Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka kërkuar emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, që të luajë rol ndihmues në heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.
Kosova është e sanksionuar nga BE-ja që nga qershori i vitit të kaluar pas tensioneve në veri.
Krasniqi u takua me Lajçakun në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalias të shtunën.
“Në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalisë, takova edhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Bashkë diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë. Emisarit Lajçak i shpreha shqetësimin për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës dhe kërkova nga ai që të luaj rol ndihmues për heqjen e tyre. Orientimi euro-atlantik i qytetarëve dhe shtetit tonë është i paalternativë dhe i pakthyeshëm”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.