Arbëri

Ibishi: Pa partnerë, vështirë që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare të sigurisë

Descriptive Text

Mbështetja e partnerëve strategjikë, sipas ekspertit të sigurisë, Nuredin Ibishi, është e domosdoshme për anëtarësim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sigurisë.

Ibishi, të hënën në një intervistë në emisioni “60 Minuta” të KTV-së, ka thënë se Kosova nuk ka as fuqi diplomatike e as politike për të lobuar për anëtarësim.

“Është mirë që shpërfaqen kërkesat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare të sigurisë, euroatlantike, edhe për Interpol edhe për NATO, por realisht ne pa partnerët tanë strategjikë, vështirë është t’i arrijmë këto objektiva, ngecjet në anëtarësim në Interpol, në UNESCO, e të tjera, por edhe në NATO janë pasojë e moskoordinimit apo mosveprimit të duhur me partnerët tanë strategjikë”, ka theksuar Ibishi.

Ai e ka quajtur qesharake fushatën e lobimit të Kosovës për anëtarësim në Interpol.

“Ne jemi vend shumë i vogël për lobim, nuk na njeh askush, ne duhet të shkojmë kur i kemi SHBA-të, i kemi vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian, e kemi edhe Shqipërinë, nuk shkojmë të kërkojmë ndihmë nga ata, por mundohemi me fuqitë tona, ne nuk kemi as fuqi diplomatike, as politike”, është shprehur Ibishi, duke thënë se koordinimi me aleatët është i nevojshëm.

Ai ka folur edhe për situatën e sigurisë në veri, duke thënë se ajo është stabile por e brishtë deh me mundësi të eskalimit.

Sipas tij duhet të ketë prezencë të Policisë por edhe koordinim me faktorin ndërkombëtar për të parandaluar faktorët destabilizuaes, të cilat sipas tij vijnë nga Serbia.

Ibishi: Baza ajrore e NATO-s në Shqipëri e rëndëishme edhe për Kosovën e rajonin

Ibishi ka folur edhe për rëndësinë e bazës së re ajrore të NATO-s në Kuçovë të Shqipërisë, e cila është përuruar të hënë.

“Baza e parë ajrore e taktike, e para në Ballkanin Perëndimor, për herë të parë pas sa viteve do të kemi kontrollin ajror të NATO-s mbi territorin shqiptar, por edhe të disa shteteve”, ka theksuar Ibishi.

Sipas tij ajo do të jetë e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën e tërë rajonin.

“Shqipëria përgjithësisht, me vetë anëtarësimin në NATO, e tash edhe me ofrimin bazës taktike e ajrore, por edhe të ofrimit, siç e thash të portit Prto Romano, që do të jetë një port ushtarak dhe logjistik për mbështetje të forcave të NATO-s, tregon një përkushtim pafund, lidhur me prezencën e NATO-s dhe ofrimin e sigurisë jo vetëm për shtetin shqiptar, por edhe të Ballkanit në përgjithësi, e edhe atë që ka thënë Rama më herët se në rast se sulmohet Kosova, Shqipëria do të përgjigjet, kjo është një përgjigje rrallë e dëgjuar nga autoritet shqiptare deri më tani”, ka theksuar Ibishi.