Arbëri

Grafiti “vdekje shqiptarëve” në oborrin e shtëpisë së shëndetit në Bujanoc

Bujanoc -grafiti "vdekje shqiptarëve"

Grafiti “vdekje shqiptarëve” është shkruar në oborrin e shtëpisë së shëndetit në Bujanoc. 

Për këtë ka reaguar deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai këtë e ka quajtur “Albanofobi e nxitur”. 

“Pas deklaratave të shefit të vartësit të Aleksandar Vuçiqit, Dragan Stevanoviq - Bocke dhe Drejtori i Shërbimit të Trupit koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Nenad Mitroviq të cilët nxituan të gjykojnë protestën e djeshme të shqiptarëve për të drejta e barazi, sot, kemi reagimin e para albanfob në Bujanoc.Në oborrin e Shtëpisë së Shëndetit në Bujanoc është shkruar një mbishkrim "Smrt siptarima" (Vdekje shqiptarëve) deri më tani, nga persona të panjohur”, ka shkruar Kamberi në Facebook. 

Ai ka thënë se këta dy zyrtarë shtetërorë, duke sulmuar të drejtën e shqiptarëve për protesta, për libra, për integrim, për njohje të diplomave, për ndalesë të pasivizimit të adresave, për zhvillim ekonomik, kanë nxitur një valë reagimesh antishqiptare, kulmi i së cilës sipas Kamberit u arrit me këtë mbishkrim në institucionin shëndetësor.

“Akoma nuk ka asnjë reagim nga organet e rendit, që është veprim krejt ndryshe nga ai para disa ditëve, kur një komentues shqiptar në Facebook, ishte arrestuar ‘për nxitje të urrejtjes ndërnacionale’ dhe të cilit është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Natyrisht, nxitësit e kësaj albanofobie, Bocke dhe Mitroviq, mbeten të heshtur, sepse, në një shtet ligjor do të ishin të parët ndaj të cilëve do të duhej të ndërmerreshin masa ndëshkuese”, ka shkruar Kamberi.

Për këtë ka shkruar kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës Nevzad Lutfiu. 

“Në oborrin e Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc gjatë ditës së sotme, qytetarët e kanë parë këtë grafit ‘vdekje shqiptarëve’”, ka shkruar Lutfiu në Facebook ku ka bashkangjitur edhe një fotografi të grafitit.

Ai ka ftuar organet e rendit që ta zbulojnë autorin dhe të marrin masa. 

Ky grafit është shkruar pas protestës që shqiptarët e Luginës së Preshevës e mbajtën të hënën, për të kërkuar trajtim të barabartë në Serbi.

Me moton “Për identitet dhe dinjitet”, me qindra qytetarë dhe udhëheqës të partive politike në Luginë të Preshevës, kanë shprehur kërkesa për njohjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe si dhe njohjen e diplomave të lëshuara nga Kosova.

Protestuesit të hënën kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me protesta deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. 

Disa javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë. 

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave. Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tash janë pasivizuar rreth gjashtëmijë adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.