Arbëri

Ish-kryeadministratori i Kosovës interesohet për hapat zhvillimor të Kosovës

Descriptive Text

Prishtinë, 15 mars - Ish kryeadministratori i Kosovës, Joakim Ryker, i cili po qëndron në Kosovë, është pritur sot nga kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini. Ata, siç thuhet në njoftimin për media, biseduan lidhur me progresin e arritur në vendin tonë që nga koha kur ai ishte në krye të UNMIK-ut, sidomos në aspektin ekonomik.

Agim Shahini, kryetar i AKB-së, e informoi ish administratorin lidhur me zhvillimet e përgjithshme, sidomos ato ekonomike në vendin tonë që nga koha kur ai u largua nga Kosova më 2010 e këndej.

“Nga ajo kohë Kosova ka ndryshuar mjaft, por pritjet kanë qenë edhe më të mëdha sesa është bërë deri tash në zhvillimin e vendit me theks të veçantë në fushë ekonomike. Vendit tonë i duhet një zhvillim më i fuqishëm ekonomik, për të cilën duhet më shumë angazhim”, tha Agim Shahini.

Nga ana tjetër Joakim Ryker, ish kryeadministrator i Kosovës, tha se AKB-ja gjithmonë ka pasur mision zhvillimin ekonomik të Kosovës, mision i cili akoma po vazhdon me shumë sukses.

“Unë si shef i shtyllës IV dhe si kryeadministrator i Kosovës, kam mbështetur gjithnjë iniciativat e AKB-së, e të cilat ishin edhe në përputhje me misionin tim”, tha Ryker.

Ai tha se ndihet mirë që akoma AKB-ja po vazhdon me trendin e njëjtë të misionit të saj për zhvillimin ekonomik dhe për këtë e mbështes edhe nga pozita e tashme që kam në Gjermani.

“Ngado që shkoj jam në mbështetje të fuqishme të Kosovës e cila është vendlindja ime e dytë. Ndihem mirë që pas një kohe përsëri jam në Kosovë, gjë për të cilën jam edhe i emocionuar”, tha Joakim Ryker.

Ish-kryeamdinistratori i Kosovës, tha se ishte ai i cili e kishte paraqitur në Këshillin e Sigurimit shpalljen e pavarësisë.

“Ajo ishte njëri nga momentet më të paharruara dhe po ashtu edhe dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, tha Ryker.

Ai tha se e dëshiron Kosovën të zhvilluar ashtu si vendin e tij Gjermanin.

Në shenjë falënderimi për kontributin e tij të dhënë në zhvillimin e Kosovës, sidomos në aspektin ekonomik, kryetari i AKB-së i dhuroi një mirënjohje ish kryeadministratorit Joakim Ryker.