Arbëri

Rifaj: Ministri Abrashi kundërligjshëm emëroi këshilltarin e tij drejtor në Agjencinë e Punësimit

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk po e respekton vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili me një vendim ka anuluar konkursin për drejtor të përgjithshëm në Agjencinë e Punësimit.

Ndonëse ky vendim i KPMSHCK-së e obligon edhe Qeverinë e Kosovës që në afat prej 15 ditësh të zbatojë vendimin, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Bëhet fjalë për përzgjedhjen e drejtorit të Agjencisë së Punësimit, Drin Haraqia, i cili deri në emërimin e tij në këtë pozitë ka qenë këshilltar i ish-ministrit të Punës, Arban Abrashi, raporton Kosovapress.

Fillimisht për këtë pozitë, ministria e Administratës Publike si organ kompetent lidhur me rekrutimin e zyrtarëve të lartë drejtues në shërbimin civil të Kosovës, më datën 13 janar të këtij viti kishte shpall konkurs për pozitën e lartcekur dhe më datën 05 prill, Qeveria e Kosovës kishte emëruar në këtë pozitë Drin Haraqinë.

Haraqia, para se të emërohej në këtë pozitë, ka qenë këshilltarë i lartë i ministrit Arban Abrashi. Menjëherë pas emërimit të tij, njëri nga pjesëmarrësit në këtë procedurë të rekrutimit, Dëfrim Rifaj, kishte paraqitur ankesë në Komisionin për Ankesa për Pozita të larta drejtuese në Ministrinë e Administratës Publike. Ky komision e kishte refuzuar ankesën e ankuesit Rifaj, ndërsa i njëjti kishte deponuar ankesë në KPMSHCK.

Ky organ, sipas dokumentit që e ka siguruar KosovaPress-i, ka gjetur se ka pasur shkelje të shumta në emërimin e drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë e Punësimi dhe me vendim të datës 18.09.2017 kishte aprovuar ankesën e ankuesit Rifaj.

Ky i fundit ka treguar rastin edhe për KosovaPress, duke thënë se i është bërë e padrejtë pasi ish-ministri e ka emëruar kundërligjshëm këshilltarin e vet.

“Në këtë konkurs kanë marrë pjesë 22 persona, prej 22-ve, 3 kemi qenë në listë të ngushtë. Në listë të ngushtë parashihet të tretë të jemi në kushte të barabarta por është preferencë e ministritë që ia propozon kryeministrit për zgjedhje... Ministri Arban Abrashi ka përzgjedh këshilltarin e lartë të vetin. Këshilli e ka konstatuar edhe janë shkelje të rënda se një këshilltar i lartë politik po emërohet në shërbim civil, nuk janë plotësuar kriteret bazë të konkursit”, tha Rifaj.

Ai po ashtu ka treguar se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka aprovuar kërkesën e tij por ai ka paralajmëruar se këtë rast do ta dërgojë edhe në Gjykatën Kushtetuese.

“Këshilli ka marrë një vendim për pezullim deri në shqyrtimin e lëndës, por nuk është respektuar nga ministri Arban Abrashi. Atëherë merr vendim për anulim të të gjithë procedurës së konkursit dhe prapë nuk merret kjo në shqyrtim nga ish-ministri dhe nga ministri aktual duhet të merret vendim apo kryeministri, janë afatet ligjore, të gjitha afatet ligjore kanë kaluar dhe këtu nuk është marrë vendimi. Kjo çështje është që 3 muaj... Qeveria dhe ministri, nëse nuk e zbatojnë, unë do të marrë masa konform ligjit në fuqi drejtuar gjykatës deri në Gjykatën Kushtetuese. Ligjet e parashohin se vendimet e Këshillit nuk janë të negociuara por janë vendime të prera dhe kemi raste adekuate ku ka marrë vendim Gjykata Kushtetuese për vendime të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës”, tha Rifaj.

Ai po ashtu ka thënë se për këtë çështje e ka njoftuar edhe Ambasadën e Britanisë së Madhe, pasi në këtë rast gjatë procesit të rekrutimit dhe intervistimi kanë qenë edhe kompania angleze, por që nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Përgjigje për këtë çështje, pavarësisht insistimit të KosovaPress-it, nuk është arrit të merret as nga zyra e kryeministrit por as nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Pyetjeve nuk u janë përgjigjur as zyrtarët e KPMSHCK-së.