Arbëri

Ministrja Hoxha thotë se Kosova plotësoi vetëm 30 % të MSA-së

Qeveria e Kosovës është shfaqur e pakënaqur me strategjinë e publikuar nga Komisioni Evropian, raporton KTV.

Për institucionin që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj, Kosova ka të listuara një varg arritjesh, të cilat do të duhej t’i pranonte BE-ja.

Madje kanë thënë se me qeverinë e re, Kosova ka implementuar shpejt dhe me efikasitet prioritetet kyçe të listuara në Agjendën e Reformave Evropiane dhe ka bërë progres të konsiderueshëm në përmbushjen e kritereve të përgjithshme të MSA-së.

Por, ndryshe nga këta rreshta të komunikatës së qeverisë, flet ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha.

Ajo ka pranuar se Kosova është prapa me reforma në shumë fusha dhe është arritur që vetëm 30 për qind të plotësohet MSA-ja. Kur foli për ERA-n, tha se nga 22 prioritete, vetëm 1 është plotësuar.

Por, njohësja e integrimit evropian, Jehona Lushaku Sadriu, thotë se edhe ministrja është përgjegjëse për moszbatimin e MSA-së, prandaj, sipas saj, nuk duhet të dilet publikisht për t’u shfajësuar. Njohësi Artan Murati thotë se ajo çka ka paraqitur të martën Bashkimi Evropian ka qenë e pritur, duke pasur parasysh mënyrën se si Kosova i është qasur procesit të integrimit.

Por, megjithatë, institucionet kanë parë diçka pozitive në këtë strategji të lansuar një ditë më herët nga BE-ja.

Ministrja Hoxha ka thënë se BE-ja i ka hapur derën Kosovës, e cila duhet të ecë me hapa më të shpejtë drejt reformave, ndërkaq pozitiv e sheh faktin që Kosova e ka rrugën e vet të ndarë nga Serbia. Edhe Jehona Lushaku Sadriu thotë se aspekti pozitiv në këtë strategji është që e kushtëzon edhe Serbinë të zgjidhë të gjitha kontestet para anëtarësimit.