

“Kemi pas shpresë që të mos vijë dhe të mos ndodhë ajo që ndodhi. Mirëpo i kemi paralajmëruar dhe ata e kanë ditur. Me të thanë të drejtën unë do isha ndjerë i thyer nëse policia e Kosovës do të dështonte”, shtoi tutje Haradinaj.

Ndonëse aksioni i policisë ndodhi dhe Gjuriq u ndalua e u deportua nga Kosova, i pari i Qeverisë tha se për bindjet e tij edhe mund të lejohej të futej atë ditë në Kosovë.

Haradinaj bëri të ditur se kishte bërë çdo mesazh që ai mos të vinte atë ditë dhe mos të krijohej ajo situatë.


Sipas Haradinajt, së pari njohja reciproke Kosovë-Serbi pastaj çështjet tjera

21:37 - “Çelësi i të gjitha temave është njohja reciproke”, deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Rubikon të KTV-së duke folur për vazhdimësinë e dialogut me Serbinë.

Duke folur për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Haradinaj përmendi mirëqenien dhe integrimin e serbëve të Kosovës, e që sipas tij, vjen para Asociacionit.

“Presidenti Vuçiq duhet ta kuptojë dinamikën në Kosovë sepse këtu ka një dinamikë te brendshme. Para Asociacionit, për mirëqenien e serbëve të Kosovës është e rëndësishme të ketë sundim të rendit dhe ligjit, për të gjithë dhe jo vetëm për serbët”, ka thënë ai. “Përmbyllja e krejt problemeve është njohja reciproke. Njohja reciproke është çelësi i gjithë problemeve”.


Haradinaj: Formimi i njëanshëm i Asociacionit nuk jep efekte ligjore 

Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të formohet njëanshëm, kjo ngase nuk do të jetë legjitim. Këtë për Rubikon të KTV-së e tha kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Ai i vlerësoi deklaratat e Listës Serbe si të ngutshme dhe të gabuara.

“Nuk ekziston formula që ta formojnë vetë, është vetëm një legjislativ - Kuvendi i Kosovës. Fatkeqësisht është një qasje e gabuar. Nuk jep efekte ligjore dhe si i tillë është i pavlefshëm”, ka thënë Haradinaj. “Ajo që është e mençur nga serbët e Kosovës është ta marrin këtë energji pozitive që ekziston te ne, për t’i integruar dhe të ndjehen si në shtëpinë e vet. S’mendoj që duhet të shkojmë aq larg”.

Haradinaj theksoi se Lista Serbe po gabohet kur po jep ultimatume sepse kjo nuk është zgjidhja e normalizimit të raporteve.

Kujtojmë se përfaqësues të komunave serbe sot u mblodhën në veri të Mitrovicës ku prezantuan logon e Asociacionit. Ata deklaruan se nëse formimin e bashkësisë së komunave nuk e bën Qeveria e Kosovës deri më 20 prill, atë e bëjnë njëanshëm serbët.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme