Arbëri

Surroi: Kush po i shtyn serbët e Kosovës drejt Beogradit

Shkrimtari e publicisti Vetor Surroi, në një postim në Facebook, ka shfaqur pikëpamjet rreth asaj se kush po i shtyn serbët e Kosovës që ata të shkojnë drejt Beogradit. Këtë, shkuarje, pos Listës Srpska, sipas tij, po e bën edhe programi televiziv në serbisht në RTK2, sidomos me raportimet e tij për ngjarjet sportive.

“E vetmja gjë që mund të tregojë se serbët disi janë në Kosovë është parashikimi i motit”, ka thënë Surroi.

Ky është postimi i plotë i Surroit:

“Edhe shteti i kapur i Kosovës po i shtyn serbët e Kosovës drejt Beogradit. Kjo nuk shihet vetëm te politika e "lartë", si Lista Sërpska, një krijesë e përbashkët Thaçi-Vuçiq për të akomoduar gjoja dialogun e Brukselit dhe rezultatet e tij. Mjafton të shikohet sporti në lajmet serbisht të Televizionit publik, të kontrolluar nga PDK-ja. Mbrëmë RTK2 informoi gjerë e gjatë për ndeshjen e radhës mes përfaqësueses së Serbisë me Gjeorgjinë, dha po ashtu lajmin se një ekip i Çagllavicës në kick box paska dalë më i miri në Ligën e Serbisë. Ah, po, po ashtu u përmend se skuadra e Kosovës do të luajë ndeshjen e radhës në Shkodër, kundër Islandës, ndoshta si përmbushje e interesimit të publikut për Islandën.
Në RTK2 në gjuhën serbe, të kontrolluar nga PDK , serbëve të Kosovës e vetmja gjë që mund të tregojë se disi janë në Kosovë është parashikimi i motit.
Të trajtuar kështu, si të huaj, pastaj pritet që të mendojnë e votojnë për interesa të Kosovës?”