Arbëri

Situatat pas konfliktit si modele për marrëveshje, pjesë e diskutimeve të Kurtit në Britani

Descriptive Text

Propozimi të cilin e përmendi emisari i Britanisë së Madhe, Stuart Peach, për zgjidhjen e mospajtimeve me Serbinë, zyrtarë të Ambasadës së këtij shteti në Kosovë, kanë lënë të nënkuptohet se është diskutuar edhe në takimet që kryeministri Albin Kurti pati javën e shkuar. Sipas tyre, vizita në Irlandën e Veriut ishte një mundësi që ai të mësonte më shumë për përvojat e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e çështjeve të ndryshme pas konflikt.

Përvojat e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e çështjeve të ndryshme pas situatave të konfliktit kanë qenë pjesë e diskutimeve në takimet që kryeministri Albin Kurti pati javën e kaluar.

Para dy ditësh, Emisari Britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, e përmendi pikërisht një marrëveshje që i referohet konfliktit në Irlandën e Veriut, tek foli për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Marrëveshja e Belfastit ishte nënshkruar në prill të vitit 1998 dhe ajo konfirmonte statusin kushtetues të Irlandës së Veriut dhe të drejtën e popullit atje për t'u identifikuar dhe pranuar si britanikë dhe irlandezë.

Të pyetur rreth këtij modeli, zyrtarë të ambasadës britanike në Prishtinë vetëm thanë se është mundësi e mirë për të përfituar nga përvoja e Britanisë së Madhe në zgjidhjen e konflikteve.

“Vizita e kryeministrit Kurti në Irlandën e Veriut ishte një mundësi që ai të mësonte më shumë rreth përvojës së Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e një sërë çështjesh të ndryshme pas konfliktit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Megjithëkëtë, në Ambasadën britanike thanë se mbështesin dialogun që po zhvillohet në BE.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet plotësisht mbështetëse e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe u kërkon të dyja palëve të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre”.

Në zyrën e kryeministrit Kurti nuk janë përgjigjur lidhur me modelin e propozuar nga Peach dhe nëse do ta konsiderojnë atë.

Mbështetur në komunikatat e Qeverisë, temë kryesore në takimet e Kurtit me zyrtarët britanikë nuk ka qenë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, por integrimet evropiane.

Mes tjerash, Kurti tha se Mbretëria e Bashkuar është vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve të saj e as nuk rri duarkryq përballë agresionit, dhunës dhe terrorit.

Kurti, por edhe vartës të tij në disa raste kritikuan Brukselin për anshmëri në procesin e dialogut, kohën kur asnjëra prej pikave të Marrëveshjes Bazë nuk ka nisur së zbatuari. Kërkesa kryesore që i bëhet Kosovës është themelimi i një asociacioni të komunave me shumicë serbe mbi propozimin që ka dhënë Bashkimi Evropian.