Arbëri

Pabarazia gjinore në buxhetim mbetet shqetësuese në Kosovë

Ka pabarazi të madhe në buxhetimin gjinor, sikurse edhe në përfaqësimin e grave në pozita vendimmarrëse.

Fuqizimi i grave është proces nga i cili varen të gjitha proceset e tjera vitale të shtetit, në radhë të parë zhvillimi ekonomik, edukimi i të rinjve dhe demokratizimi i shoqërisë në përgjithësi.

Kështu u tha të mërkurën në takimin e organizuar nga Grupi i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, në të cilin u diskutua për buxhetimin gjinor. Aty morën pjesë gratë deputete dhe ato asambleiste nga të gjitha komunat e Kosovës.

Kryetarja e grupit të grave deputete, Blerta Deliu-Kodra, shprehu shqetësimin e saj për mungesën e madhe të përfaqësimit të grave në pozita vendimmarrëse. Sipas saj shqetësuese mbetet edhe mos zbatimi i ligjeve, të cilat parashohin përfaqësimin e grave në institucione.

“Në numër total të shërbyesve civilë 41 për qind llogaritet të jenë gra, shqetësuese edhe në këtë përqindje gjithashtu mbetet pozita drejtuese që janë vetëm 5.2 për qind të pozitave drejtuese, të cilat udhëhiqen nga gratë. Janë 23 komuna, të cilat kanë drejtore dhe po ashtu dua të përmend komunën e Drenasit si komuna e parë, e cila ka siguruar një përfaqësim me 5 drejtori që udhëhiqen nga gratë. Pastaj, vjen Kamenica, Vushtrria, Fushë Kosova me nga tri drejtori të udhëhequra nga gratë. Me së dobëti në përfaqësimin e grave mbetet komuna Dragashit dhe ajo e Hanit të Elezit”, tha Deliu-Kodra.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se fuqizimi i grave është proces nga i cili varen të gjitha proceset e tjera vitale të shtetit, në radhë të parë zhvillimi ekonomik, edukimi i të rinjve dhe demokratizimi i shoqërisë në përgjithësi. Ai tha se nuk ka shoqëri të emancipuar pa emancipimin e grave.

“Është një parim i njohur se nuk ka shoqëri, as nuk mund të ketë shoqëri të emancipuar pa emancipimin e grave. Por, që të arrihet ky emancipim, na duhen politika të qarta dhe të vendosura që stimulojnë aktivizimin, përkatësisht marrjen e përgjegjësinë e grave në shoqërinë tonë. Në radhë të parë duhet të kemi të qartë se barazia gjinore nuk është çështje e retorikës së politikës sonë ditore. Barazia gjinore është interes nacional dhe strategjik i shoqërisë sonë që aspiron zhvillimin dhe ecjen përpara në proceset euro-atlantike”, tha Veseli.

Kreu i legjislativit përmendi edhe miratimin e një mori ligjesh nga Kuvendi, që në përmbajtjen e tyre formale, janë ligje të standardeve më të mira evropiane, por ajo që shihet është se këto ligje po hasin në vështirësi gjatë zbatimit të tyre.

Ndërkaq, zëvendës-shefja e UNDP-së Alesandra Rocasalvo foli rreth pjesëmarrjes së gjinisë femërore në pozitat udhëheqëse të vendit, duke rikujtuar se Kosova ka pasur një president grua Kosova, por edhe prokurore, dhe ka edhe gra biznesmene që kanë formuar kompani.

“Më lejoni të shpreh respektin për të gjithë gratë dhe burrat që punojnë në çështje të agjendave. Ne e dimë se agjendat janë sfiduese për shoqërinë. Kosova duhet të shfrytëzojë talentin e popullatës në politikë, ekonomi, akademi”, ka thënë ajo.

Për më tepër, ajo theksoi se kjo çështje është e pranishme edhe në vendin e saj në Itali dhe se nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën. Ajo tha se duhet punuar më shumë për të gjetur talente sidomos tash kur bëhet fjalë se jemi në shekullin 21.

E pranishme në këtë takim, ishte edhe kryetarja e porsazgjedhur e komunës së Preshevës Ardita Sinani, e cila kërkoi që femra mos të shihet vetëm si shtylla e familjes, por edhe e shoqërisë dhe të gjitha proceseve politike e shoqërore. Ajo tha se femra gjithmonë është rreshtuar përball sakrificës si nënë, si intelektuale, organizatore e udhëheqëse e institucioneve.

“Një faktor i rëndësishëm i realizimit të të drejtave të barabarta mes gjinive dhe avancimit të femrës dhe pozitës së saj në shoqëri pa dyshim është pavarësia financiare e femrës. Realizimi i plotë i buxhetimit gjinor është fitorja e radhës dhe me rëndësi të veçantë në luftën tonë të përbashkët. Buxhetimi gjinor do të jetë edhe si garanci për të siguruar planifikim të barabartë mes gjinive në çdo segment të institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, padyshim se do të promovoj pozitën e femrës dhe avancimin e saj përmes punësimit, angazhimit apo trajtimit si bashkëpunëtor të barabartë dhe të obliguar”, u shpreh ajo.

Anëtarja e bordit të grupit të grave, deputetja Shqipe Pantina tha se pabarazia gjinore është edhe pabarazi shoqërore dhe si të tillë duhet trajtuar. Por, ajo pati një kërkesë tjetër për të diskutuar rreth pabarazisë gjinore.

“Është fakt i hidhur se në Kosovë për fat të keq ka shumë pabarazi dhe diskriminim. E pabarazia gjinore po ashtu është shumë e theksuar. Diskutimet që kanë në qendër të vëmendjes pabarazinë në baza gjinore janë çdo herë të mirëseardhura dhe një diskutim i tillë është dashur të mbahet edhe në këtë sallë por jo vetëm mes grave por me kolegët deputetë burra sidomos me 8 mars, e jo siç u kërkua që seanca të shtyhet për shkak se një grup ka pasur qëllime dhe arsye tjera për këtë datë”, tha Pantina.

Asambleistja nga komuna e Vitisë Vjosa Kadolli tha se buxhetimi i përgjegjshëm gjinor mundëson luftimin e pabarazisë gjinore.

“Për përgatitjen dhe planifikimin e përgjegjshëm gjinor, komuna duhet të rris pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje ekonomike dhe në proceset buxhetore. Për përgatitjen e përgjegjshëm gjinor, komuna duhet të rris pjesëmarrjen, këshillimin në përgatitjen dhe monitorim gjinor, të bëjë procesin buxhetor sa më transparent, të pranoj zërin kritik dhe monitorues të shërbimeve. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor është një qasje e re për ta luftuar pabarazinë gjinore dhe për t’i plotësuar si duhet nevojat e burrave dhe grave duke reflektuar edhe në politikat publike”, tha Kadolli.

Nga ky takim kanë dalë edhe rekomandime, të cilat synojnë rritjen e barazisë gjinore në buxhetim.

Image