Arbëri

Pritje për më shumë siguri në Ballkan pas përurimit të bazës ajrore taktike të NATO-s në Shqipëri

Descriptive Text

Baza ajrore e Kuçovës në Shqipëri është riaktivizuar të hënën dhe do t’i shërbejë NATO-s. Investimi mbi 50-milionësh u inaugurua me ceremoni zyrtare. Baza u vlerësua se do të shërbejë për të rritur sigurinë në gjithë Ballkanin Perëndimor 

Aleanca veriatlantike, NATO, është bërë me bazë ajrore taktike në Kuçovë të Shqipërisë.
Në ceremoninë e inaugurimit të bazës, të hënën, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ajo do të shërbejë për të rritur sigurinë në gjithë Ballkanin Perëndimor. 
Ai u shpreh se kontribut të veçantë në hapjen e bazës kanë Italia e Turqia, të cilat kanë ndihmuar Shqipërinë me avionë.
“Shqipëria gjendet në anën tjetër, duke mirëpritur me respekt aleatët e saj dhe partnerë, në një aleancë që është së pari aleancë vlerash për garantimin e paqes...Një bazë, që është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, që e dimë është jo pak i rrezikuar nga Federata Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti është vazhdim i rritjes së flotës sonë ajrore”, tha Rama.
Gjenerallejtënant Juan Pablo Sanchez de Lara, komandanti i Qendrës së Kombinuar të Operacioneve Ajrore të NATO-s në Bazën Ajrore Torrejon në Spanjë, deklaroi se Shqipëria ka kapacitete të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen. 
“Nga qendra jonë jemi tejet të angazhuar të mbrojmë qiejt e NATO-s. Shqipëria është integruar plotësisht në sistemin e mbrojtjes ajrore të NATO-s më 2018, si pjesë e përpjekjes së saj për të rritur ndërveprueshmërinë dhe integrimin me Aleancën Veriatlantike, me synim për të siguruar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, theksoi ai.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji, deklaroi se kjo bazë do të luajë rol të rëndësishëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve nga jashtë.
Pjesë e ceremonisë ishte edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci. Sipas tij, baza do të frenojë çdo rrezik që vjen nga kundërshtarët e stabilitetit në rajon.
“Vlerësoj që për Shqipërinë në veçanti, por edhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor ka rëndësi të madhe strategjike prezenca e një baze të tillë taktike ajrore në Shqipëri. Veçanërisht për të krijuar një ambient të sigurt në Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë për të frenuar rrezikun që mund të vijë nga kundërshtarët e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Maqedonci.
Kjo bazë ajrore është ndërtuar më 1950, por në dekadat e fundit nuk ishte funksionale. Punimet për rindërtimin e saj nisën në janar të vitit 2022. NATO-ja ka investuar rreth 50 milionë euro, ndërsa Qeveria e Shqipërisë mbi 5 milionë euro.