Si i mbrojti në Kuvend Haradinaj të akuzuarit për krim të organizuar

Si i mbrojti në Kuvend Haradinaj të akuzuarit për krim të organizuar

14 mars 2018 19:15

Kryeministri Ramush Haradinaj, në Kuvendin e Kosovës, ka shfajësuar të akuzuarin për krim të organizuar, Azem Syla.

Ka qenë deputeti Glauk Konjufca, që e ka përmendur rastin “Toka”, ku Syla akuzohet si udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, si një prej dështimeve në luftën kundër korrupsionit.

Kjo ka nxitur reagimin e kryeministrit Haradinaj, që tha se më shumë faj ka gjyqësori se Syla.

Haradinaj tha se ka pasur edhe persekutime, duke përmendur rastin e Fatmir Limajt.

Ndaj deklaratave të tilla ka heshtur Këshilli Gjyqësor i Kosovës, e njëjtë ato nuk i ka komentuar as misioni evropian i EULEX-it, që është pyetur edhe për deklaratat e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ky i fundit, në Express të KTV-së, ditë më parë, tha se misioni është treguar joefikas dhe ka zvarritur raste me vite, përfshirë rastin “Toka”.

Përndryshe, te ky rast, që së fundmi kaloi te gjyqtarët dhe prokuroria vendore, pak ditë më pas, ndërruan masat e sigurisë për disa prej të akuzuarve.

Ish-deputetin e PDK-së, Syla, megjithëse mbrojtja kishte kërkuar zëvendësimin e paraburgimit me arrest shtëpiak, gjykata e la të mbrohet në liri.

Prokuroria, siç kanë bërë të ditur nga zyra për media, ende nuk ka pranuar vendimin për masë, rrjedhimisht, ende nuk është ankuar ndaj tij.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme