Arbëri

Qeveria miraton projektligjin për zyrtarët publikë

Qeveria

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për zyrtarët publikë, në një mbledhje elektronike të premten, tetë muaj pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi disa nene të ligjit.

Para miratimit të këtij projektligji, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bensik Tahiri, tha se Qeveria nuk i ka përfshirë rekomandimet për këtë ligj dhe se përmes tij “po e sulmon administratën shtetërore”.

Pasi PDK-ja e LDK-ja e patën dërguar në Gjykatë Kushtetuese këtë ligj, Kushtetuesja pati vendosur më pas se vetëm disa nene të tij nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kushtetuesja pati rrëzuar rreth 10 nene. Në mesin e dispozitave që kanë rënë ndesh me Kushtetutën qenë shtatë paragrafët e parë të nenit 99 për Dispozitat kalimtare, me të cilin ishte paraparë që një vit pasi ligji të hyjë në fuqi, zyrtarët me kontrata të përhershme të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues t’i nënshtrohen një konkursi të hapur për t’i ruajtur pozitat e tyre.

Më pas Gjykata pati rrëzuar edhe paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 për Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtarit publik, me të cilin për pozita specifike do të kërkohej përshtatshmëria për emërim në atë pozitë. Dhe, kriteret për plotësimin e përshtatshmërisë do të përcaktoheshin me propozim të ministrit përgjegjës për Administratë.

Antikushtetues qe shpallur edhe paragrafi 6 i nenit 67 për Listën e Pritjes, me të cilin të drejtat e nënpunësve civilë, duke përfshirë pagat dhe trajnimin e tyre do të përcaktoheshin nga Qeveria me propozim të Ministrit për Administratë e atij për Financa.

Në mbledhjen elektronike është emëruar edhe komisioni ad-hoc për vlerësimin profesional për përzgjedhjen e drejtorit ekzekutiv në Agjencinë Antidoping: Xheladin Krasniqi, ushtrues i detyrës së sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kryesues; Fadile Dyla, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare; Anita Kalanderi, sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Drejtësisë, anëtare; Taulant Balaj, udhëheqës i Divizionit për Burime Njerëzore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar; Gëzim Murseli, ekspert i jashtëm, anëtar.