Nart Gjata nga Qendra “FIT” ka thënë se partitë politike bëjnë kalkulime kur bëhet fjalë për arsimin, pasi konsiderojnë se mund të humbasin vota.
I ftuar të enjten në “Konfront” të KTV-së, mbi debatin për “shpëtimin” e arsimit, Gjata ka thënë se për t’u implementuar strategjia e arsimit, duhet të bëhen sakrifica të mëdha, si mbyllja e shkollave e testimi i mësimdhënësve.
“Ne kemi besuar që strategjia e arsimit kur ka dalë në vitin 2022-2026 kemi besuar që ka filluar diçka a të ndryshojë. Fatkeqësisht kjo ka stagnuar qysh në vitin e parë, nuk i ka arritur as 60 për qind të objektivave të saj. Nuk e di ku çalon problemi dhe ku është ngecja e zbatimit. Duhet të bëhen sakrifica shumë të mëdha, teknikisht të humbasin edhe shumë vota, për arsye se duhet të mbyllen shkolla, duhet të bëhen teste. Janë rreth 22 mijë anëtarë në familjet e mësimdhënësve, i bie që janë një grup elektoral shumë i madh dhe ‘ngacmimi’ i tyre kuptohet se sjell edhe shumë pakënaqësi. Mendoj se partitë politike kanë bërë kalkulime, ka qenë rasti i Kamenicës kur Qëndron Kastrati i ka humbur zgjedhjet në bazë të reformës dhe ministria e ka marrë një vendim jokushtetues për ta ndalë atë reformë”, ka theksuar Gjata.
Gashi shpjegon qëllimin e peticionit për “shpëtimin e arsimit”
Drejtori i organizatës “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, ka thënë se janë tri metodat që po përdoren me qëllim të ngritjes së nivelit të arsimit në Kosovë.
Ai ka deklaruar se vëzhgimi në klasë, vlerësimi nga ana e nxënësve për mësimdhënësit dhe vetëvlerësimi i mendësisë së mësimdhënësit, janë instrumentet me të cilat synohet të ketë sukses në matjen e cilësisë.
“Vëzhgim në klasë, menaxhmenti, jo një inspektor i jashtëm, menaxhmenti që njeh mësimdhënësin hyn në klasë dhe vëzhgon një orë. Vlerësimi nga ana e nxënësve që s’ka ndodhur kurrë në Kosovë, kurrikula e 2023-s e parasheh vlerësimin nga nxënësit dhe vetëvlerësimi i mendësisë të mësimdhënësit”, ka thënë Gashi.
Sipas tij, nëpërmjet shoqërisë civile po synohet të thyhen barrierat e arsimit në Kosovë.
“Kolektivisht 15 organizata mund ta bëjnë, e ky është qëllimi i peticionit”, ka shtuar ai.
Gjurgjeala: Mësimdhënësit duhet të turpërohen nga rezultatet, jo nga nismat
Jehona Gjurgjeala nga Organizata “Toka”, ka thënë se mësimdhënësit në Kosovë duhet të turpërohen nga rezultatet që dalin nëpër testime dhe jo nga nismat, si vlerësimi vjetor i tyre.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Gjurgjeala ka thënë se qëllimi nuk është ndëshkimi i mësimdhënësve, por që të kuptohet gjendja.
“Mësimdhënësit tanë janë produkt i sistemit arsimor që po dështon ndër gjenerata e gjenerata. Ne të gjithë punojmë me mësimdhënës në mënyra të ndryshme në organizatat tona. Nuk po insistojmë në këtë temë për shkak se duam t’i ndëshkojmë mësimdhënësit, qëllimi është ta kuptojmë njëherë si është gjendja e më pas ta krijojmë një sistem të mbështetjes. Ajo çka duhet t’i ofendojë mësimdhënësit është rezultatet të cilat po dalin, nëse nuk skuqesh që në rezultatet e fundit niveli i analfabetizmit funksional e mbërrin 80 përqindëshin. Mund të konsiderohet shqetësuese, askush nuk e pëlqen mesazhin e mosbesimit, por kjo është çështje elementare e profesionit”, ka thënë ai.
Tri kushtet që duhet plotësuar sipas Gashit për ngritje të cilësisë në arsim

Drejtori i organizatës “Teach for Kosova”, Egzon Gashi, i ka propozuar tri çështje që duhet të plotësohen, në mënyrë që sipas tij, të ketë ngritje të cilësisë në arsim.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se duhet të ketë klasa me numër të kënaqshëm të nxënësve, të ketë mësimdhënës të motivuar dhe zhvillim profesional për mësimdhënësit.
“Kur kemi klasa me numër të kënaqshëm të nxënësve, kur kemi mësimdhënës të motivuar dhe të shkëlqyeshëm dhe kur kemi vlerësim që tregon zhvillimin profesional që iu nevojitet mësimdhënësve, atëherë do të kemi ndryshim në testin PISA”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se në tryezat për arsim gjithnjë flitet për pensionimin e parakohshëm të mësimdhënësve.